“Pjesëmarrja masive në zgjedhje është gjoba qytetare ndaj keqqeverisjes”

Placeholder Image

Nga Ardit Gjinali –
Gjoba është mendësi dhe sjellje…..në ditët e zymta autokratike që po jetojmë kemi dëgjuar shpesh për të tillin instrument që cënon, kërcënon, nënshtron , shkurajon, tremb dhe përcakton sjellje individuale. Qeveria po vendos gjobën ndaj qytetarit të saj, e tilla evokuese e ndasisë që demaskon të ndryshmin në përkatësi politike, frymëzuese e një polarizimi politik që mbetet streha e fundit inkurajuese për të penguar ç’ka nuk ndalet dot; shteti është përdhosur nga pushteti dhe shtetari po shndërrohet në gjuetarin porositës për të ndëshkuar prenë sipas urdhërit të pushtetit…..të tillë konsiderohen qytetarët në rende thuajse autokratike….numërorë frymues që mund të ndëshkohen nga tehu i pushtetit – gjoba është akti i rradhës përpara vendosjes tërësore të diktatit shtetëror që çertifikohet në ligj, por asfare në përputhje me rendin e së drejtës……të fundmet gjoba të bazuara mbi nenet pandemike të kodit penal ,që cënojnë gjobë-marrësin dhe kërcënojnë të tillin që ende nuk është ndëshkuar, rreken të diktojnë sjelljen e një shoqërie.
Gjatë këtyre viteve, qytetari është dëshmitari i një realiteti të trishtë ku liria e cënuar , demokracia e rrezikuar dhe ekonomia e goditur keqas përbëjnë trekëndëshin e zi që ka vendosur në qerthull një shoqëri duke u rrekur ti rrëmbejë dinjitetin përmes dobësimit të fuqisë reaguese; trekëndësh i zi që puthit secilën brinjë për të mbyllur të tillën hapësirë të veprimit demokratik shoqëror, i tilli trekëndësh që përbën shtyllat e sjelljes autokratike të një enturazhi qeverisës që përpiqet të jetësojë sundimin duke filluar me imponimin, vijuar me diktatin dhe duke mos ndalur rendjen drejt udhës së humbur pa dalje dhe shpëtim të nesërm për shoqërinë; – trekëndësh që duhet thyer në emër të dinjitetit njerëzor që është themeli i garantimit të lirisë shoqërore, demokracisë funksionale dhe treguesve ekonomikë të përmirësuar, gjithashtu.
Sytë e revoltës së qytetarit në Shqipërinë e së sotmes kërkojnë ndryshimin….zëri nuk dëgjohet, por sytë e shpirtit që kërkojnë drejtësi shoqërore janë inkurajimi për vijimin e një angazhimi qytetar të thelluar në një përballje të pabarabartë në infrastrukturë dhe logjistikë me shtet-pushtetin; një përballje ku besimi, shpresa dhe vullneti qytetar për të larguar të keqen duke refuzuar secilin kompromis të vogël mbeten vlera më e rëndësishme e përpjekjes së përbashkët për të ndaluar instalimin tërësor të autokracisë. Shqiptari i sotëm që nuk qeveriset dhe trajtohet ndryshëm nuk meriton të shndërrohet në një subjekt ndëshkimi, ku i tilli ndëshkim konsiderohet si një normë shoqërore nga shtet-pushteti. Vokacioni absolut perëndimor i shoqërisë shqiptare i shprehur përmes matjeve të paanshme është treguesi më i qartë i një realiteti të pamerituar që i tilli qytetar po përballet në secilën ditë të një kalvari jete asfare të thjeshtë në atdhe.
Një ndryshim thelbësor është apeli për qytetarin që shpëton nga autokracia në një Shqipëri që fiton përmes ditëve më të mira që do të materializojnë shpresën që buron nga një besim i Ri. Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme demokratike që do të mundësonin një ndryshim të qeverisjes në mendësi, sjellje dhe në ushtrim pushteti…një qeveri normale me një Kryeninistër normal dhe me një dimension njerëzor ku mundësia përbën thelbin e lirisë individuale dhe shoqërore, gjithashtu.
25 Prilli është dita dhe data që thërret për angazhim të palodhur për Shqipërinë normale; është apeli për një bashkim të madh përtej diçkaje që mund të na ndajë; është kushtrimi për një pjesëmarrje masive , e tilla pjesëmarrje që nuk mbetet thjeshtë një ushtrim demokracie, por është kushtrimi për të ndëshkuar keqqeverisjen për sagën e përjetuar gjatë këtyre viteve. 25 Prilli është dita që thërret për një shpresë të Re, dita ku askush nuk gjobitet dot! Pjesëmarrja masive në zgjedhje përmes një bashkimi të madh është gjoba qytetare ndaj keqqeverisjes! Bashkë sepse ka ende shpresë…

SHKARKO APP