Planet A, B dhe C të republikanëve kundër Donaldit
Figurat kryesore të partisë Republikane në SHBA nuk duan që Donald Trump të jetë kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë. Kjo, për dy arsye – e para sepse nuk pëlqejnë që Donaldi të jetë lideri i partisë së tyre, dhe e dyta, sepse sondazhet tregojnë se ai ka gjasa të mundet keqazi si nga demokratja Hillary Clinton, edhe nga socialdemokrati Bernie Sanders.
Për të bërë të mundur që në Shtëpinë e Bardhë të shkojë një republikan, pas 8 vjetëve të demokratit Obama në të, figurat kryesore republikane kanë tre plane. I pari, plani A, është që Ted Cruz të ketë më shumë delegatë të tij në Konventën Republikane se sa Donaldi.
Në qoftë se ky plan dështon, plani B është që Donaldi të mos ketë më shumë se gjysmën e delegatëve në Konventë, dhe pas disa raundesh votimi, të zgjidhet atje me konsensus një kandidat tjetër – John Kasich, që është i treti në garën primare ose Paul Ryan (Kryetari i Dhomës së përfaqësuesve në Kongres), që s’është fare në garën primare.
Në qoftë se edhe plani B dështon, dhe Donaldi zgjidhet kandidat për në Shtëpinë e Bardhë, mund të futet në lojë plani C. Figurat kryesore republikane po mendojnë që të mbështesin kandidaturën e pavarur të ish-gjeneralit të marinsave, James Mattis, i cili punon aktualisht në Hoover Institution, i lidhur me Stanford University.
Edhe pse pa përvojë politike, Mattis njihet si një lider i madh ushtarak, që sipas figurave kryesore republikane, mund të përsërisë përvojën e ish-gjeneralit Ajzenhauer në Shtëpinë e Bardhë. Që ai të arrijë deri atje, i duhet vetëm të kandidojë si i pavarur dhe të fitojë në tre shtete – Florida, Ohio dhe Pennsylvania. Në këtë mënyrë, asnjë nga kandidatët nuk mund të arrijë numrin magjik të 270 votave elektorale për t’u zgjedhur president. Dhe në këtë rast, sipas amendamentit 12 të kushtetutës amerikane, Mattis mund të zgjidhet president nga Dhoma e Përfaqësuesve në Kongres, ku mbizotërojnë dukshëm republikanët.
Sipas revistës Military Times, ish-gjenerali Mattis ka deklaruar se nuk është i interesuar për t’u bërë president i SHBA-së. Por kështu deklaroi edhe ish-gjenerali Ajzenhauer para se të kandidonte. Dhe më pas, ai ndëjti 8 vjet në Shtëpinë e Bardhë…Respublica.al