Po ja shtrojnë udhën Erionit

Me një fjalë prej disa kohësh reflektorët e medias dhe politikës janë kthyer të gjitha nga kreu i Bashkisë që është fqinj me shtatoren e Skënderbeut. Ky ma merr mendja është nderi më i madh që mund t’i bëhet një politikani ambicioz, i cili ka në udhën e tij vetëm plane të mëdha“…
Nga Enkel Demi
 Sot e kishte rradhën Kreshniku. Aktivistët e Aleancës kuq e zi janë munduar të gozhdojnë dyert e Bashkisë, sepse sipas tyre Erion Veliaj po u zapton qytetin.
Gjatë këtyre dy tre javëve të fundit i gjithë vrulli opozitar po merret me Bashkinë e Tiranës. Në fillim faturat e ujit në Kombinat shkaktuan me të drejtë mëri. Kësaj vale demonstruesish ju bashkua Saimir Tahiri, i cili me këtë aksion politik vuri në dukje dallimet e luftës së brendshme socialiste në vigjilje të Kongresit. Një kënd lojërash prishi gjakun e ambjentalistëve dhe politikanëve të opozitës. Më pas tregtarët që kryen një negociatë sipas tyre të vështirë dhe tani Kreshniku. Prej ditësh media që kontrollohet nga ligjvënësi Koço Kokëdhima ka hapur ballinën me punët e Bashkisë sa Eljani me shokë intervistohet dhe del në faqe të parë. Koço që deri dje i thoshte Erionit “bir” nuk e fal zbythjen e drejtorit të Ujësjellësit, megjithëse ky i fundit mund të jetë hequr prej protestës së Saimirit. Ekuacion me disa të panjohura.
Me një fjalë prej disa kohësh reflektorët e medias dhe politikës janë kthyer të gjitha nga kreu i Bashkisë që është fqinj me shtatoren e Skënderbeut. Ky ma merr mendja është nderi më i madh që mund t’i bëhet një politikani ambicioz, i cili ka në udhën e tij vetëm plane të mëdha. Në një kohë, kur Shqipëria ka tre prioritete: reformën në drejtësi, dekriminalizimin dhe refugjatët, duhet të jetë luks i madh që energjitë opozitare dhe jo vetëm, të shpenzohen tek qeveria e Tiranës.
Kaq e vërtetë është kjo sa zërat kundër brenda Partisë Demokratike i qahen Lulzim Bashës, tek thonë se beteja opozitare është kufizuar në një copë park dhe PD është kthyer në një OJQ. I vetmi që e ka kuptuar thelbin është Pandi Majko, i cili duket sheh të ardhme tek Erion Veliaj, përderisa i rekomandon: “Mos u tërhiq! Transformoje Tiranën!”.
Kështu si po shkojnë punët ka gjasa që kryetari i ri i Bashkisë të kthehet në një pikë referimi politik, përderisa opozita dhe elementë të tjerë të rëndësishëm të së majtës shpenzojnë kohë veç me të. Ata që po planifikojnë rrënimin e tij, ndoshta nga dritëshkurtësia po e lartësojnë dhe nuk ka për të qenë çudi që shumë shpejt tek ajo dera e hekurt që tentoi të gozhdojë Kreshniku të nisë shëtitja e diplomatëve të huaj, si bënin dikur me Edi Ramën, kur në qeveri ishte Fatos Nano.
Në këtë rast, aktivistët e sotëm ka gjasa t’i bien pendesës përse nuk e qepën, kur mund të merreshin me një mijë e një gjëra më me rëndësi si këto punët e politikanëve a gjyqtarëve të inkriminuar, trafikun e drogës, shëndetësinë dhe rrënimin e ekonomisë.

SHKARKO APP