Po kërkohet një “kopil” për dështimin e reformës
Nga Astrit Patozi –
Qofsha i gabuar, por duket sikur po bie që tani era e keqe e dështimit të reformës zgjedhore. Debati që ka nisur mes sherrxhinjve të përhershëm nuk ka të bëjë me çështje të Kodit Zgjedhor apo të sistemit politik, por me sa duket po zhvillohet për t’i ngecur kundërshtarit faturën. Ose me popullorçe “kopilin” në prehër.
Dhe këtu nuk është fjala për 15 marsin, sepse është e sigurt që atëherë nuk do të ketë ndonjë produkt, por kam frikë se duhet tëë përgatitemi për më të keqen, që të mos ketë reformë fare, ose parlamenti të votojë ndryshime të papërfillshme, të cilat nuk e prishin qetësinë e statuskuosë.
Edhe polemikat e sotme në këtë dritë duhen parë. Është e qartë se po shpiken arsye për të mos rënë dakord në tavolinë Oerdi me Damianin, ndërkohë që Edi dhe Luli janë në të njëtën gjatësi vale, kur vjen puna për mosndrysnimin, edhe pse në distancë.
Sa për këtë propozimin e parlamentit me dy dhoma, mund të thuhet vetëm kaq: ne nuk e kemi problemin se si t’i strehojmë dhe ulim në sallë deputetët, por se si t’i zgjedhim ata. Në rast se do të ruhet ky sistem i shpifur, ku njerëzit votojnë vetëm për kryetarin e partisë, edhe me 140 dhoma po ta bësh Kuvendin e Shqipërisë, nuk do të kishte asnjë vlerë, sepse do të ishte e njëjta gjë.