Po krijojmë një shtet pa zemër, pa shpirt dhe pa sovranitet kombëtar

Nga Ëngjëll Musai

Elektorati shqiptar është i vetmi, ku lideri u premton në fushatë “timonin dhe tepsinë”, nga e cila përfitojnë oligarkët dhe vuan një popull i tërë. Këto fjalë na kujtojnë Faik Konicën, i cili deklaronte se edhe pas 100 vitesh shqiptarët të mos presin ngritjen sociale dhe politike, për aq kohë sa besojnë edhe kur u thonë se “fluturon gomari”. Shqipëria, vend i NATO-s, oborrtarët e luksit, ekonomia lakuriq, diskriminimi i intelektualëve, shitblerja e votës dhe 36 pyetje për ndërkombtarët e Tiranës.

Gati një shekull më parë një nga krijuesit e jetës sonë kombëtare At Gjergj Fishta një nga më madhështorët e letërsisë shqipe, që shpesh herë krahasohej me Homerin apo Danten, duke parë ndërhyrjet e të huajve në jetën politike, ekonomike, sociale dhe drejtësi, deklaronte se: ”… Ka patur pushtuesa të Shqipërisë, por pushtuesa të shqiptarëve nuk ka patur kurrë…”. Dhe sot shqiptarët janë në të njëjtat pozita të qarqeve të huaja pas të cilvëve fshihen oligarkë botërorë, që po kërkojnë të shpërbëjnë Kombin, duke e zhvatur, grabitur, shqyer, shpopulluar e përçarë nëpërmjet disa derdimenëve apo të shiturve që vetëm emrin kanë shqiptar, por që në realitet janë pa gjak, pa shpirt dhe pa zemër shqiptare.

Këta batakçinj të rritur në serat e “OMGJ-së” të filantropëve anti-shqiptarë, erdhën në pushtet me kulisa, para të pista dhe me idenë që një ditë do të shërbejnë si bedelë të këtij klani antishqiptar. Dhe për të kryer më së miri misionin e tyre, këtyre grabitqarve do t’u krijohej mundësia që të kishin një mbështetje të klientëve të filantropisë. Duke studiuar traditat e kombit shqiptar në shekuj, ku bujaria, mikpritja dhe respekti për të huajt ka qenë të shenjta, ky sekt u hodh në ofensivë, fillimisht me parimin “përça dhe sundo”, deri sa kapi pushtetin politik lokal, qendror, ekonominë dhe financat të cilat ishin edhe qëllimi final i oligarkisë filantropiste. Dhe pikërisht këta të huaj në bashkëpunim me “ylberistët”, e transformuan duke përvetësuar edhe emrin e “Rilindjes”, e cila është si nata me ditën, pasi Rilindja Kombëtare përfaqësohej nga figura të shquara që shkruan histori me pushkë dhe me penë.

Rilindja e Ramës dhe disa “diversantë” ndërkombëtarë që janë bërë barrikadë e tij për të mbuluar koncesionet, hashashizimin e vendit, inkriminimin e politikës, futjen në listat e deputetëve dhe pushtetit lokal të njerëzve me precedentë të rëndë penal, jo vetëm në Shqipëri, por edhe kudo në botë. Por mbi të gjitha, ata po përpiqen të kapin të ashtuquajturën “Reforma në Drejtësi” dhe në ballë të saj qëndron Calavera, që na kujton Lenkën e PPSH-së dhe shokët e saj të BE-së në Tiranë, na kujtojnë Spiron e byrosë. Strategjia e filantropistit antishqiptar realizoi futjen e marionetave në selinë e partisë socialiste, ca me parashutë dhe ca nga tunelet e nëndheshme të kohës, duke e bërë jetën e shqiptarëve, rraskapitëse dhe të padurueshme. Reformat e sektit sorosian, mëkëmbëses, Calaverës dhe bashibozukëve të “rilindjes” e kanë kthyer Shqipërinë në një shtet mosmirënjohës dhe tallës ndaj punës dhe vlerave të pensionistëve, duke i lënë në nivelin më të ulët të jetesës, ndërkohë që pagat e administratës dhe pushtetarëve i rrit sa pensioni i tyre.

Një shtet që u merr edhe kacidhen e fundit të varfërve, kur të pasurve u fal edhe detyrimet fiskale. Një shtet, ku të drejtat e shqiptarëve nuk ekzistojnë, sepse ato nuk mbrohen me ligj dhe me gjykatë. Kësisoj, shkelësit e ligjit kanë krijuar edhe sistemin e vlerave ireale kudo: në drejtësi, në medie, në botën akademike, në drejtimin e institucioneve duke e transformuar shoqërinë shqiptare në një “vrimë të zezë” të vlerave reale. Një shtet, që nuk ofron mundësi punësimi, një shtet me një sistem edukimi, që nuk gjeneron intelekt e qytetari, por mediokritet e vulgaritet. Një shtet ku populli është i mbytur nga monopolet, koncesionet, partneritetet publike, mbi çdo pasuri kombëtare.

Një shtet ku dënimi i krimeve bëhet aq padrejtësisht, saqë është më mirë të vrasësh një njeri, se sa të mos kesh paguar ndonjë taksë. Një shtet ku padrejtësia më e madhe u bëhet atyre që nuk kanë asnjë mbështetje kundër fuqisë së oligarkisë financiare dhe politike, që kërkojnë të zotërojnë të mirat e tua, nderin apo jetën tënde. Një shtet ku postet u jepen njerëzve të ndyrë, hajdutë e batakçinj, mediokër e pa dinjitet që me arrogancën e tyre nëpërkëmbin personalitetin e dinjitetin e qytetarëve dhe të Republikës, korruptojnë të gjitha zakonet e një kombi, degradojnë edhe shpirtrat më bujarë, shuajnë shkëlqimin e dinjitetit, errësojnë virtytin dhe zëvendësojnë nderin më të lartë me neveritjen e përgjithshme. Një shtet pa shtet, një shtet pa pushtet, një shtet luksokratik me një padrejtësi dhe pabarazi sociale të papërfytyrueshme.

Faik Konica dhe realiteti shqiptar

Faik Konica një tjetër personalitet i shquar i politikës dhe kulturës kombëtare duke analizuar qëndrimet e ndërkombëtarëve dhe heshtjen e shqiptarëve para mashtruesve ndërkombëtarë deklaroi se: “Mbani mend mirë këtë që po ju them:- Në njëqint vjet në vafshim si po vemi, do jemi aq poshtë sa dhe sot” … “Sa kohë që ne besojmë edhe kur na thonë se fluturon gomari, le të mos presim ngritjen tonë sociale dhe politike”. Është zhgënjyese, por e vërtetë, që edhe pas njëqind vjetësh ekziston një Shqipëri e pështirë, që tenton të ngrihet, por që e ka humbur betejën. Një Shqipëri ku ka pllakosur një uragan i farsitetit, mediokritetit e vulgaritetit kudo dhe në çdo formë. Pothuajse të gjitha pozicionet e marra përsipër, apo të shpallura të tilla, si ato publike, politike, partiake, akademike, ekonomike etj, janë të gënjeshtërta.

Të vetmet përpjekje që bëhen, janë ato të arratisë nga fati ynë i vërtetë, për të shmangur kështu përballjen me atë që mund të ndodhë. Jemi duke jetuar në mënyrë komike, madje gjithnjë e më shumë komike, sa më haptazi tragjike është maska që na kanë vënë dhe vazhdojnë të na venë politika e rilindjes dhe disa amoralë ndërkombëtarë, gjatë këtyre 7 vjetëve në emër të “demokracisë liberale”, por që në fakt kanë instaluar “demokracinë totalitare të zbatuar në mënyrë feudale”. Dhe lodhja është rraskapitëse. Rraskapitëse dhe e padurueshme kur shohim. Se si hedh rrënjë një mani e urryer për t’u pasuruar, jo nëpërmjet punës së ndershme dhe një prodhimtarie të bollshme, por nëpërmjet shkatërrimit të sovranit, të shtetit dhe të qytetarëve.

Një liri deri në anarki, një liri që pjesa më e ndershme nuk do të donte t’a kishte. Njerëz pa dinjitet, të kërrusur mbi tokë dhe të prangosur në shpirt; euforinë e tyre, dhimbjen dhe fatin e tyre të lidhur me plotësimin e nevojës së ulët epshore, nevojë e cila sa më shumë plotësohet, aq më shumë rritet në një shkallë më të dhimbshme. Është fatkeqësi që të mbështetësh këtë kryeministër, administratën e tij të korruptuar dhe këtë ministër të brendshëm, që kanë humbur çdo sens të së drejtës dhe të padrejtës dhe se si e kanë konvertuar urtësinë me aftësinë e realizimit të avantazheve të tyre, plotësimit të kënaqësive të tyre duke abuzuar edhe me detyrën. Se si kërkojnë madhështinë e tyre në këtë degradim dhe nderin e tyre në këtë turp. Ata që duhet të jenë mësuesit dhe edukatorët e kombit, intelektualët, akademikët e profesorët, të katandisen deri në pikën e të qenit skllevër të kënaqur të korrupsionit, sepse janë formuar pa personalitet dhe besueshmëri në opinionin publik.

Një intelektualizëm shqiptar, që shërben si “shërbyes i vobektë i pushtetit të padrejtë politik” të Ramës, sepse ajo asnjëherë nuk është lënë të formohet realisht dhe kësisoj, duke mos krijuar vlera të pavarura dhe identitet mendor e individual, nuk është ende “bërthama e mbrojtjes së drejtësisë shoqërore” me zërin e saj. Rraskapitëse dhe e padurueshme kur shohim një shoqëri me një papjekuri të brendshme në formim, që nuk kupton se cili është realisht interesi i saj, që nuk e ka koshiencën e të drejtave të saj, ku e kundërta nuk konceptohet dot si vlerë dhe ku ligji nuk është garant i të drejtave të qytetarëve dhe rilindja së bashku me Sorekën,Calaverën dhe Kim lejojnë shkeljen e Kushtetutës së Shqipërisë.

Një shoqëri që ka humbur çdo besim tek moraliteti në jetë, politikë dhe treg, ku veset shihen si virtyte, ku shpresa duket si një gënjeshtër e padobishme. Një shoqëri që po degradon politikisht, ekonomikisht, kulturalisht e moralisht e ku përgatitet të rrënohet. Një shoqëri ku mungon elita intelektuale, akademike e politike. Një shoqëri ku metastaza e mediokritetit, absurditetit dhe vulgaritetit, është përhapur dhe ka kapur edhe ato institucione që janë të destinuara vetëm për një pakicë të kualifikuar dhe të talentuar. Një shoqëri, ku zgjedhjet “putiniste të të gjitha niveleve dhe llojeve që nga universitaret e deri tek lokalet, partiaket e parlamentaret, në shumicën e rasteve prodhojnë një lidership si në kohën e diktaturës komuniste, ku aftësia korruptuese, dhuna, harbutëria, arroganca, paraja, joshja dhe shantazhi janë mjetet që mbështesin një sundim despotik. Ju po gaboni rëndë dhe nuk ju lejohet që një vendi të NATO-s t’i shkelen liritë, të rrihen artistët, të dhunohen gazetarët dhe të detyroni me apo pa qëllim popullin të marrë arratinë nëpër botë. Të dy, si Soreca dhe Ruiz Calavera flasin sikur shqiptarët të mos e kuptonin se procesi i vettingut është një proces politik, po aq politik sa gjyqet publike në regjimin komunist. Të dy sillen sikur nuk e dinë se çdo deputet që votoi Reformën në Drejtësi e bëri sepse besonte se partia e tij do të mund ta manipulonte procesin në favor të tyre. Soreca, pasardhësi i më të përfolurës në mediet dhe revistat Kroate dhe Serbe, për gjithçka dhe në të gjitha drejtimet, është litari i mbetur jashtë nga Sorosianët që kishin kapur PE dhe BE.

Presidenti Meta i kritikon, eurokratët e sulmojnë me gënjeshtra dhe dogma, dhe Delegacioni i BE-së në Tiranë sulmoi në mënyrë të paprecedentë Presidentin e Shqipërisë, i cili kishte shprehur shqetësimet e tij për përparimin e Reformës në Drejtësi, e cila ka çuar në mos funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe të Gjykatës së Lartë, e mbetur vetëm me tre gjyqtarë e rreth 40 mijë dosje në pritje të gjykimit. Ndërkohë që ambasadorja Kim, takon në mënyrë tendencioze Dvoranin e famshëm, që është kthyer në objekt të Lashtësisë dhe nuk preket nga qeveria. Do të mbahet mend si njeriu që ka 16 vjet në Gjykatën e Lartë dhe do ta kishte zili edhe Aranit Cela dhe vet Enver Hoxha. Ku është BE, ku janë ambasadat Perëndimore dhe vendet anëtare të NATO-s? A i shkon për shtat një demokracie që shpresuan shqiptarët në 1990? Po vetë NATO, a mundet ta kapërdijë një stuatë të tillë sa tragjike, aq edhe komike ? Nuk po futem për pasurinë e tij, ku harroi 100 milionë lekë të padeklaruara, shtëpi të mara nga ALBTELEKOM-i me një çmim qesharak, rreth 30 e ca milionë në mes të bllokut dhe me kredi të falur, apo paguar nga oligarkët e kompanive telefonik ? Po si ka mundësi, që një njeri që dënon në vitet 1990 protestuesit se rrëzuan bustin e diktatorit STALIN të mbahet i blinduar, ndërkohë që qindra të rinj dhe të reja që janë me diploma europiane, rrinë pa punë dhe marrin arratinë?

Sa për kujtesë të zonjës Calavera, 5 vite më parë:

PE: Asnjë blerje vote dhe asnjë imponim i një pale mbi një tjetër nuk është rruga e duhur. Ndryshe nga kërkesa e ambasadorëve Vlahutin dhe Donald Lu që u kërkojnë deputetëve ish-bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, apo më të shkuar kriminale dhe të kapur nga trafikantët dhe korrupsioni që ta votojnë ligjin jashtë vullnetit të tyre personal apo grupit parlamentar, “europarlamentarët Kukan dhe Flekenshtajn, njëkohësisht raporterët për Shqipërinë, pranë Parlamentit Europian, janë shprehur kategorikisht kundër kalimit të reformës në drejtësi me trafikim të votave në parlament. Në një prononcim për mediet, Kukan dhe Flekenshtajn thanë se blerja e votës është e papranueshme dhe theksuan se reforma në drejtësi duhet të kalojë me konsensus dhe jo me imponimin e njërës palë mbi tjetrën. Mbajtja peng e drejtësisë së vendit prej 25 vitesh nuk mund të justifikohet dhe nuk mund të mbyllet nga pushteti i Rilindjes në mënyrë të tillë. Do të ishte më mirë një vend pa ligj se sa me një miratimi i një ligji të blerë me kushte nga krimi dhe trafiku.

Duke lexuar një analizë të D. Matlija për ndërkombëtarët, me të drejtë ngrihen shumë pikëpyetje nëse këta ndërkombëtarë janë të paaftë, apo janë qëllimisht të djallëzuar.

Kur dëgjoj ndërkombëtarët që kërkojnë dialog dhe mjete demokratike, kam një pyetje: Cilat mjete demokratike kanë shqiptarët në dispozicion kur:
1. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese.
2. Nuk ka Gjykatë të Lartë.
3. Nuk funksionojnë gjykatat e zakonshme.
4. Gjyqtarët janë nën presionin e reformës.
5. Nuk lejohet protesta.
6. Nuk lejohet lëvizja e lirë.
7. Sistemi zgjedhor administrohet nga partitë e mëdha.
8. Sistemi zgjedhor mbyt partitë e vogla.
9. KQZ është në dorë të mazhorancës.
10. Referendumi është teknikisht i pamundur dhe taktikisht i pavlefshëm.
11. Kuvendi është noter i akteve normative.
12. Pushteti vendor nuk ka opozitë.
13. Konsultimi publik injorohet.
14. Prokuroritë nuk kanë pavarësi reale.
15. Policia bën ligjin me urdhëra nga “facebooku” dhe nuk ke ku i kundërshton pa t’u dukur vetja romantik.
16. Sindikatat vriten që në djep, kurse pseudosindikatat janë shitur që para djepit.
17. Katedrat universitare janë kapur duke manipuluar sistemin e tyre të brendshëm zgjedhor.
18. Shumica e medieve janë blerë, pakica kërcënohen.
19. Fjala e lirë është ende e kriminalizuar dhe kërcënohet edhe me gjoba nga komisarë shtetërorë.
20. Protesta është e kriminalizuar dhe protestuesit burgosen me raporte policie dhe pa prova të tjera.

…merrni pak frymë këtu dhe vazhdoni të lexoni,

Askush nuk del i pafajshëm për veprën penale të kundërshtimit të punonjësit të policisë, sepse dëshmia e policëve ka vlerë absolute.
22. Koncensionet dhe PPP-të u jepen kompanive pa ofertë publike dhe aksionet e tyre nuk janë në bursë.
23. Pushteti merr vota me para, me forcë, dhe askush nuk ndëshkohet kurrë.
24. Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vonon në shqyrtimin e çështjeve dhe nuk fillon procedurat po nuk mbarove punë me gjykatat e vendit që duan një jetë të të japin vendimet.
24. Anëtarët e partive përjashtohen po menduan ndryshe nga kryetari.
25. Organizatat e shoqërisë civile nuk legjitimohen për të bërë padi për mjedisin.
26. E drejta e informimit funksionon vetëm për rastet ordinere sa për të bërë statistikë të mirë, por nuk funksionon për të marrë informacion rreth veprimtarive të dyshuara korruptive.
27. Të varfërit nuk kanë një paketë dinjiteti për të mos mbetur pa bukë nëse nuk i vijnë pushtetit pas fijes
28. Edhe një President që ka mbetur në opozitë me pushtetin, kërcënohet nga ky i fundit me shkarkim.
29. Tenderat shpërndahen brenda grupit , duke vënë kritere diskriminuese dhe duke përcaktuar afate të parealizueshme të kontratave, duke dekurajuar kështu të gjithe ata biznese që duan të mbijetojnë pa u shitur te pushteti.
30. Bashkëpunëtorët e drejtësisë nuk kanë garanci për mbrojtje.
31. Të varfërit nuk kanë akses në gjykatë për shkak të tarifave gjyqësore dhe tarifave të ekspertëve.
32. Gazetarët kërcënohen nga të fortët, nga pronarët dhe nuk kanë sindikatë.
33. Profilet e facebookut sulmohen nga trollsat.
34. Marrëdhëniet e punës në shtet nuk janë të garantuara dhe personat e lidhur me të punësuarit në shtet janë të detyruar të hedhin vallen që u kërkohet prej shefave të njerëzve të tyre të afërt.
35. Zyrat e PR që paguhen për të bërë lëmsh opinionin publik, janë më të shpejta në prodhim lajmesh se sa është aftësia e publikut t’i procesojë dhe verifikojë ato.
36. Mjekët keqpërdoren për të futur frikën e Covid që pastaj Rama të sajojë rregulla që të kujtojnë diskutimin e Milton në fund të filmit Avokati i Djallit…”shihe, por mos e prek, preke por mos e kafsho, kafshoje por mos e gëlltit..” etj. etj. etj. se u lodha.
Pra, të nderuar ndërkombëtarë, që as nuk dëgjoni publikun dhe nuk lexoni as raportet e tyre kur ua sjellin në zyrë, si mendoni që shqiptarët mund të dialogojnë dhe të përdorin mjete demokratike? Po talleni besoj.

/Telegraf.al/

SHKARKO APP