Po mbërrin Fryma Jakobine!
Nga Artur Zheji
Jakobinët, për ata që nuk e dinë, është një lëvizje e thellë politike që jehon prej tre shekujsh nëpër botë. Kur thua sot jakobinizëm, nënkupton një zgjidhje radikale dhe të pamëshirshme të problemeve që ngërthejnë një shoqëri.
Sigurisht sot, 3 shekuj pas krijimit të një doktrine të tillë, që nxori në pah edhe një instrument të famshëm të vdekjes së shpejtë apo të vdekjes me ekzekutimet më praktike, Gijotinën, jakobinët, thirren edhe “Justicialistë”, drejtësivënës pra, por me ngjyrën e veçantë të “spastronjësit” apo “purifikuesit”, apo “çrrënjosësit” të një të keqeje që ka kaluar masën.
Në shekullin XVIII, Gijotina preu rreth 25 000 koka njerëzish. Duke filluar nga mbretër dhe duke e vijuar ciklin e saj me prerjen e kokës së urdhëruesve më të famshëm të kokëprerjes, si zgjidhje dhe si shërim të plagës sociale. Duke dhënë kësisoj një “frymëzim” dhe një model për revolucionet e shekullit XIX, dhe një kulminacion në revolucionet e shekullit XX, ku “kokat e prera” të armiqve të revolucionit arritën në dhjetëra e miliona.
Koka të prera, në emër të një bindjeje dhe të një gëzimi të Drejtësi-Vënies Historike. Në Marshimin drejt një Epoke të Re, të Rilindjes së Njeriut të Ri.
Në të vërtetë, një operacion kirurgjikal kolektiv, që rrëzonte pushtete shumëvjeçare, dhe rivendoste pushtete të reja, e më vonë dinasti të reja.
Jakobinizmi i parë u rrënjos në Shqipëri nga PKSH, në vitin 1945, duke premtuar çlirimin e vendit nga korrupsioni borgjez dhe triumfin e pushtetit të shumicës popullore.
Shumëkush, nën efektin e Frymës, e besoi këtë kurë të ashpër dhe radikale, që pasoi shumë pushkatime, burgosje dhe internime. Gjithmonë në emër të një Drejtësie të Vërtetë.
Në emër të një Drejtësie të Vërtetë, të Ndershme dhe të Përjetshme, pra!
Se çfarë ndodhi më pas dhe se në çfarë koshi historik përfundoi kjo drejtësi, janë shumë të pakët ata që sot nuk e dinë, apo nuk e pranojnë. Në Shqipëri dhe kudo në botë.
Rikthimi i kësaj Fryme Jakobine, që vringëllin në ajër pranga apo çelësa qelish e burgjesh, është sharmante, populiste, elokuente, mbresëlënëse dhe tërheqëse sa më s’ka.
Ajo premton, ashtu si gjithmonë në ciklet e veta të rilindura, një Drejtësi të Re, të Ndershme dhe të Vërtetë!
Në këtë frymë, cilësohet sot, gjithmonë e më shpesh e në mënyrë të nënvizuar, edhe e “keqja korruptive”, nga e cila Shqipëria duhet të çlirohet. Në mënyrë të fortë! Me arrestime të bujshme! Me procese gjyqësore drithëronjëse dhe drejtësivënëse!
Gjithmonë e më tepër shërbehet si model Kroacia apo Rumania, me arrestimet e veta të bujshme, të rangjeve më të larta ish-qeverisëse. Madje shërbehet në një pjatancë të logjikës krahasimore, edhe teoria se, duke ndjekur këtë model të luftës kundër korrupsionit, i afrohemi edhe më shumë Europës, si standard dhe si integrim.
Por, vijon arsyetimin e vet “Fryma Jakobine”, edhe Shqipëria sot nuk duhet të rrijë më pas, duhet të shkundet, duhet të veprojë dhe duhet të burgosë! Ministra, ish-kryeministra, biznesmenë, e të rrëzojë kështu mitin e Paprekshmërisë dhe të të Paprekshmëve.
Bukur tingullonjëse edhe kjo! Padyshim!
Por iluzioni apo hileja e këtyre skemave me emocione të forta populiste, që dikur duartrokisnin realisht rrokullisjen e kokës së përgjakur të “Fajtorit” nga tribuna e Gijotinës, në koshat e thurur me kashtë të ashpër nga duart e popullit, na mëson pra historia se gënjeshtra qëndron pikërisht te Fryma dhe te Frymatarët.
Te vetëthemelimi i një “partie jakobine”, që ndez një zjarr të madh shprese, duke fshehur sakaq një dobësi të madhe. Që historia e ka provuar dhe sprovuar qindra herë në shumë shekuj:
Paaftësinë e “Frymatarëve” drejtësi-kërkonjës, prangatundës e burgkumtues, për të “prerë kokën” e tyre mëkatare, në emër të të njëjtit standard drejtësie, përdorur pa mëshirë e kompromis ndaj tjetrit.
Duke instaluar premisat e një Regjimi të Ri. Mbështetur nga Fryma dhe burgjet.
Ndoshta më mirë pra, më pak “revolucion” dhe më shumë reformizëm të butë, ndoshta edhe mediokër, por gjithsesi, jashtë emocioneve të mëdha e të rreme, për një botë të re.