Po, ne jemi “zëdhënësit e urrejtjes”

Placeholder Image

Nga Andi Bushati.

Mbrëmjen e së enjtes, pasi kaloi me një shumicë copë copë prej vetëm 63 deputetësh, ligjin që lejon importimin e plehrave në Shqipëri, kryeministri Rama u rishfaq në Facebook. Ai ripostoi fjalimin e mbajtur në mesditë në parlament, të shoqëruar si zakonisht me komentet e veta cinike. Ai u bënte thirrje ndjekësve që të dëgjonin argumentat e tij dhe  jo ato të « kalemxhijve dixhitalë » që ishin « zëdhënësit e urrejtjes ».

Pikërisht me këtë togfjalshin e fundit targeti i tij dukej qartë. Ai përpiqej të kompleksonte të gjithë ata gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile, madje edhe deputetë (as të tij dhe as të Berishës) që ngritën zërin me forcë kundër këtij krimi që po i bëhej vendit.

Si një pjesë e këtij fronti që kemi bërë detyrën tonë në demaskimin e një skandali financiaro -mjedisor, ne të Lapsi.al, nuk ndihemi aspak të kompleksuar.

Madje duam ta themi me forcë se “Po” ne jemi zëdhënës të urrejtjes. Të urrejtjes së atyre njerëzve që ndihen të fyer dhe të nëpërkëmbur nga qeverisja makute e rilindjes.

Po, ne jemi zëdhënësit e urrejtjes së atyre që e votuan Edi Ramën edhe me shpresën se ai u premtoi një Shqipëri ku « as sot dhe as nesër » nuk do të importoheshin plehëra dhe që tani ndihen të fyer dhe të përdorur.

Po, ne jemi zëdhënësit e urrejtjes të atyre që e kanë dëgjuar kryeministrin të thotë se cilido qeveritar që do të mëtojë të fusë mbetje në këtë vend, është një njeri që punon për interesat e mafies.

Po, ne jemi zëdhënësit e urrejtjes së atyre që e kanë besuar Ramën kur u predikonte se vendi nuk i ka kapacitetet e monitorimit dhe kontrollit për ti shmangur mbetejet radioaktive, mjeksore apo çfardo lloji tjetër.

Po, ne jemi zëdhënësit e urrejtjes së atyre që kanë besuar burrin e sapo ulur në poltronin e qeverisë që tu thoshte se do ta abrogonte këtë ligj dhe se kushdo që donte të mbetej ai në fuqi, e bënte këtë për interesa të mëdha financiare.

Po, ne jemi zëdhënësit e urrejtjes së atyre që ndihen të nëpërkëmbur kur lexojnë se kuvendi i Shqipërisë, i cili abrogoi ligjin tre vite më parë, u paraqiti një relacion ku thuhej se ndalimi është konform me normat europiane, ndërsa sot kur duhet që importi të miratohet, u serviret sërish një i tillë ku pretendohet se po veprohet në bazë të direktivave të BE.

Po, ne jemi zëdhënësit e urrejtjes së atyre socialistëve idealistë që nuk e kuptojnë dot se si një forcë e ashtuquajtur e majtë, mendon për interesat e atyre pak kapitalistëve (që megjithëse në kushte ndalimi paskërshin investuar 240 milionë dollarë) dhe jo për trutë, mushkritë apo barqet e fëmijëve të tyre.

Po, ne jemi zëdhënësit e urrejtjes së atyre që besojnë se e gjithë kjo nuk u bë për një Shqipëri më të pastër, por thjesht për të çuar zarfin e ricikluesve nga hartuesit e ligjit të Berishës tek ata të Ramës.

Po, ne jemi zëdhënësit e urrejtjes së atyre votuesve që po shohin të vihet në jetë premtimi i Ed Shalësit në fushatë : « ne do të vjedhim ndryshe dhe më mirë se Saliu ».

Po, ne jemi zëdhëniësit e urrejtjes së atyre njerëzve me mend në kokë, që nuk e kuptojnë dot argumentin absurd, sipas të cilit, për të bërë më të pastër këtë vend, u dashkan importuar edhe plehëra të tjera nga jashtë.

Po, ne jemi zëdhëniësit e urrejtjes e atyre militantëve mjedisorë me të cilët po tallen duke u thënë se, nëse nuk keni besim tek qeveria, policia, ushtria, doganat etj, ejani e bëni vetë roje përpara traut të këtyre të fundit.

Po, ne jemi zëdhënësit e urrejtjes së atyre që pasi i gënjyen tre vite më parë, pasi i vodhën gjatë gjithë kësaj kohe me tendera pa garë, koncesione për miqtë, rrëmbime tokash në bregdet, leje kioskash e pallatesh, tani duan tu hedhin edhe plehërat mbi kokë.

Prandaj në këtë kuptim, çdo përpjekje qesharake e kryeministrit për të na kompleksuar se jemi « kalemxhij dixhitalë » dhe « zëdhënës të urrejtjes », nuk ka asnjë vlerë.

Problemi ynë real është tjetër.

Ai qëndron në pyetjen, nëse jemi vërtet aq të dekompleksuar sa për të treguar lakuriq babzinë e kësaj bande? Nëse kemi arritur të vizatojmë me detaje hipokrizinë e një njeriu që i tha shqiptarëve, tre vite më parë, se kushdo që do të guxonte të importonte plehëra e bënte këtë në emër të mafies? Nëse ia kemi dalë të tregojmë fytyrën e vërtetë të qeveritarit që predikonte, se kushdo që mund ta hedhë këtë hap është një i korruptuar që punon kundër interesave të vendit?

Kjo është dilema jonë e vërtetë.

Ndërsa, sa për mëdyshjen tjetër, nëse duhet të jemi “zëdhënës së urrejtjes” së atyre që kanë filluar ta shkruajnë emrin e Edi Ramës mbi kazanët e plehrave, apo “kalemxhinj dixhitalë” të pëlqyer prej tij, këtu nuk ka asnjë hezitim.

Gjithçka është më e mirë sesa të renditesh në krah të njerëzve të kapur nga mafia dhe që mbushin vendin me plehëra për interest e tyre financiare.

SHKARKO APP