Po ne, përse nuk e shembim dot murin që na ndan me Kosovën?
Nga Mentor Kikia –
Ribashkimi i Gjermanisë(një përvejtor që u shënua dje) nuk është një ngjarje e madhe vetëm për Gjermaninë, por për gjithë Europën dhe Botën. Ajo shënoi fillimin e fundit të komunizmit, ku pas Berlinit ranë të gjithë muret në Europën Lindore.
Po Shqipëria me Kosovën përse nuk bashkohen?
Mund të duket një pyetje naive, por ka sens. Përgjigjet mund të jenë shumë, si psh: Sepse nuk varet nga ne. Sepse Kosova është ende gjysmëprotektorat. Sepse do të shkaktonte reagime të forta në Serbi, Rusi etj etj. Dhe të gjitha këto janë të vërteta.
Por unë po shtroj disa pyetje të tjera:
Çfarë na ndalon neve, ndërkohë dhe si fazë e parë, të bashkohemi, pa e “deklaruar” bashkimin, pra pa krijuar një administratë të vetme qeveritare e shtetërore?
Çfarë na pengon të unifikojmë arsimin?
Çfarë na pengon të unifikojnë programet kulturore?
Çfarë në pengon të unifikojmë sektorë të veçantë të ekonomisë?
Çfarë na pengon të heqim të gjitha barrierët doganore që ekzistojnë mes dy shteteve?
Çfarë na pengon që ta bëjmë vijën kufitare të duket vetëm një nocion gjeografik?
Asgjë, veç dëshirës.
Qeveritë janë mbledhur shumë herë sëbashku e shumëherë kanë marrë vendime që nuk janë zbatuar asnjëherë.
Ndërsa çështja e nacionalizës është përdorur si leckë për të pastruar fytyrën, sa andej e këndej kufirit, kujtdo që i është dashur të duket si atdhetar e të fitojë kredite politike.
Ndoshta edhe sepse, dy klasat politike, aktualisht më të korruptuarat në Europë, ndjehen mirë duke “shaluar” secila nga një copë popull e nga një copë truall shqiptar.