Po tallemi ne me deputetin “Kauboj”, apo po qesh ai me ne?
Nga Çim Peka/
Prej një jave lajmi kryesor është deputeti më i ri i kuvendit të Shqipërisë, “kauboj”, “socialisti”, “demokristiani”, “emigranti”, “gjeometri”, “biznesmeni”, “sponsori”, së fundit dhe “piktori” Eduard Ndocaj.
Të mërkurën deputeti zbriti në Rinas ku u prit me flamur kombëtar njëlloj si Ismail Qemali, sipas vetë deputetit “new”. Por në Rinas kishte zbarkuar edhe stafi i emisionit “Fiks Fare”, për ta pritur, e pse jo për ta ironizuar “kaubojin” ish-socialist, tashmë deputet demokristian.
Pasi deputeti Ndocaj fitoi gjithë audiencën dhe vëmendjen mediatike edhe duke pranuar të trajtohet si një personazh komik nga “Top Channel”, u nis drejt “Tv Klan” me shumë gjasa për tu talluar ai me ne nga studio e debatit politik në Shqipëri. Nga studio e emisionit “Opinion”, ku një natë më parë ishte rrëfyer kryeministri Edi Rama, e sot menjëherë pas tij kreu i opozitës Lulëzim Basha.
Nga kjo studio deputeti Ndocaj, me një sinqeritet therës dhe gati gati përçmues për kolegët e tij tashmë jo emigrant, por politikanë, tha disa të vërteta që çdo votues shqiptar e ka bërë të mendoj: Po qeshim ne më të, apo po qesh Eduart Ndocaj me ne?
Çfarë tha në “Opinion” deputeti Ndocaj?
1- Arsimi im bazë është shkolla 8-vjeçare, talenti në pikturë, një vit gjimnaz dhe disa kurse një vjeçare në Milano të Italisë. E theksonte disa herë që Milano është e Italisë nga frika që shqiptarët nuk e dinin. Kishte ikur 14 vjeç dhe dukej qartë se Shqipëria e 2015 ishte e njëjtë me atë të viti 1990. Shqiptarëve duhej thënë se Milano është e Italisë sipas Ndocajt.
Janë disa konkluzione që nxjerr nga ky pohim i sinqertë i deputetit Ndocaj.
E para, nuk e ka parë të arsyeshme të blejë diplomë si një pjesë e mirë e parlamentarëve aktual.
E dyta, na kujton se ka të njëjtin shkollim bazë me të kryeministrit. 8-vjeçarën, talentin në pikturë dhe katër shkolla 1-vjeçare (i quante Ndocaj kurset që kishte bërë në Milano të Italisë). Në mendjen e deputetit demokristian, liceu i Ramës ishte si kurset e tij.
E treta, ishte formuar jashtë dhe nuk mendonte si klasa aktuale politike. Ishte i ngjashëm me shefin e opozitës Basha.
E katërta, familja e tij e kishte pas me shumë dëshirë politikën para viteve 40, njëlloj si përfaqësuesja e të përndjekurve në politiken e lartë Jozefina Topalli.
2-Kapelen kauboj e mbaj se e kam parë ne filma kur kam qenë i vogël.
Sërish u tregua i sinqertë dhe qetësisht, sy më sy, po ja thoshte gazetarit kryesor politik ne vend, i cili edhe ai vetë kishte filluar të bënte emision politik se e kishte parë në TV, Bruno Vespën. Edhe studion, gjestet, madje dhe veshjen. Më qartë, Ndocaj po i thoshte Fevzos se unë e mbaj kapelën se kam parë filma me kauboj, ti më merr në intervistë se ke parë Vespën që pyet politikan në Itali.
Gazetarit që ka studiuar e ka botuar jetën e Enver Hoxhës e Ahmet Zogut, që ka intervistuar sa e sa lider botëror. Por që për asnjë moment nuk u vu re diferenca intelektuale mes të intervistuarit dhe intervistuesit. Kjo ndoshta për dy arsye: Ose deputeti Ndocaj ka zgjuarsi dhe formim të lindur dhe jo të fituar si Fevzo, ose Fevzo është shumë i zoti të bëj si budalla.
3- Sot shfaqja e deputetit “piktor”, “gjeometër”, “biznesmen”, “emigrant”, demokristian vazhdoi. Në Parlament shkoi me makinën që kishte përdorur Al Paçino tek filmi “Kumbaro”. Shkoi në Kuvend si deputet apo si “eurodeputet” bash me makinën e “Good Father”.
Edhe për këtë gjest dy arsye ka: Ose vërtet Ndocaj i mendon shqiptarët injorant si ata të vitit 1990, ose mesazhi i atij që ne po qeshnim me të është shumë domethënës. Në parlamentin ku disa deputet janë arrestuar për vrasje, trafik droge, prostitucion, rrëmbim personi, ku një deputet i mazhorancës ka akuzuar “Good Fatherin” e Kuvendit se kishte paguar kriminelë për ta vrarë, vetëm me makinën e “Good Fatherit” të Al Pacinos mund të shkosh.
Deri më sot ne kemi qeshur me deputetin më të ri të Parlamentit të Shqipërisë, por ka shumë gjasa që gjatë gjithë kësaj kohe po qesh Eduart Ndocaj me ne. Ne që kemi zgjedhur këta deputet, e që e presim “piktorin” Ndocaj na vjen bash nga Milano e Italisë si eurodeputet.
Si përfundim, edhe “filozofit” Nard Ndoka i dha të drejtë për deklaratën se: “PDK-së po i bien deputet nga qielli”. Është e vërtetë tha Eduart Ndocaj, me avion nga qielli erdha. (Syri.net)