Po tani?
Duket se zhvillimet e ardhshme politike kanë mbetur peng në datën 7 maj. Të dyja palët janë duke bërë kalkulimet atje dhe vetëm pas zhvillimeve në Kavajë…
Nga Blendi Fevziu
Po tani? Kjo është pyetja e parë që gjithsecili i ka bërë vetes kur ka dëgjuar lajmin e dështimit të negociatave Rama – Basha në selinë e Presidentit Nishani! Jo sepse kishte ndonjë deklaratë konkrete, por sepse mënyra se si u rrit pritshmëria dje dhe se si u lexuan lajmet dhe lëvizjet politike, thuajse krijoi bindjen tek shumë vetë që takimi tek Presidenti ishte thjeshtë zyrtarizimi i një marrëveshjeje të negociuar më parë. Për fat të keq, nuk kishte pasur asnjë të tillë, me gjithë lajmet që mbytën shtypin dhe me gjithë protagonizmin e disa politikanëve të dorës së dytë që flisnin deri për detaje të marrëveshjes. Pak a shumë ndodhi ajo që Basha kishte premtuar që nuk do të ndodhte më, por që këtë moment e pranoi: një takim i pa parapërgatitur, një takim ku të dyja palët i kanë qëndruar pozicioneve të tyre fillestare dhe që pasi i kanë mbajtur për thuajse 2 orë fjalime njëri tjetrit janë larguar pa arritur asgjë.
Asnjë nga palët nuk ka dhënë më shumë detaje nga takimi, por opinion.al ka arritur të zbulojë pak a shumë thelbin e tij. Basha i ka qëndruar tezës së tij për një Qeveri Teknike pa Ramën Kryeministër dhe zhvillimit të zgjedhjeve në Dhjetor, mundësisht me një votim elektronik, ose minimalisht një votim me identifikim elektronik. Pra, Basha nuk ka pasur lëvizje nga qëndrimi tij.
Ndërkohë Rama ka bërë disa propozime për të përmirësuar standardin e zgjedhjeve dhe për të garantuar ato, por ka refuzuar kategorikisht Qeverinë Teknike dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Këtu gjithçka është bllokuar dhe palët janë kthyer në selitë e tyre. Ajo që të bie në sy nuk është vetëm mungesa e një zgjidhjeje, por edhe fakti që sot, Rama ka pasur një pozicion më të tërhequr dhe më pak ofertues se sa ai që mbajti në takimet me Mekallister dhe Filkenshtajn. Nëse në 25 Prill ai ishte i gatshëm të fliste për datën e zgjedhjeve deri në 16 Korrik, sot ai nuk ka lëshuar asgjë nga 18 Qershori. Nëse me 25 prill foli për ndryshime thelbësore në Qeveri sot duket se ka ofruar një Ministër për zgjedhjet i cili do të merret me reformën për zgjedhjet lokale të 2019. Pra, Rama ka lëvizur nga lëshimet politike në ato teknike. Dhe sot në takim, Rama ka dashur ta manifestojë faktin që koha ka punuar në favor të tij dhe që kushtet e 10 ditëve më parë nuk janë më të vlefshme.
Një analizë e thjeshtë, të bën të kuptosh se më 25 Prill, Rama ka pasur po aq sa shqetësimin e PD edhe atë të Metës. Sot, ai beson se Meta është jashtë loje personalisht dhe LSI ka hyrë në zgjedhje. Ai ka arritur madje t’i dërgojë gjithë formacionet e tjera politike që janë regjistruar, të vetme në zgjedhje, duke besuar se në këto rrethana s’ka nevojë për asnjë prej tyre. Ai e di tani që betejën e ka me PD, siç e di që PD ka vetëm dy mënyra për t’u imponuar pas dështimit të negociatave: Ose konsensus ndërkombëtar, ose revoltë masive popullore.
Nuk duket se Rama ju ndruhet ndërkombëtarëve, përkundrazi. Dhe pse PD ka arritur të gjejë konsensus për denoncimin e kanabisit në vend, ajo nuk ka marrë deklarata inkurajuese për shtyrjen e zgjedhjeve. Atëherë mbetet rruga e dytë, ajo e një revolte masive popullore. Duket qartë, ashtu siç edhe shprehet, që Rama nuk beson tek një zemërim popullor, madje as e pranon. Ai e konsideron gjithë kontestimin të mbledhur vetëm tek çadra përballë kryeministrisë. Ndërkohë PD beson se protesta 70 e ca ditore e ka ndërgjegjësuar publikun dhe po ashtu shpreson që në protestën e Kavajës mbështetësve të saj do t’i bashkohen edhe qytetarë të tjerë.
Duket se zhvillimet e ardhshme politike kanë mbetur peng në datën 7 maj. Të dyja palët janë duke bërë kalkulimet atje dhe vetëm pas zhvillimeve në Kavajë, ne do të kuptojmë realisht se kush do të jetë më i favorizuar në negociata. Pra cila nga forcat politike do t’i imponohet tjetrës! Dhe vetëm pas të henës do të shohim nëse do të ketë më negociata. Opinion.al