“Po “turqizohet” Islami shqiptar”

 

Më debatin e mbrëmshëm në “Tonight Ilva Tare”, eksperti i religjioneve Ermir Gjinishi ka debatuar ashpër me të pranishmit, lidhur me rolin e Lëvizjes Gylen në Shqipëri. Ndër të tjera, ai ka ngritur edhe problemin e mprehtë të “turqizimit të fesë Islame”. Ja një pjesë e ndërhyrjes së tij: Vizita e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, ka krijuar më shumë se një mëdyshje, më shumë se një dilemë, por më e madhja ishte ajo e kushtëzimit të ndihmës që ai ofroi, me goditjen e rrjetit të shkollave Gylen në Shqipëri. Erdogan nuk e kushtëzoi asnjëherë ndihmën.

Sigurisht që na takon ne ta marrim atë vendim, pasi e paraqiti atë si një kërkesë gjatë bisedimeve zyrtare. Gjithsesi më e gabuara në këtë moment është të shtrosh pyetjen: a do mbajmë krahun e Gylenit apo të Erdoganit? Nuk është kjo zgjidhja. Ato janë aktivitete të ligjshme në Shqipëri.

 Por Gyleni nuk është histori vetëm shkollash. Problemi që ka Gyleni në Turqi nuk ka të bëjë fare me shkollat. Problemi është mbi gjëra të tjera. Është e vërtetuar që ka struktura paralele të frymëzuara prej tij. Edhe në Shqipëri është hapur disa herë kjo histori. A mund ta them unë këtë gjë me besueshmëri kaq të madhe? Jo. Por shteti për këtë i ka institucionet e veta. Erdogan është presidenti i një shteti, ngriti një problem. E ngriti edhe për vendin tonë. A nuk i takon shtetit tonë të verifikojë të paktën këto gjëra? Unë nuk them të shpallet Lëvizja Gyleniste si terroriste, se kjo është problematike. Problemi i terrorizmit është një çështje tjetër. Por është e vërtetuar që Lëvizja Gylen, sa herë ka dalë në dritë në konfliktet me politikën turke, ka qenë çështje e celulave dhe sistemeve paralele me shtetin turk. Problemi turk nuk na takon ne, neve na takon të shohim veten tonë.

Ne duhet t’i bëjmë pyetje dhe duhet të verifikojmë veten tonë. A kemi ne struktura paralele në shtetin tonë? Ky është problemi. Ne këtu e kemi patur këtë problem të hapur 3­4 vjet përpara, jo nga Erdogani, por nga mediat shqiptare, për financime dhe ka patur një debat publik me emra dhe me mbiemra. Kemi problemin fetar të institucioneve. Nuk është gjë e vogël. Të devijohet besimi dhe të turqizohet një besim, ashtu sikundër do ishte e rrezikshme sikur një komunitet tjetër të humbte identitetin e vetë kombëtar. Strukturat paralele janë aktivitet kriminal nga cilado organizatë, cilido vend dhe këtë Shqipëria duhet ta ketë në konsideratë, ta verifikojë dhe ta ndjekë. 

SHKARKO APP