Po vjen Vuçiç. . .

 

KOMENT

Nga Zef Shtjefni

Siç është paralajmëruar, më 27 maj vjen për vizitë zyrtare në Tiranë Kryeministri serb Vuçiç. Me sa kemi mësuar nga mediat, kjo është vizita e parë e këtij rangu në Kryeqytetin shqiptar. Para tij, Vuçiçi dërgoj në Tiranë, si lajmëtar për qëllimet e vizitës së tij, ministrin e Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç. Ai tha se Kryeministri serb vjen me një axhendë me mesazhe paqësore bashkëpunimi me interes reciprok, mes dy vendeve.

Nuk është se të dyja palët nuk kanë nevojë t’i dëgjojnë këto fjalë këto ditë të nxehta për Ballkanin, por shumë më tepër se fjalët kanë nevojë që këto të shoqërohen me vepra. E themi këtë, sepse Kryeministri Rama nuk është se u prit tamam si mik i nderuar në Serbi, vitin që shkoi. Mjaftoi të përmendte Kosovën dhe benzina iu ndez në kokë Kryeministrit serb, i cili doli nga fiqiri. Ma do mendja se po të mos ndërhynin ndërkombëtarët e mbase vetë Merkeli, ai takim mund të kishte përfunduar në ndonjë skandal edhe më të rëndë. Serbët u mbytën në një pikë ujë në shtëpinë e tyre me ne si me sportin dhe politikën. Nuk u treguan as mikpritës, as diplomatë, as të zgjuar e as europianë. Ndikoi mjaft, në acarimin e atmosferës së politikës serbe ndaj nesh, skandali i madh i ndeshjes së futbollit midis dy kombëtareve tona në Beograd. Rama u përpoq ta kapërcente me shumë zhdërvjelltësi çdo surprizë të atij takimi të vështirë, por nuk kishte se si të mos fliste asnjë fjalë për Kosovën dhe për të drejtat e shumë shqiptarëve që jetojnë akoma shumë më keq se serbet në Serbi. Do i binte që të mos ishte shqiptar. Tani e ka radhën Ai të presë Vuçiçin në Tiranë dhe të durojë gjithë thumbat e tij për çështje të nxehta, siç janë Kosova, Maqedonia, harta e Shqipërisë së madhe etj. Më vonë do ta kemi radhën të presim edhe Kombëtaren serbe në Stadiumin e ri të Shkodrës. Le të presim dhe të shohim nëse do të mbytemi edhe ne shqiptarët në një gotë uji në shtëpinë tonë me serbët , apo jo. Mendoj se, ashtu si në Beograd, është koha të tregojmë se në jemi ndrysh nga ata. Jemi më mikpritëse më tolerantë, më pak racistë e nacionalistë. Jemi më europianë se ata.                    

Shqipëria dhe Serbia ndodhen thuajse në të njëjtin distancë rruge drejtë BE-së, edhe pse shumë analistë mendojnë se, me gjithë ato krime që ajo ka bërë në Ballkan, për Serbinë është mbyllur një sy e një vesh, për të mos e lënë të bjerë në kthetrat e Putinit. Por ka të tjerë që mendojnë se dhe Shqipëria nuk i meriton akoma nderimin e favoret që i bëhen. Por, gjithsesi , them se këtë radhë duhet të bëjmë kujdes që takimi të jetë i suksesshëm, të mos jetë takim formal, të sjellë marrëveshje konkrete me interes reciprok ekonomik për të dyja vendet dhe të mos bjerë në nivelin banal të atij takimi të pak muajve më parë në Serbi. Megjithëse nuk e fsheh parandjenjën se serbi nuk do të vijë e të ikë nga Tirana pa e treguar vetën ballkanas, pa thënë se Kosova është Serbi dhe pa e përsëritur atë thënien e tyre bajate se, kurrë nuk do ta njohin atë. Ndrysh s’ka se si të kthehet në Beograd. Pastaj, Rama vetë e ka ftuar të thotë çfarë të dojë në Tiranë. Nga ana tjetër, edhe pse ia njohim talentin për batuta, në shtëpinë e tij Rama e disi më të lidhur gjuhën, pasi kështu janë zakonet tona të mikpritjes. Mbase Vuçiçi nga kjo do të përfitojë dhe do përsërisë edhe thëniet e fundit hipokrite dhe qëllimkeqe të President serb Nikoliç, se shqiptarët janë rrezik për paqen në Ballkan. Ata harrojnë gjithnjë me dashje se sa kohë dikush do të vijojë t’i shtypë shqiptarët, vërtetë ata mund ta prishin çdo lloj paqeje të rremë në Ballkan.                                  

Edhe fqinji grek, i pa ngopur si me tokat, edhe me detin, këto ditë sa për qefin e Dules dhe Janullatosit, të cilët tashmë i kemi bërë zotë shtëpie, sa për inat të Idrizit, janë plot sy e veshë te ky takim. Kanë hallet e veta deri në fyt, por gjithsesi edhe ata kanë interesat që t’i paraqesin shqiptarët si sherrakë, si problem në Ballkan , me qellim që, si gjithnjë, të përpiqen të përfitojnë nga çdo lloj dobësie e jona. Por janë Shqipëria dhe Serbia, që i kanë çelësat e paqes e prosperitetit në Ballkan. Këtë na e tregon historia jonë e përbashkët. Nëse Shqipëria dhe Serbia do të dinë të mos mbytën më në gota uji dhe liderët e tyre politikë do të kujdesën që të mos u hipë në kokë benzina ballkanike për një fjalë, ata mund të hedhin vështrimin përpara dhe të shohin se sa shumë interesa reciproke, sa shumë punë, sa shumë projekte presin veç fillimin. BE pret prej nesh që kjo të ndodhë, pasi sherre e konflikte bajate si këto tonat, ata i kanë kaluar me kohë. Kur filloi rruga e bashkëpunimit ekonomik mes shteteve europiane, sherret e luftërat u harruan së bashku dhe me kufijtë mes tyre. Tani e kemi radhën ne dhe serbët që të harrojmë luftërat, të shuajmë e shmangim gjërat që na ngatërrojnë , të mos mbytemi në pika apo gota ujë, pasi kemi detin përpara , nëse duam t’u hapim njerëzve dhe shteteve tona rrugën e bashkëpunimit ekonomik reciprok drejt BE-së.

 

SHKARKO APP