Policët e armatosur të Tiranës dhe terrorizmi!

 

 

Nga Ilva Tare.

Se çfarë janë në gjendje të bëjnë mendjet e sëmura të programuara nga lavazhi mendor dhe shpirtëror për të mbjellë vdekje, e kemi parë në 11 shtatorin e Amerikës, 13 nëntorin e Parisit, 12 nëntorin e Bejrutit dhe pothuajse përditë në vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës. Pavarësisht se përmasa e përcjelljes së lajmit për aktet terroriste është e ndryshme për viktimat e shkaktuara, në varësi të rëndësisë politike dhe gjeografike që ka vendi ku kryhen këto sulme.

Është i kuptueshëm qortimi për mungesën e sensibilizimit në nivel botëror për të vrarët e Malit apo Somalisë me ato të Parisit, por duhet pranuar se jo të gjithë qytetarët e globit kanë të njëjtin status dhe të njëjtin trajtim. Diferencimi që deri më sot është konsideruar si vlerë kulturale, i ka ndarë shoqëritë në disa nivele dhe ato të vendeve të zhvilluara janë renditur në vendet e para. Ndaj sulmi në Bataclan nuk ishte thjesht një goditje ndaj disa individëve që pëlqejnë muzikën metal, por ishte terror ndaj perëndimorëve, në zemër të Perëndimit.  

Terroristët, e njohin mirë gjuhën e simbolit dhe përdorimin e frikës për të përmbushur axhendën e tyre. Mënyrat e mbrojtjes ndaj agresionit të terrorit, në mbarë botën kanë rezultuar të paefektshme dhe në mjaft raste të dështuara. Sidoqoftë qasja ndaj krimit që është i programuar të ndodhë për të shkaktuar viktima në masë, në rrethana dhe kohë të papritur, është një sfidë e vazhdueshme me të cilën vendet e Perëndimit po përballen me një bilanc jo shumë krenar për ta.

Në gjithë këtë histori, ku edhe më të fuqishmit ndjehen të pafuqishëm, shqiptarët gjenden në një pozicion të vështirë dhe të komplikuar. Të vështirë, sepse janë të paktën 140 shqiptarë të raportuar si pjesë e luftëtarëve të shtetit islamik dhe të komplikuar për shkak të statusit të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s me institucione të brishta të sigurisë dhe mbrojtjes. Disa qytetarë të revoltuar kritikonin median shqiptare në rrjetet sociale të nesërmen e pas sulmeve të Parisit për përcjelljen e lajmit të policisë së shtetit për rritjen e masave dhe të vigjilencës. Siç ndodh rëndom fajësonin gazetarët që po përhapnin panik të panevojshëm dhe të dëmshëm.

Pak orë më vonë në rrugët e Tiranës u shfaqën policë të pajisur me armatime të rënda dhe makina të blinduara. Policia e Shtetit u mjaftua me ndalimin dhe lirimin e dy të rinjve që u mendua se kishin dërguar email-in kërcënues ministrit të Brendshëm dhe përsëriti se nuk ka ndonjë informacion për ndonjë rrezik të mundshëm. Burime jo zyrtare thonë të kundërtën. Takime të krerëve të shtetit me drejtuesit e Shërbimit Informativ dhe të rendit janë zhvilluar në mënyrë intensive pas informacioneve të vendeve partnere për hyrjen në Shqipëri të elementëve të rrezikshëm.

Mbajtja në gjumë e opinionit publik, me idenë e mos përhapjes së panikut është një ide e gabuar dhe duhet sfiduar. Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të kenë liderë si ata perëndimorë që u’a bëjnë publik rrezikun dhe i paralajmërojnë për vigjilencë dhe gatishmëri për të parë me dyshim cilindo ka sjellje të diskutueshme. Terrorizmi nuk është një fenomen që mund ta luftojnë institucionet përgjegjëse. Aq më pak ato shqiptare, që përfaqësohen nga efektivë që druhesh t’u kalosh afër nga frika se mos gjendesh në qendër të ndonjë veprimi të pakujdesshëm.

Terrorizmi, është një e keqe që kërkon mobilizimm të gjithanshëm. Duhet bashkëveprim dhe bashkërendim i të gjithë shoqërisë, politikës, komuniteteve fetare, medias, intelektualëve. Nëse ka vend për alarm, të gjithë duhet të jenë të alarmuar dhe me shqisa të vëmendshme për të sinjalizuar gjithcka të dyshimtë. Vetëm kështu mund të ketë shpresë për të parandaluar të keqen e padukshme, që godet atëherë kur nuk e pret, nga ata që s’ta merr mendja.

SHKARKO APP