Policia më mirë vjet se sivjet!
Nga Lutfi Dervishi-
Policia përballoi më mirë protestat (edhe të dhunshme) me mijera veta në bulevard vitin e kaluar sesa protestën e 17 majit ku në shesh ishin vetëm dhjetëra protestues.
Janë së paku 7 arsye pse policia është në shënjestër.
1. Operacioni për shembjen e godinës së Teatrit u bë në orën 4:30 të mëngjesit. Me ligj edhe kur bëhet fjalë për të arrestuar persona shumë të kërkuar dhe shumë të rrezikshëm orari është 6:00-21:00!
2. RENEA dhe “Shqipona” çfarë kërkonin te Teatri? RENEA- është shkurtim për Reparti Neutralizimit të Elementëve të Armatosur.
3. Vajtja me armë për të shembur godinën e Teatrit?!!!
4. Numrat e identifikimit. (ka edhe tender për numrat e indentifikimit) dhe është shkelje e ligjit që polici të shfaqet pa numër identifikimi,.
5. Policia sup më sup. Këtu nuk është fjala vetëm për rrezikun e pandemisë, për distancimin social, por çfarë kuptimi ka që policia e shtetit të jetë sup më sup me policinë bashkiake?! E para përgjigjet (teorikisht) te drejtori i përgjithshëm i policisë e dyta te kryetari bashkisë. Pra një polici shteti dhe një polici “politike’.
6. Në shesh ishin disa uniforma policie: ku spikasnin “çunat me ngjyrë të kuqe”. Më të paaftët dhe krejt të papërgatitur për t’u përballur me protestues. “Shqiponjat” që mund të bëjnë mirë punën për të kapur një individ, apo për trajtuar një incident në rrugë- treguan se jo vetëm janë totalisht të paaftë për të përballuar protestën, por janë dhe të rrezikshëm! Këto në mos gaboj u përgatitën me kurse disa mujore…!
7. Protestat vjet i ka përballuar policia rendit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Gjendja e izolimit prej 10 javësh ka ndikuar te gjithësecili. Më 17 Maj u pa se më të prekurit ishin policët, që paguhen edhe për të qenë më të duruarit.