Policia që rri dhe vështron të vdekurit

Denis Kaiumov kishte ardhur me pushime në Shqipëri. Po ai ka humbur jetën sot në plazhin e Livadhës në himarë pasi një jet ski i ka shkaktuar plagë aq të rënda të cilave ai nuk u mbijetoi dot në spitalin e Himarës.

Por vjekja e turistit rus që kish vendosur të kalonte pushimet në jugun e Shqipërisë së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tij ngre disa pikpyetje për bregdetin tonë që ndodhet në kaos të plotë dhe jashtë kontrollit.

A i kontrollon dhe i matrikulon njeri motorët e ujit.

A ka vende të posatshme që ato të dalin nga bregu?

Deri në çafërsi ato mund të afrohen me shpejtësi?

Po të shkosh në Italinë fqinje dhe si një pushues i thjeshtë me para në dorë të kërkosh një Jet Ski, pyetja që vjen pas është: A keni patentë?Prej më shumë se dhjetë vitesh në bregun tjetër të Adriatikut të kërkojnë një leje drejtimi për mjetet ujore, për të shmangur aksidentet.

Në bregun francez masat janë edhe më të rrepta. Patenta jo vetëm duhet patjetër (në mungesë të saj do paguash më shumë që dikush me patent të të shoqërojë) por ka dhe rregulla strikte. Kështu 300 metra nga bregu shpejtësia nuk mund të jetë më e madhe sesa 9 km në orë. Daljet në det dhe zonat e ushtrimit të këtij sporti janë të përcaktuar qartë.

Dhe kjo nuk bëhet vetëm për të shpëtuar jetë, por edhe për të respektuar pushuesit që bezdisen nga aroka e karburantit, nga dallgët e të fortëve dhe nga ndotja akustike.

Kurse në Shqipëri asgjë e tillë nuk ekziston.

Ti mund të marrësh një jet ski pa patent boll të paguash paratë. Mund të lodrosh nga Palasa në Ksamil dhe të “shesësh pordhë” afër bregut në afërsi të notarëve dhe fëmijëve të vegjël. Askush nuk do tia dijë. Një javë më parë drejtuesit adoleshentë të Jet skive në Dhërmi, lodronin me një shpejtësi të çmendur para gomoses së policisë dhe askush nuk i ngacmonte.

Sepse në këtë vend masat gjobat dhe burgu janë për të këputurit që nuk kanë para të paguajnë dritat apo që dalin në rrugë për të shitur qepë.

Për të fortët dhe fëmijët e kastës shteti nuk funksionon.

Qeveria shqiptare mblidhet me urgjencë, për të kaluar leje ndërtimi dhe fshatra turistikë në bregdet, por ajo nuk gjen kohë të rregullojë ligjërisht mbrojtjen e jetës së njerzve nga çmenduria e mjeteve lundruese. Prandaj ka të bezdisur dhe të plagosur. E së fundi edhe të vdekur. (Lapsi.al)

 

SHKARKO APP