Politika e pragmatizmit dhe neutralitetit e Aleksandër Vuçiç

Nga Marjana Doda

I konsideruar si “Tito i ri”, Aleksandër Vuçiç , Kryeministër aktual dhe njëkohësisht Kryetar i Partisë Progresive serbe (SNS), fitoi bindshëm zgjedhjet Presidenciale të 2 prillit në Serbi. Politikani 47 -vjeçar, me një karrierë të admiruar në “dallgëzimin” politik të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, bëri që ai të krijonte profilin e një politikani të admiruar për popullin e tij. I diplomuar për drejtësi në Beograd, ish-anëtar i partisë radikale të Sheshel, ish-ministër i Informacionit të Sllobodan Millosheviç (1998-2000), ish- ministër Mbrojtjeje (2012-2013), zv.kryeministër më 2014, Kryeministër, i krijuan atij pjekurinë e plotë politike për të vlerësuar të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit të tij.

Ashtu si dikur,  udhëheqësi komunist Josif Broz Tito tregoi aftësi për të udhëhequr Federatën Jugosllave nën ethet e Luftës Ftohtë që kishte përfshirë Lindjen dhe Perëndimin, ashtu dhe sot Vuçiç ka sukses si timonier i vendit të tij, ndërsa politika botërore sërish ka luhatje tepër të ndjeshme. Ai nuk e fsheh vlerësimin për Titon duke thënë se: “Ai ishte një diktator komunist, por një njeri shumë i zgjuar. Ai dinte si t’i lidhte njerëzit me vete, kjo është një gjë që kemi nevojë”. Po a ka paralele mes politikës dikurshme “Titiste” dhe asaj aktuale të Vuçiç? Ndoshta dhe po. Tito ndoqi politikën e një socializmi alternativ si dhe angazhimin për zbulimin e Botës së Tretë tek popuj që kishin vuajtur nga kolonializmi duke shkuar në vende të Azisë, Afrikës dhe në botën arabe, gjë të cilën nuk e kishte realizuar asnjë politikan europian. Ai diti që në të mirë të vendit të tij të ndiqte politikën e dyerve të hapura, duke bërë që periudha e tij të njihet si koha më e artë e ish -Jugosllavisë, ku në vitet ’70-të, dhe pse vendi ishte mbytur në borxhe, njerëzit kishin para, ndërtonin shtëpi, arsimoheshin, kishin një lëvizje të lirë si në asnjë vend tjetër lindor. Dhe Vuçiç në platformën e tij politike premton për rritje ekonomike deri në masën 4-5% në çdo vit për të krijuar një treg sa më të gjerë për vendin e tij. Gjatë qeverisjes së tij, ashtu dhe në fushatën për President, tregoi se ishte i aftë për politikë alternative në takime e projekte zhvillimi me lider e vende të zhvilluara që do t’i shërbejnë politikave të zhvillimit të vendit. Aspirimi për në BE dhe tregun e tij, si dhe takimi gjatë fushatës me Kancelaren gjermane Merkel, bëri nga njëra anë që të rrisë besimin e zhvillimit tek populli i tij dhe se ka mbështetjen e Perëndimit, ndërsa nga ana tjetër, vizita në Rusi dhe takimi me Putin, sërish rriti ndjenjën sllave, dhe sidomos të radikalëve prorusë. Me të mbërritur në Moskë do deklaronte: “Serbia synon që me Federatën Ruse të përshpejtojë marrëdhëniet ekonomike dhe të rrisë nivelin e tregtisë”. Aleksandër Vuçiç, ndërsa ekonomikisht ndërton ura në Perëndim, ushtarakisht i ndërton ato në Rusi, duke blerë armë e avionë, pse jo dhe në projekte të rëndësishme strategjike në fusha të ndryshme ekonomike . Lidhur me këtë politikë të hapur të tij, pas fitores për President do të deklaronte se:”Votuesit kanë treguar se shumica e qytetarëve serbë janë për të vazhduar procesin e reformave dhe rrugën europiane të Serbisë, së bashku me ruajtjen e miqësisë tradicionale që kemi me Rusinë dhe Kinën”.

Ndonëse ish -udhëheqësi komunist Tito ishte kundër Stalinit, sepse sovjetikët kërkonin porte në Adriatik, ai kërkonte një model të ri shtetëror dhe jo si republikat Sovjetike, duke mos u bërë as pjesë e Paktit të Varshavës, e gjitha kjo në kuadrin e ruajtjes sovranitetit të vendit të tij. Por udhëheqësi aktual i Serbisë, Vuçiç, si rezultat i shpërbërjes së Jugosllavisë, po e sheh Rusinë, si aleat përkundrejt qëndrimit të NATO-s ndaj vendit të tij duke deklaruar se, “nuk do të anëtarësohet në Aleancën e Atlantikut Veriut që vrau fëmijë serbë”( pa harruar çfarë kishin bërë më parë policia dhe ushtria serbe në Bosnjë e Kosovë). Më këtë qëndrim të tij krijohet një frymë skepticizmi , ndaj figurës se Vuçiç si “ekuilibrues” ndërmjet lindjes dhe Perëndimit.

Në marrëdhënie me Kinën, Serbia, përveçse i është mirënjohëse për mosnjohjen e Kosovës, sheh perspektivë zhvillimi pasi financimet kineze kapin një shifër prej 1.5 miliardë dollarë vetëm në infrastrukturën energjetike dhe komunikacion, gjë, e cila bëri që Vuçiç të deklaronte me krenari se:”Jemi shtet udhëheqës në këtë pjesë të Europës në realizimin e projekteve infrastrukturore me Kinën”. Veç kësaj Kina premton miliarda të tjera investime duke i paraprirë në hapjen e një dege të bankës kineze në Beograd, më 21 janar 2017 në Beograd. Vuçiç ka shprehur bindjen për themele të forta dhe në marrëdhëniet e Serbisë me SHBA-të, gjë të cilën ai shprehu në një takim në muajin shkurt me Drejtorin e Departamentit të Shtetit Amerikan për Europën Jugoro-Qendrore, Matheë Palmer. Kjo prespektivë zhvillimi pritet të ndodhë dhe në sajë të konsideratës së Donald Trump të shfaqur para disa muajve se, “ndihet i mrekulluar për popullaritetin që ka në Serbi” si dhe ka shfaqur dëshirën të takojë vetë Aleksandër Vuçiç. Veçse për Vuçiç dhe Serbinë janë të rëndësishme marrëdhëniet me vende të fuqishme dhe influencë gjeopolitike, për të janë tejet të rëndësishëm marrëdhëniet në Rajonin e Ballkanit, ku gjithmonë është përpjekur të mbajë pozitën e një vendi lider, me influencë sidomos në Ballkanin Perëndimor, si në Mal të Zi, Maqedoni, por dhe në Kosovë e Shqipëri.

Faktori shqiptar dhe sidomos Kosova ka qenë gjithmonë i rëndësishëm për ish- Jugosllavinë, aq sa dhe dikur Tito ishte i mendimit se Kosova duhej të bëhej Republikë, por që sipas tij”kjo nuk ishte e mundur sepse serbët nuk do ta kishin duruar”, gjë të cilën do ta konfirmonte dhe vetë lideri komunist shqiptar Enver Hoxha në vizitën e tij në Beograd më 1946, kur deklaroi se: “Tito tha që tani nuk ta jap Kosovën”. Dhe Vuçiç së fundmi në fushatën e tij i’u përsëriti serbëve se nuk do ta njohë kurrë Kosovën dhe pse është për dialog dhe projekte të zhvillimit ekonomik. Në intervistën për austriaken “Der Standart” më 26.03.2017 për dialogun Prishtinë-Beograd ai fajëson kryesisht shqiptarët dhe parlamentin që vendosi bllokimin e këtij dialogu. Vuçiç do deklaronte se:” Unë paralajmëroj se jemi të gatshëm të përfundojmë autostradën Prishtinë-Nish, që do ngre bashkëpunimin dhe lehtësojë qarkullimin e kapitalit, mallrave dhe banorëve dhe se këtë e kishte bërë më parë dhe Tito”.

Lideri serb dhe pse nuk e njeh shtetin e Kosovës, në të mirë të pakicës serbe atje, por dhe të zhvillimit ekonomik mes dy vendeve, tregon qetësi e maturi, përpos acarimeve nacionaliste e grindjeve të brendshme që ju ndodh liderëve në Kosovë. Lidhur me konfliktin në udhëtimin e trenit serb për në Kosovë, pa përmendur mbishkrimet serbe “Kosova është Serbi”, ai përsëri do fajësonte shqiptarët, ndërsa kujton se kompani kosovare kanë rreth 50 autobusë që udhëtojnë rregullisht për në Serbi. Ai do deklaronte se:”Serbia kërkon paqe…dhe u kërkoj shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të qëndrojnë në shtëpitë e tyre”.

Vuçiç, përpos qëndrimit të njohur të Shqipërisë për Kosovën, ai shfaq frymë dialogu e bashkëpunimi për zhvillimin ekonomik mes dy vendeve. Ashtu si dikur, më 9 korrik 1946, ku u krijua Traktati i Miqësisë dhe Ndihmës Reciproke mes Shqipërisë e Jugosllavisë, ashtu duket sikur dhe sot lideri serb në takimet me Kryeministrin Rama po hapin siparin e zhvillimeve të reja. Vuçiç nuk e fsheh ambicien e Jugosllavisë së Re nën vazhdën e politikës së vjetër. Në një intervistë për portalin amerikan “Politico” ai bashkëpunimin mes fqinjëve e sheh sikurse Tito që kishte pasur sukses, përtej tensioneve. Pyetjes nëse dëshiron të krijojë Jugosllavinë e Re, i është përgjigjur: “Bëhet fjalë për Jugosllavinë e Vjetër plus Shqipërinë. Kjo është ideja politike, por pa rrezikuar sovranitetin e tyre. Kjo do të forcojë ekonomitë tona”.

Takimet e dy kryeministrave Rama-Vuçiç, kanë synuar në perspektivë për një zhvillim ekonomik rajonal, ku prioritet i është dhënë dhe ndërtimit të autostradës Nish-Prishtinë-Tiranë-Durrës, si dhe krijimi i një bashkëpunimi ekonomik dhe doganor ballkanik, që gjithsesi i shërben më së shumti dhe tregut serb për dalje në Adriatik. Të dy kryeministrat po duan të promovojnë të ashtuquajturin “Tregu i Përbashkët Ballkanik”, por nga disa analistë kjo po konsiderohet ashtu si dikur dëshironte Tito që ta bënte Shqipërinë Republikë të Shtatë të Jugosllavisë, ashtu dhe aktualisht Vuçiç në Jugosllavinë e Re po krijon këtë treg si një republikë të re ekonomike për Serbinë. Nga analistë të ndryshëm dialogu Rama-Vuçiç po shihet në dyshim se nuk po përfillen sa dhe si duhet institucionet e shtetit të Kosovës, dhe pse në tërësinë e saj kjo konsiderohet në të mirë të zhvillimit rajonal. Megjithatë kjo ide e Aleksandër Vuçiç për rikthimin “ish-Jugosllavisë plus Shqipërinë”, tashmë jo përmes ushtrisë, por përmes ekspansionit ekonomik në rajon, ka provokuar një përplasje diplomatike në Tiranë, mes shefave të diplomacisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Takimet e Edi Ramës me Aleksandër Vuçiç në Beograd, nuk u panë asnjëherë me dashamirësi në Kosovë, interesi i së cilës duket të jetë anashkaluar, me propozimet që janë bërë në samitet e përbashkëta me BE. Deklarata e fortë e Presidentit të sapozgjedhur serb, ka sjellë në Tiranë, ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhajn. Ky i fundit e ka bërë të qartë se Kosova nuk është e interesuar për treg. Nga ana tjetër duke folur për të mirat e tregut të lirë në rajon, Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati pranoi se ideja fillestare ka qenë e Edi Ramës. “Kryeministri shqiptar ka qenë nismëtar i një plan-veprimi për një treg të përbashkët në rajon, të propozuar në Samitin e Parisit,- tha Bushati. Por nisma e Edi Ramës duket se nuk iu intereson autoriteteve në Kosovë. Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës e quajti “të parakohshëm” tregun e përbashkët në rajon. Kosova ende vuan një regjim vizash, me të cilin tregu i lirë është pa kuptim, ndërsa Serbia dhe vasalja e saj, Bosnja Hercegovina nuk i njohin pikat doganore të Kosovës. Gjithashtu, iniciativat serbe në Rajonin e Ballkanit përkojnë me politikën e neutralitetit, të cilën dikur e ka promovuar dhe Tito, por dyshimet janë shtuar pasi duket ky projekt serb po krijon një zonë gri mes Lindjes dhe Perëndimit. Projekti i Tregut Ballkanik nuk është mirëpritur dhe nga liderë të BE, përderisa Shqipëria, por dhe vetë Serbia po aspirojnë të jenë pjesë e familjes evropiane dhe tregut të saj.

Projekte të tilla, ku synojnë bashkëpunim rajonal, sidomos kur kemi parasysh historinë e afërt me tensione e konflikteve ndëretnike duket si një zgjidhje për Ballkanin Perëndimor. Por është me rëndësi që një iniciativë e tillë , të përkrahet dhe nga vetë rajoni, por duke parë interesin e vetë shteteve të përfshira. Në të kundërt, luajaliteti i Vuçiç do të tregojë se rruga pragmatizmit dhe neutralitetit politik janë vetëm në të mirë të serbëve dhe kombit të tij, por asesi për gjithë rajonin. Alternimi i trashëgimisë dhe eksperiencave të reja politike, në një kontekst tjetër kohor, po tregojnë për suksesin e tij politik , e megjithatë, ky sukses nuk i duhet servirur në një “pjatë të argjendtë” presidentit të ri serb në dëm të interesave të rajonit.

SHKARKO APP