Politika e sëmurë dhe shpresa tek doktorët
Nga Mentor Kikia –
Pashë shumë fyerje e sharje ndaj doktoreshës së njohur Najada Çomo, pse ajo vendosi të heqë bluzën e bardhë dhe ti drejtohet fushë-betejës së politikës. Nuk është e para, e nuk do të jetë as e fundit, as majtas e as djathtas.
Pa asnjë dyshim, sot ne kemi humbur një mjeke që i duhet aq shumë sistemit të shëndetësisë, dhe kemi fituar një politikane që s’ka ç’i bën hiç sistemit politik. Por është e drejtë e saj të zgjedhë çfarë do të bëjë me karriereën e saj.
Zoti Rama tha se doktoreshë Najada do të vijë që të mos bëhet një nga deputetët e radhës, por të ndikojë që të tjerët të bëhen si ajo. Nëse edhe vetë doktoresha mendon kështu, atëherë mendoj se duhet ta sigurojmë se e ka të humbur betejën.
Nuk është herë e parë që politika u hap derën njerëzve që nuk kanë qenë pjesë aktive e saj. 8 vjet më parë PS mori borxh shumë njerëz nga shoqëria civile. Më herët PD kishte bërë të njëjtën gjë me KOP-in. U shtua numri i grave, duke thënë se ato do ta zbusin politikën, do ta bëjmë ne qytetare, më civile etj etj.
Por asgjë nuk ndodhi.
Këta njerëz që u “importuan” vetëm për qëllime elektorale, ose u bënë më keq se ata që gjetën në parlament, ose nuk mund të bëjnë asgjë, pasi askush nuk i dëgjoi.
Ndaj unë sot nuk u bashkohen atyre që e shigjetojnë doktoreshën pse dëshiron ti futet politikës, por jam i bindur se doktoresha, edhe nëse e ka për mision, nuk do të mund të shërojë asnjë plagë nga trupi i kësaj politike.