Politika Serbe e kryqëzuar midis Kishës dhe Akademisë
Nga Prof. Lisen Bashkurti-
Në dukje të parë po krijohet përshtypja se diplomacia Perëndimore, ShBA dhe BE po lëvizin drejt trajektores Serbi-Kosovë, për të shkuar drejt një marrëveshje të shumë-pritur, por, në të vërtetë larg për tu arritur. Edhe Kosova po lëviz në mënyrën e saj, ndonëse jo krejt e qartë dhe jo në mënyrë kohezive. Krahu më i ngurtë, që nuk po lëvizë fare nga pozicioni i saj është Serbia, e mbështetur në mënyrën e vet nga Rusia. Pra kemi qartazi të bëjmë me një dinamikë diplomatike asimetrike: Perëndimi po nxiton dhe Kosova po lëviz, ndërsa Rusia po frenon dhe Serbia po bllokon.
Një situatë e tillë diplomatike asimetrike, ku njëri krah lëviz me nxitim ndërsa krahu tjetër bllokon me qëllim, është shkaktuar më së shumti nga fakti se në aksionin diplomatik Perëndimor aktual në Ballkan janë përfshirë liderë politik dhe aktorë diplomatik që e njohin pak ose aspak politikën dhe diplomacinë Serbe dhe prapavijën e saj Ruse dhe për këtë arsye mund të bien lehtësisht në kurthin e tyre.
Në thelb Serbia është viktimë e vetvetes. Dhe si e tillë është e gatshme të viktimizojë edhe vëndet e popujt përrreth saj. Do të ishte iluzion mjeran, nga politika dhe diplomacia Perëndimore, të mendohej se Serbia është në duart e Vucicit, sado i fuqishëm që të jetë ai politikisht. Për të kuptuar këtë situatë është e domosdoshme të depërtohet në aktorët dhe procedurat e vërteta të politikë bërjes dhe vendim-marrjes në Serbi.
1. Kisha Serbe, pronare e politikës dhe diplomacisë së saj
Kleri Serb ka pronësi të fortë mbi historinë politike të Serbisë. Historia e Serbisë është në thelb historia e kishës ortodokse të saj. Historia e përgjithshme, por edhe historia kishtare pravosllave serbe pohon se kleri ortodoks serb dhe institucionet e tyre kanë qenë dhe kanë mbetur aktive gjatë tërë kohës. Madje, roli i klerikëve dhe monakëve theksohet me ditirambe të veçanta pasi monakët dhe klerikët kontribuan “jo vetëm me kryq në dorë dhe me qaforet rreth qafes, por edhe me shpatë, pistoletë në brezë dhe pushkë në krahë”. Shumë prej tyre shkuan në luftë jo si kryqtarë popullorë, por si ushtarë të thjeshtë. Në shekullin 19-të, ky aktivitet është shfaqur gjatë kryengritjes së përgjithshme kundër Turqisë. Kryengritjet në Shumadi 1804, në Zhicko Polje në 1806, në Lopas në 1806, në Dragashevë në 1807, klerikët ortodoksë Serbë në mobilizimin e njerëzve, por edhe me shembull ushtarak personal.
Kleri Serb ka pronësi të fortë edhe në diplomacinë Serbe sepse klerikët serbë kanë qënë dhe mbeten aktiv edhe në diplomaci. Prota Matija është organizatori kryesor i serbëve përtej Kollubarës në vitin 1803 kundër Turqisë. Proto Matija ishte në Petrograd te Cari rus Aleksandër, në Greqi dhe në vende të tjera me misione kishtare e diplomatike. Aktiviteti kishtar Serb brënda dhe jashtë, nuk pushoi deri në ditët tona. Në këtë veprimtari Kisha Serbe ruan dhe përcon frymën shoviniste të politikës dhe diplomacisë Serbe.
Kleri Serb ka krijuar simbiozën e pashqitshme fe-politikë. Në jetën fetare dhe politike Serbe organet më të rëndësishme janë sinodet ose kuvendet e etërve të shënjtë. Sinodet janë të përgjithshme dhe ndërkombëtare, por janë edhe specifike dhe lokale. Të njohur si kuvendet vaseljane, këto institucione kanë qënë dhe mbetën më të rëndësishmit në jetën shpirtërore të Serbisë dhe me ndikim absolut mbi politikën dhe shtetin e saj.
Kleri Serb ka mitifikuar historinë e Ballkanit, të Serbisë dhe të Kosovës. Sipas saj, martiri i Serbëve, Princ Llazari ka luftuar për një popull qiellor dhe në një tokë qiellore, që është Kosova, Jeruzalemi i ri i Zotit. Këtyre dogmave fetare historia Serbe i ka bërë jehonë me tezat fikse. Shkenca Serbe, sidomos historia, gjeografia nuk kanë dalë asnjëherë jashtë kuadrit të dogmave të përcaktuara nga Kisha Serbe. Dogmat e Kishës Serbe kanë qënë themeli mbi të cilën janë ngritur historia dhe gjeografia e Serbisë, e sic dihet, historia dhe geografia të manipuluara Serbe janë prindërit e politikës së saj.
Burimet kryesore të doktrinës fetare-politike serbo-sllave janë edhe kronikat e murgjëve serbë, që shprehin në vetëdijen tribale, popullin serb deri në ditët e sotme. Kjo ideologji, në vend të kombit e thekson popullin, në kuptim të “popullit qiellor”, madhësia e të cilit nuk është raca, por “dhurata e Zotit”. Sipas klerit Serb kjo hyjni nuk dihet përse u është privuar popujve të tjerë, por i është dhënë vetëm serbëve në Kosovë. Në këtë mënyrë, shkenca dhe teoritë shkencore ia lëshojnë vendin mitologjisë dhe religjionit, që ky të transformohet në doktrinë fetaro-politike Serbe për ta konfirmuar këtë lajthitje.
Konceptet politike, religjioze, ushtarake ekstreme dhe perverse serbe-ortodokse, kanë ndikuar që edhe njerëzit më përgjegjës të ortodoksizmit, të politikës dhe të shkencës të bien në kurthet vicioze, mistike dhe obskurantiste. Vetëdija e tillë dogmatike dhe perverse ka krijuar dhe krijon psikopati politike e religjioze, të cilët gjatë historisë, humbjet i konsiderojnë si fitore, kurse ‘zotimin’ për Kosovën e bëjnë fundament për luftëra gjenocidale. Kjo vetëdije dogmatike, mistike dhe obskurante e shtynë edhe sot Kishën Ortodokse Serbe dhe kreun e saj, patrikun Pavle, peshkopin Artemije të nxisin ekstremizmin e dhunshëm, duke manipuluar masat serbe me eshtrat e princ Llazarit, i cili burimet e veta nuk i ka të shenjta, por i ka nga lëvizja hajdute e çetnike, që provohen dukshëm nga kronikat e përmendura më herët nga Epika mesjetare serbe.
Kleri Serb, për arsyet e mësipërme nuk e lëshon pronësinë mbi politikën, diplomacinë, shkencën e Serbisë. Me një autoritet absolut mbi vetëdijën popullore Serbe, Kleri Serb kontrollon me një dominim të padiskutueshëm politikë-bërjen dhe vendim-marrjen në Serbi. Rreth tij, vërtiten si kukulla, liderët dhe institucionet politike Serbe. Cdo përpjekje e politikanëve Serbe për të dalë nga ky rreth vicioz dogmatik, mistik dhe obskurant i klerit është shoqëruar më së paku me largimin nga skena politike, më shumti me eleminimin fizik të tyre.
2. Akademia Serbe, autore e doktrinave nacional-shoviniste
Lëvizja nacionaliste shtet-formuese Serbe në shekullin 19-të është paraprirë dhe bashkëshoqëruar ngushtësisht nga akademikët Serb. Ilia Garashanini, pari shtetar modern, ministër i brëndshëm dhe kryeministër i Serbisë, përgatiti elaboratin e tij në vitin 1844 me emrin ‘Načertanije’ . Ky dokument udhëhoqi politikën Serbe drejt aspiratës për ‘Setrbinë e Madhe’. Dokumenti mbeti sekret deri në vitin 1906, duke ndikuar vetëm në qarqe politike, por jo popullore, së paku gjatë shekullit 19-të.
Të pakënaqur nga mos realizimi i platformës së Garashaninit, akademikët Serbë të shekullit 20-të, me në krye Vasa Cubrilovic avancuan më tej në programin e tyre politik. Dr. Vaso Čubrilović ka qenë këshilltar i regjimit monarkist, pastaj ministër, akademik, drejtor i Institutit të Ballkanologjisë dhe anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë pas Luftës së Dytë Botërore. Ky akademik Serb botoi memorandumin e tij “Dëbimi i shqiptarëve” që iu paraqit qeverisë mbretërore të Stojadonoviç-it më 7 mars 1937, dhe ka shërbyer si platforma kryesore për spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Memorandimi i Cubrilovicit mbetet valid edhe sot për politikën Serbe. Nuk ka asnjë dokument, asnjë rezolutë, apo edhe deklaratë qoftë edhe individuale nga akademikët Serb deri më sot ta kenë kontestuar memorandimin e Cubrilovicit. Është rast unik në botë në historinë e akademizmit që një akademik të ketë hartuar një platformë që arsyeton dhunën, genocidin dhe pastrimin etnik të një populli dhe, cfarë është edhe më e rëndë, që nuk kontestohet as edhe nga një zë i vetëm akademik.
Në frymën e Cubrilovicit mendon, sillet e vepron edhe sot Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Kështu, historiani dhe akademiku serb, Vasilije Krestiq ka thënë pak kohë më parë se “Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë për çfarëdo çmimi, nuk do të heq dorë nga Kosova”. “Në pikëvështrimin tim , thotë ai, Akademia do të qëndrojë në pikën ku nuk do t’i çoj duart nga Kosova dhe Metohija, për asnjë çmim”. “Kjo është pse nuk ka një njohje formale të shtetit të vetëshpallur nga shqiptarët në Kosovë”, ka thënë ai.
Si politika zyrtare e Serbisë, ashtu edhe ajo e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (ASHAS) i kanë vënë vetes qëllim “mbrojtjen e interesave të popullit serb në rajon, i cili ishte dhe është imperativ politik, historik dhe moral”, shprehen Ivica Daçiq e Vuk Jeremiq, të cilët shpesh herë do deklaronin se “Është normale që prioritet për ne është pozitat e serbëve në rajon…” . Në këtë linjë, në mënyrë të programuar, janë shprehur edhe akademikët Dobrica Qosiq e Lubomir Tadiq, të cilët përgatitën Memorandumin 2 (2011), të ASHAS, i cili në dallim me Memorandumin i vitit 1986, është dokument konfidencial, i cili iu është dërguar anëtarëve të kabinetit qeverisës për lexim, por “pa shpërndarje të mëtejshme”.
Në përgjithësi pikëpamjet e akademikëve aktualë Serb për Kosovën, të publikuara deri më tash në mediat serbe, nuk dallojnë nga ato që ishin shprehur në Memorandumin e kësaj akademie në fund të viteve ’80, të cilat i kanë nxitur aspiratat ekspansioniste të Serbisë dhe kanë çuar në luftëra të përgjakshme midis Serbisë dhe njësive tjera të federatës së Ish-Jugosllavisë, e posaqërisht në Kosovë.
Kohët e fundit, në Akademinë Serbe të Shkencave dhe Arteve ka edhe anëtarë që kanë pikëpamje më të avancuara lidhur me çështjen e Kosovës. Njëri ndër ta është edhe kryetari i kësaj akademie, Vladimir Kostiq, i cili vlerëson se Serbia e ka humbur Kosovën dhe lidershipi politik dhe opinioni serb duhet ta kuptojë këtë. Për shkak të këtyre pikëpamjeve, Kostiq ka qenë në shënjestër të sulmeve brenda dhe jashtë akademisë, sidomos të udhëheqjes shtetërore të Serbisë.
Latinka Peroviq, akademike Serbe ka ngritur zërin kritik për instrumentalizimin politik të akademikëëve në Serbi. “Në vënd se politikanët të mësojnë nga njerëzit e dijes, thotë ajo për politikanët Serbë, ata i thërrasin për dëgjueshmëri”. Ndër zërat të pavarur dhe të përgjegjshëm ka qënë edhe akademik Vladimir Kostiq, që ka ngritur zërin për domosdoshmërinë që akademikët të mbesin jashtë politikës , me qëllim që të mund të jenë politkisht të paanshëm. Por, këto zëra të vetmuar dhe të izoluar në mjediset akademike Serbe, nuk e thyejnë dot mjedisin e fuqishëm dhe të indoktrinuar nacional-shovinist të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë.
3. Diplomacia Perëndimore pa ndikim mbi Kishën dhe Akademinë Serbe
Një nga arsyet që procesi diplomatik Perëndimor me Serbinë po vërtitet në një rreth të mbyllur pa rrugëdalje, është pikërisht për faktin që diplomacia Perëndimore është fokusuar tek lidershipi politik e diplomatik Serb, ndërkohë që ky i fundit është i kryqëzuar midis Kishës dhe Akademisë Serbe. Perëndimi dhe diplomacia e tij nuk depërton dot fare në Kishën Serbe, ndërkohë që ka fare pak ndikim mbi indivië të vecantë të Akademisë Serbe.
Në Perëndim, shteti, politika dhe diplomacia janë të ndara prej shekujsh nga feja, doktrina e institucionet e saj. Ky reformacion i Perëndimit e bën të pamundur që politika dhe diplomacia e tij të mund të depërtojnë e aq më pak të ndikojnë mbi Kishën Serbe. Ndërkohë, Kisha Serbe, vijon edhe fare hapur të ndërhyjë mbi politikat jo vetëm në Serbi ku bën ligjin, por edhe në Maqedoninë e Veriut, edhe në Mal të Zi, edhe në Kosovë.
I vetmi mekanziëm që do të mund ta vinte disi në lëvizje Kishën Serbe është Rusia, si shteti ashtu edhe Kisha Ruse. Mirëpo Rusia Kishën dhe rolin e saj në gjeopolitikë e ka gjë të shënjtë. I betuar përpara kushtetutës si dhe biblës dhe patriarkut të Kishës Ruse, Presidenti Putin e ka kishën ‘as’ nën mëngë, për situata kur politika e diplomacia e tij nuk do të mund të funksionin sic duhej.
Kisha Ruse është më e përulur ndaj Kremlinit, kjo edhe për faktin se sistemi Stalinist e gjunjëzoi kishën ruse për një kohë të gjatë përballë ateizmit komunist. Ndërsa Kisha Serbe është më e fuqishme ndaj politikës Serbe, sepse askush, në asnjë sistem dhe në asnjë kohë nuk ia ka cënuar sado pak pushtetin mbi të. Ndërkohë, Kisha Ruse vijon të ruaj autoritet të lartë mbi Kishën Serbe dhe mund të ndikojë mbi të.
Pra, që Perëndimi të rrisë efikasitetin e tij politiko-diplomatik mbi Serbinë duhet të rrisë ndikimin mbi Kishën Serbe. Për ta arritur këtë, Perëndimit i duhet të sigurojë rolin ndikues të Kishës Ruse. Mirëpo kjo e fundit mund të vihet në lëvizje vetëm nga politika dhe diplomacia Ruse, pra nga Putini.
Në ditët tona po krijohet përshtypja se diplomacia Perëndimore, ShBA dhe BE po lëvizin drejt trajektores Serbi-Kosovë, për të shkuar drejt një marrëveshje të shumë-pritur, por, në të vërtetë mjaft larg për tu arritur. Edhe Kosova po lëviz në mënyrën e saj, ndonëse jo krejt e qartë dhe kohezive. Krahu më i ngurtë, që nuk po lëvizë fare nga pozicioni i saj është Serbia, e mbështetur në mënyrën e vet nga Rusia. Ndodhemi pra, në një aksion diplomatike asimetrik: Perëndimi po nxiton, Kosova po lëviz, ndërsa Rusia po frenon, Serbia po bllokon.
Politika dhe diplomacia Serbe janë të kryqëzuara midis Kishës dhe Akademisë së Shkencave. Ndërkohë, politika dhe diplomacia Perëndimore po punon vetëm me politikën dhe diplomacinë Serbe, që janë faktorët më të paaftë dhe më të pafuqishëm, së paku tani për tani, për të ndryshuar kursin zyrtar të politikës Serbe, pa dakordësimin dhe mbështetjen e Kishës dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Srbisë. Se sa kohë do vërtitet politika dhe diplomacia Perëndimore në këtë trekëndësh të mbyllur Serb…Kjo ngelet për tu parë…Natyrisht për një kohë jo shpejtë…