Politika si ushqim për pulat
“Duke hedhur një bombë tymuese, të cilën as vetë nuk e ka seriozisht sipas zakonit të ngjizjes së debatit, Doktori shkaktoi pikërisht këtë pasojë që ka kërkuar që në fillim: rritjen e tensionit në vend, humbjen e qetësisë dhe radikalizimin e mëtejshëm të situatës në vend. Duke e bërë një gjë të tillë qoftë për arsye politike, qoftë për arsye apolitike, por thjesht si një teknologji që dihet sesi funksionon dhe dihet sesi përfundon”…
Nga Lorenc Vangjeli
Nga e enjtja e shkuar e Doktorit, shoqëria shqiptare dhe vetë politika është shumë më e ndarë, më e radikalizuar dhe më e pozicionuar në dy llogore armiqësore. Këtë të enjte, me gjasë opozita nuk do të jetë e pranishme në Kuvend. Do të protestojë për dënimin e Doktorit me pezullim dhjetë ditor; i pari ndëshkim që ai ka marrë në 25 vjet edhe pse është personi më i akuzuar në vend për çdo lloj akuze të mundshme edhe politike, edhe penale, edhe morale. Do të duhen më shumë se dhjetë ditë të tjera dhe shumë më shumë energji, nga brenda Tiranës dhe jashtë saj, për ta rikthyer edhe njëherë situatën politike në vendin që kishte, fjala vjen në mes të prillit. Që është dhe mesi i pranverës. Që është dhe pjesë e numërimit mbrapsht të ditëve për miratimin e reformës në drejtësi. Por për refomën deri atëherë, pakkush do të flasë sepse pakkush do të dëgjojë për finesën e jurisprudencës sa kohë bien daullet e luftës.
Kush më shumë e kush më pak, në heshtje apo publikisht, nuk i ka shpëtuar ngasjes që t’i kujtojë Doktor Berishës origjinën e tij malësore. Lindjen, rritjen dhe fëmijërinë deri në adoleshencë në një fshat të largët në veri, ja kanë quajtur kurdoherë si diferencë me të tjerët, por dhe shkak e pasojë e shumë veprimeve të kompleksuara në vite të Doktorit. Vetë ai, duke mos e mohuar kurrë një gjë të tillë, ka sjellë në Tiranë fillimisht dhe në politikë më pas, një nga zakonet që fitohet vetëm në fëmijëri dhe vetëm nëse fëmijëria nis në fshat: trajtimin e debatit publik sipas mënyrës së ushqimit të pulave.
Ky shpend shtëpiak me tru sa një kokërr misri është në gjendje të njohë të zotin në stomakun e të cilit do të përfundojë herët a vonë, ndjek me vështrim dorën e tij të mbushur me misër dhe pastaj me vrap e kakarisje ndjek kokrrat e misrit që ai hedh në përtokë. Ngul sqepin dhe tund kokën duke ngulur sërish sqepin në misër pa kuptuar se e ushqejnë për ta përdorur si ushqim. Nëse kokrrat e misrit hidhen në drejtim tjetër, të shtyra nga shqisat apo nga instikti, pulat modeste, madje edhe gjelat krenarë, nxitojnë po aty.
Ka 25 vjet që në politikën shqiptare ndodh kështu. Doktori mbush dorën me misër, mendjen me ide dhe batuta, i derdh nga goja në parlament a gjetkë, i hedh në Facebook dhe gjithë shoqëria shqiptare nis e çukit ato e merret me to. Politika e para. Ka 25 vjet që Doktori dikton temën e debatit politik dhe jo vetëm. E ka bërë një gjë të tillë kur ishte kryetar i partisë së parë opozitare në vend, kur ishte president, kur ishte sërish vetëm kryetar partie në opozitë, kur ishte kryeministër dhe e bën tani që është – të paktën kështu e ka të shënuar në kartvizitë – deputet pa ambicje për karrige pushteti.
Fakti që ai është në gjendje ta bëjë një gjë të tillë është meritë e tij dhe paaftësi e kundërshtarëve. Por ajo nuk është domosdo e mirë për të vetë, për kundërshtarët në veçanti dhe gjithë shoqërinë në përgjithësi. Madje, në shumicën e rasteve, ky lloj protagonizmi absolut është diçka e keqe dhe i ka shërbyer të keqes. Eshtë keq për ata që i ka pranë dhe ju kujton se nën hijen hijerëndë të manit mund të mbijë vetëm bar, është keq për ata që i ka përballë që i tërheq në betejat që i shpik vetë, i lufton vetë dhe i braktis po vetë. Eshtë keq dhe për gjithë shoqërinë, të cilës i është kushtëzuar dita e jeta nga “humori” i Doktorit. Deri tani, dy breza shqiptarësh kanë provuar që hierarkinë e problemeve, shqetësimeve dhe prioriteteve jua ka përcaktuar Doktori. Edhe kur ato kanë qenë reale, edhe kur ato kanë qenë të shpikura dhe të shpifura.
Debati i fundit i shpërthyer në vend për armët i meriton të gjitha rrethanat që të mos bëjë asnjë përjashtim nga çdo lloj debati tjetër që ka nisur Doktori. Për të kuptuar se kush fiton dhe kush humbet prej tij duhet marrë për bazë aksioma kryesore: sa kohë që ka nevojë të qeverisë e qetë, përgjithësisht një qeveri kërkon qetësi në vend dhe në opinionin publik, kurse opozita si rregull kërkon tension. Sa më pranë të jenë qeveria dhe opozita në qëndrime për çështje të caktuara, aq më mirë është për qeverisjen dhe shoqërinë. Sa më shumë radikalizim në shoqëri, aq më shumë shanse për opozitën. Duke hedhur një bombë tymuese, të cilën as vetë nuk e ka seriozisht sipas zakonit të ngjizjes së debatit, Doktori shkaktoi pikërisht këtë pasojë që ka kërkuar që në fillim: rritjen e tensionit në vend, humbjen e qetësisë dhe radikalizimin e mëtejshëm të situatës në vend. Duke e bërë një gjë të tillë qoftë për arsye politike, qoftë për arsye apolitike, por thjesht si një teknologji që dihet sesi funksionon dhe dihet sesi përfundon.
Mbas një jave apo një muaji, mbasi ta ketë “harruar” gjithkush thirrjen: armatosuni, shqiptarë…me ligj si amerikanët!, historia do të përsëritet me diçka tjetër, do të pasurohet me një debat tjetër, do të tensionohet për një arsye tjetër. E vetmja risi e këtij debati aktual është që për shkak të tij, për herë të parë në mënyrë absolute, Doktori u shpall fajtor nga një trupë “gjykatësish”, kolegë të tij parlamentarë. Por kjo është vetëm një statistikë dhe ka vlerë si statistikë që dëmton realpolitikën.
Falë edhe saj, ajo për të cilën mund të bien të gjithë dakort, është që linjat e ndarjes mes dy palëve sot janë më të theksuara se kurrë dhe se radikalizimi i opozitës është shumë më i fortë se më parë. Pushteti në Shqipëri, zakonisht është refleksiv dhe vepron sipas refleksit të parë që e sheh çdo aksion nga përballë si një arsye për reaksion. Dhe duke prodhuar kësaj here, një shenjë të keqe, madje shumë të keqe për të nesërmen e reformës në drejtësi, që kërkon bashkëpunim dhe reciprocitet. Dhe kjo është pjesa e dukshme e pasojës; tensioni i kotë dhe humbja e qetësisë së shoqërisë së shqetësuar shqiptare, është rutina e zakonshme për të cilën zakonisht nuk e vret mendjen kush. Doktori ka shumë arsye që atyre që i kujtojnë origjinën nga fshati, t’ju thotë një të vërtetë të thjeshtë: askush nuk mund të marrë një emërim zyrtar si politikan. Askush nuk mund ta marrë këtë titull me lehtësinë që merrej dikur një diplomë fallso duke paguar në një mënyrë apo një tjetër. Politika është profesion. Dhe në këtë profesion, për fatin e mirë të ndjekësve të tij, dhe për fatin e keq të kundërshtarëve të tij, Doktori ka dëshmuar epërsi gjithmonë. Sepse e trajton politikën në përgjithësi dhe debatin publik në veçanti si ushqim për pulat. Që ushqehen për të përfunduar si ushqim. (Javanews.al)