Politika si zanat

Nga Genc Pollo

Në esenë e tij të famshme “Politika si zanat” të fill pas Luftës së Parë Botërore, sociologu i famshëm Max Weber përshkruan kategoritë e politikës së (politikanit të) bindjes dhe atë (atij) të përgjegjësisë, duke i cilësuar ato kundërshtuese, por në fund të ditës edhe plotësuese. Në parim, një politikan merr vendime sipas bindjeve të veta; por kur me realizëm sheh se pasojat janë problematike, atëherë ai me përgjegjësi e moderon vendimmarrjen e tij.

Druaj nëse vërtet citati i mësipërm ka të bëjë direkt me piruetën politike të Kryeministrit Rama për “listat e hapura”, që tërhoqi vëmendjen time dhe është objekt i këtij shënimi; por më duket se mund të vlejë si sfond, ndoshta edhe si kut, kur reflektojmë për aktualitetin politik.

Swiss Digital Desktop Reklama

Para një muaji, pyetjes insistuese të gazetares veterane Valentina Madani nëse i jepni të drejtë për ndonjë gjë Edi Ramës, iu përgjigja duke devijuar nga ortodoksia retorike e opozitës: i thashë se ai ka të drejtë kur vë në dyshim efektin mrekulli e madje refuzon listat e hapura. Pikëpamja ime ka qenë se servirja aktuale e listës së hapur nga disa deputetë si ilaç çudibërës kundër të këqijave të mëdha të shoqërisë ishte hipokrite; aplikimi i keq i saj do të dëmtonte zgjedhjet; që, ashtu siç janë, zor se përballojnë dëme shtesë. Ky ka qenë pak a shumë edhe shtjellimi i Ramës e të tijve në plot raste.

Swiss Digital Mobile Reklama

Por, javën e shkuar e dëgjova të thoshte se kishte ndryshuar mendim për to, mbasi, siç paskej thënë Churchill-i, vetëm budallenjtë nuk ndryshojnë mendim (në fakt, citati daton dy shekuj më herët e është i diplomatit frëng Talleyrand) dhe se ai kishte parë në sondazhe opinioni se 90% e shqiptarëve i dëshiron listat e hapura; si pasojë PS nuk ka pse kundërshton këtë ortek të dëshirës popullore.

Vërejtja e parë që po bëhet me bujë është se, në fakt, Rama po eliminon koalicionet që aktualisht nuk i volitin. Por që atë vetë dikur e kanë favorizuar decizivisht, si p.sh. kur u rizgjodh kryebashkiak në 2007 apo kur fitoi parlamentaret në 2013. Vetë ai nuk harronte ta theksonte këtë kur falënderonte partitë aleate “tradicionale” e “strategjike”. Koalicionet janë një praktikë e hershme e zgjedhjeve pluraliste te ne dhe eliminimi i tyre për t’i ngrënë kundërshtarit 4-5 mandate me ndryshim të njëanshëm të rregullit të lojës në prag të fillimit të lojës është pa din e iman. Opozitës i lind e drejta morale e detyrimi politik për të reaguar jashtë normales. Le t’i kthehemi pak Weber-it: a shikoni kund politikanin e bindjes? Po atë të përgjegjësisë?

Unë nuk e kam parë sondazhin për listat e hapura. Megjithatë, nuk dyshoj të jetë i rremë mbasi dihet se populizmi bazohet te placebot publike e thjeshtëzimet e mëdha. Kjo çështje mbetet më gjerë për një shënim tjetër. Por, edhe pse pa e shikuar, do të vija dorën në zjarr se sondazhet e opinionit do të dëftenin se mbi 95% e shqiptarëve duan që qeveria të anulojë PPP-të problematike dhe pastaj milionat e tyre t’ia kushtojë rindërtimit pas tërmetit e ndihmës ekonomike pas epidemisë. Edi Rama, për të cilin thuhet se bën sondazhe për çdo gjë, do ta ketë vërejtur edhe këtë ortek të dëshirës popullore. Por këtu duket se i zgjuari nuk po don të ndryshojë mendim. Politikan i bindjes? Politikan i përgjegjësisë? Apo …? Një reflektim i vogël pa i prishur kujt qejfin e fundjavës…

*Ish-ministër e deputet

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?