Populizmi i Bashës dhe i Ramës me bizneset e vogla‏

 

 

Në një takim me tregtarët e vegjël të Durrësit para një muaji, Lulzim Basha deklaroi: “Biznesi i vogël do të paguajë jo më shumë se 0.5 % të xhiros. E ke xhiron 20 milionë lekë të vjetra, do të paguash 100 mijë lekë të vjetra në vit. E ke 120 milionë, se deri në 120 milionë do ta çojmë biznesin e vogël ne, 120 milionë lekë xhiro në vit, do të paguash 600 mijë lekë të vjetra në vit. Do të marrësh pullën dhe s’ka tatimor të të afrohet as ke biznesi, as tek dyqani”. Ndërsa për bizneset e mëdha (me xhiro mbi 120 milione), ai ka deklaruar më parë se do të kenë 9% tatim mbi fitimin.

Një skemë e tillë e taksimit të biznesit është pak a shumë e barazvlefshme me një tatim progresiv mbi fitimin nga 5% deri 9%.

Nga ana tjetër, Edi Rama deklaroi para disa ditëve se bizneset me xhiro deri në 50 milionë lekë të vjetra do të paguajnë 0% tatim fitimi, dhe ato me xhiro 50-80 milionë lekë të vjetra do ta kenë 5% tatim fitimin. Ndërsa për ato me mbi 80 milionë lekë xhiro, do të mbetet 15%. Pra Rama ka propozuar një tatim progresiv mbi fitimin me tri shkallë: 0%, 5% dhe 15%.

Pavarësisht nga dallimi në shkallëzimin e progresivitetit të këtyre dy skemave, ato kanë të përbashkët synimin populist për të fituar përkrahjen e tregëtarëve të vegjël, të cilët janë me dhjetra mijëra në të gjithë Shqipërinë. Por nga ana tjetër, të dyja këto skema përbëjnë një nxitje të fortë për evazionin fiskal. Dhe ja përse.

Një biznes që ka më shumë se 120 milionë lekë xhiro në vit do të mundohet të raportojë një xhiro nën këtë kufi, që të mos tatohet me përqindjen maksimale. Po ashtu, një biznes që ka më shumë se 80 milion lekë xhiro në vit do të mundohet të raportojë një xhiro nën këtë kufi, që të tatohet me një përqindje më të ulët. Dhe e njëjta gjë mund të thuhet për bizneset me xhiro më të madhe se 20 milionë.

Dhe ç’do të bëjnë bizneset për të raportuar xhiro më të vogël? Do te mundohen të furnizohen sa më pak me fatura tatimore, si dhe të shesin sa më pak me kupona fiskalë. Vetë sistemi i tatimit të shkallëzuar e nxit këtë gjë, ndërkohë që sistemi i kontrollit të dhjetra mijrave biznese të vogla nuk mund të jetë aq kapilar sa ta parandalojë atë.

Dhe kush do të përfitonte më shumë nga mosraportimi i plotë i xhiros? Pak bizneset e vogla, dhe shume ato të mëdha. Sepse sa më shumë xhiro të mos raportojne bizneset e vogla, aq më shumë tunele të vogla do të kenë në dispozicion bizneset e mëdha, për të kanalizuar lumin e tyre të mallrave që i janë anashkaluar sitës së TVSH-së.

Jo më kot përdora fjalën “lumë” për mallrat që anashkalojnë TVSH-në. Në Shqipëri, të ardhurat nga TVSH-ja janë sa 9% e vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në Malin e Zi (që nuk shquhet si një vend pa korrupsion), të ardhurat nga TVSH-ja janë 33% më të larta – sa 12% e vlerës së PBB-se. Dhe Mali i Zi zbaton një TVSH më të ulët se Shqipëria – 0% për mallrat/sherbimet qe ofrojne zanatçinjtë, ambulantët, kioskat, farmacitë, ambulancat dhe spitalet, 7% për mallrat e shportës së domosdoshme, dhe 19% për të tjerat (Tatim-fitimi është 9% për të gjitha bizneset).

Në qoftë se duam të ndihmojmë biznesin e vogël, duhet menduar për një skemë subvencionimi që nxit raportimin sa më të madh të xhiros, dhe jo një skemë taksimi që nxit të kundërtën…

SHKARKO APP