Portret/ Gruaja që ka çelsat e sekreteve të komunizmit

“Tani që ligji u kry do të nisim nga puna”, thotë kreu i Autoritetit për Informim mbi dosjet e Ish-Sigurimit, zonja Sula, menjëherë pas votimit në Kuvend të anëtarëve të kësaj trupe.

Nëse ka zyrtar të shtetit shqiptar që e njeh mirë problematikën e ish-viktimave të diktaturës komuniste, zoja Sula është ndër më kompetentet.

Kur Edi Rama emëroi në vitin 2013, një grua në karrierë, të re në moshë, me një CV të shkëlqyer në organizatat më prestigjoze ndërkombëtare në krye të punës për trajtimin dhe dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë të komunizmit, pakush e mori seriozisht.

Gentiana Sula, një trashëgimtare e familjeve që kaluan persekutimin e dhunën e diktaturës, nuk e reklamoi punën e saj dhe pak mbajnë mend daljet e saj në studio televizive që përgjithësisht janë të mbushura edhe me gra që pëplasen e zihen për të drejtat e gjinisë së vet.

Por në tre vjetët e saj si zv.ministre e Mirëqenies Sociale, me funksionin për të trajtuar shtresën e ish-të përndjekurve, puna e saj i ka shënuar një nga rekordet më pozitive qeverisë së Edi Ramës, pikërisht për shpejtësinë dhe saktësinë e dhënies së dëmshpërblimit të kësaj shtrese me të cilët luhet e flitet për 25 vjet, por që çdo vit i detyron të rropaturit të ngrihen në greva e protesta.

Tani duket se gjërat jo vetëm janë në rrugën e zgjidhjes, por Edi Rama deklaroi pardje se deri në qershor të vitit të ardhshëm nuk do të mbetet ish-i burgosur i gjallë pa tërhequr dëmshpërblimin për burgimin e padrejtë në kohën e diktaturës.

Kryeministri e njihte mirë siç duket Gentiana Sulën kur ia besoi misionin e parë dhe më pas këtë të dytin që do të jetë natyrisht më i vështirë nga i pari; hapja e “Kutisë së Pandorës”, dosjet e tmerrshme të Sigurimit të Shtetit që të gjithë presin me ankth dhe për të cilët është folur gjithë këto vite, ku mijëra pseudonime kanë qarkulluar në media dhe afishe publike.

Gentiana Sula është një grua 47 vjeçare që nuk i pëlqen të flasë për veten, edhe pse ia kërkojmë që të shkruajmë këtë profil të saj informues.

Por CV-ja e saj flet shumë, duket se çdo gjë që e ka nisur e ka kryer dhe e ka kryer në perfeksion.

Një gjimnaziste që është vlerësuar me “medalje ari” për të gjitha dhjetat e saj, diplomimin si biologe natyrisht me rezultate të shkëlqyera, por edhe karrierën e saj intensive në organizata prestigjoze ndërkombëtare duke nisur nga UNICEF, ku ka punuar në krye të projekteve me vendet e Botës së Tretë dhe Ballkanit, Bankën Botërore, gjithashtru për Ballkanin dhe shtetet ish-komuniste etj.

Në të gjitha këto funksione Gentiana Sula është marrë me njerëzit, trajtimin dhe ndihmën për ta, ndërsa këtë herë ajo do të merret me shkresa të frikshme që emrin e kan dosje dhe për të cilat është thënë se po të hapen ato, në Shqipëri do të bëhet nami. Për shumë e shumë arsye askush nuk e ka marrë përsipër këtë barrë.

Dhe gruaja që po mbyll dosjet e të përndjekurve për dëmshpërblimin e tyre, ka bindjen se hapja e këtyre të rejave është një punë tjetër humanitare që ajo do ta shtojë në CV-në e saj të sukseshme.

Dhe pyetjes se “a janë zhdukur në këto vite dosjet përvëluese të Sigurimit, apo pjesë të tyre”, ajo i përgjigjet: Do ta shohim rrugës…” (Dailynews.al)

SHKARKO APP