Pragmatizmi Amerikan ”reversed”

Nga:Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA

Më 30 qershor në zgjedhjet një partiake të insistuara nga Kryeministri Rama, populli Shqiptar edhe njëherë tregoi maturinë e tij duke refuzuar një projekt të rrezikshëm të një pushteti autoritar që ka kapur shtetin shqiptar. Abstenimi i më shumë se 80 % të votuesve ishte një fitore e madhe e demokracisë shqiptare, një qëndrim i vendosur, pa mëdyshje ndaj çdo regjimi që mund të prishë dhe dëmtojë aspiratat e tij perëndimore.

Në mungesë të një balance nga faktori ndërkombëtar, i cili i konfuzuar në mbajtjen e një raporti të drejtë stabilitet-demokraci përkrahu votimet jo kushtetuese, votuesi shqiptar mori përsipër të ushtrojë të drejtën e tij sovrane: Nuk ka skemë ose projekt që prek vullnetin tonë për demokraci dhe për të ardhmen tonë evropiane, pavarësisht zgjedhjeve preferenciale të aparateve burokratike perëndimore të cilat në rastin më të mirë ofrojnë zgjidhjen më të lehtë në mbrojtjen e një status-quo-je.

Revolucioni demokratik i viteve ’90 na mësoi se çfarë është demokracia dhe si duhet mbrojtur ajo, cilat janë të drejtat dhe liritë e qytetarëve por edhe detyrimet e tyre. Por zhvillimet e fundit në botë tregojnë se lufta për mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të demokracisë jo gjithmonë është primare dhe pragmatizmi dhe realizmi parimor për të mbrojtur interesat legjitime gjithmonë e më shumë po fitojnë terren.

Qytetarët shqiptarë nuk gjejnë shpjegim sesi faktori ndërkombëtar mund të bëjë kompromis me një regjim të korruptuar që kërkon të asfiksojë demokracinë në Shqipëri. Shumë prej tyre përpiqen të gjejnë justifikim tek precedentët negativë për destabilizimin ballkanik dhe rrezikun gjeopolitik të rajonit. Të tjerë përpiqen ta justifikojnë me shërbimet e çmueshme të regjimit ndaj ndërkombëtarëve, regjim i cili në këmbim kërkon përkrahje të heshtur. Më të paktët në numër mendojnë se çdo gjë ka një çmim dhe ‘inflacioni i kanabisit’ e bën të realizueshëm këtë proces.

Por nëse të gjithë këta skenarë mund të lidhen me individë dhe qarqe burokratike ndërkombëtare, shtetet e fuqishme që drejtojnë rendin ndërkombëtar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë të pakompromentuar rolin e tyre. Në raste të veçanta mund të pranojnë edhe zgjidhje pragmatiste për të kaluar momentin dhe dhënë mundësi të qartësojnë situatën. Prandaj ata gjithmonë kanë deklaruar se ‘janë më popullin shqiptar’.

Në 30 qershor populli ishte shumica dhe regjimi pakica. Lind pyetja: A mund të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me pakicën? Asnjë nuk pranon të rreshtohet me të humburin! Në qoftë se kjo situatë mundësohet nga diplomatët burokratë, atëherë pragmatizmi Amerikan bëhet disfunksional.

SHKARKO APP