Pranverë e krisur

 

Nga Edison Ypi

Dimri tkurret, rrudhet, mbështillet, mpaket.

Behari ngroh, nxeh, djeg, shkrin, rrjedh, derdh.

Vjeshta endet si era nëpër ëndërra.

Pranvera shpërthen, ndrin, rrezëllin, kriset si pasqyra në një mijë pranvera të tjera.

Pranvera aritmetike po u thotë shqiptarëve se 1 plus 1 bëjnë 19. Nuk bëjnë aq. Por po ta krahasosh me pranverën e vjetme për të cilën 2 herë 3 bënin 40, s'është keq si tendencë.

Pranvera emocionale po insiston tu qartësojë bijve të shqipes dobinë e të kuptuarit të dallimit mes mburravecllëkut dhe kokëuljes. Pra, se idetë e tyre, sado entuziaste apo shpresëdhënëse të jenë, nuk kanë asnjë vlerë pa i qasur ato ide me impaktin, efektin, produktin e zbatimit të atyre ideve. Pranvera emocionale jep edhe një shembull ilustrues; Dobinë e ndeshjes me forcat e rendit në Kumanovë për ide patriotike, kur rezultati është hiç më pak se zbrazja e një mëhalle të tërë me shqiptarë shtëpitë e të cilëve kushtojnë mbi gjysëm milioni Euro.

Pranvera konservative po troket me të vetmin synim ogurzi të përforcojë dyshimet e frikëshme sipas të cilave nëse konservativët e së shkuarës sonë kanë qënë sadopak të ngjajshëm me konservativët e sotëm, kurvi paska qënë zgjedhja më e mirë.

Pranvera psikiatrike që sapo ja behu ka shtuar dukshëm numurin e shqiptarëve që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin, delirantëve dhe delireve të tyre në shtim të pandalshëm. Mardhënia e çartallosur e delirantëve me botën duhen korrektuar. Por po të mendosh se të tillët po të mos jenë delirantë nuk mund të jenë gjë tjetër veçse copa mishi, ajo që të mbetet të bësh rezulton një ekuacion aq i komplikuar sa me zgjidhjen e tij nuk është e këshillueshme të merresh se mund të përfundosh në një lloj kreature që nuk i duhesh as dreqit.

Pranvera historike ka ardhur me një haber të mirë. Më së fundi do mblidhet një komision pordhologësh që do hedhë dritë mbi sjelljen e çuditëshme të heronjve tanë historikë, të cilët për arësye kryesisht patriotike kanë qënë njerëz që janë përndjekur nga greku, serbi, jo rrallë edhe shqiptari, dhe si të tillë, pra si të përndjekur, kurrë nuk vijnë, kurrë nuk përballen, por gjithmonë vetëm ikin, vetëm largohen, vetëm fshihen.

Pranvera kulturore artistike nuk ka sjellë asgjë të re. Me kohë e ka shpallur falimentin.

Pranvera muzikore, që më mirë të mos kishte ardhur fare, do jetë e tëra një vorrezë për shurdha.

Ndërkohë pranvera sentimentale është çfaqur përmes një risie linguistike; Jo meshkujt femrave, as femrat meshkujve, por femrat femrave, kanë nisur t'i thonë njëra-tjetrës me përkëdheli "kurvë".

Pranvera mediatike do vazhdojë të ketë për protagonistë po ata budallenj e ato budallaqe, të cilët, mu sikur i ftuari nuk ka ardhur të informojë audiencën por për të zbavitur budallain apo budallaqen, i thonë të ftuarit; "Më kënaqe me këtë përgjigje…". Pranvera mediatike do karakterizohet edhe nga një monstruozitet tjetër i padëgjuar; Ca rrugeçër të cilët i thonë vetes gazetarë, në emër të gjoja respektimit të etikës së komunikimit online, që vetë të duken duarjashtë, i thurin shkrimet në atë mënyrë, që shpifjet dhe të sharat më të ndyra të mos i bëjnë ata vetë, por një tufë zagarësh ish-sigurimistë.

Pranvera dermatologjike po çfaqet me krruajtje të forta deri në gjakosje të fundshpinës.

Pranvera elektorale ka ardhur e mpleksur me pranverën gjinekologjike. Me një mjek të njohur i cili të vetmen të metë që ka, dhe rrjedhimisht e vetmja kritikë që mund t'i bëhet, është se nuk po bën sa duhet për pengimin e ardhjes në jetë të bebeve të cilat kur rriten nuk duan të zënë punë me dorë, por vetëm të hanë e të pinë, të vishën e të mbathen.

Pranvera stomatologjike parashikohet ta përhapi edhe më tepër modën e dhëmbëve të përparmë të bardhë si allçi dhe gjeometri të përsosur si të bërë me kompjuter, pa pyetur për infektimin dhe kalbjen e mishrave me pasojat katastrofike në pjesën tjetër të gojës dhe në tërë organizmin.

Pranvera filozofike e sivjetme do dominohet nga debati mbarëkombëtar me pjesëmarrje si të inteligjentëve fshatare dhe budallenjve qytetarë mbi një debat të cilit deri më sot nuk i është dhënë rëndësia që meriton; Nga cili instinkt dominohet shqiptari ? Nga instinkti parak i kopesë, skllavit modern, strucit, veshgjatit, gjarpërit, skiles, kunadhes, pulës, apo lepurit ?

Pranvera religjioze pritet të hedhë dritë mbi një çudi të madhe. Ndërkohë që kaurrët e Shqipërisë flasin e bërtasin sa u ha gurrmazi për identitetin e tyre kristian, një numur muslimanësh identitetin fetar e mbajnë gjysëm të fshehtë duke i rënë gjatë e gjatë me muhabete të tërthorta, krejt njëlloj sikur ata që janë jashtë Allahun që është te dera dhe i fton të hyjnë brenda, duan ta detyrojnë të hyjë nga dritarja.

Pranvera politike po bën çmos të vazhdojë ta përforcojë trendin e kahershëm të politikës shqiptare, e cila nuk përbëhet nga njerëz që e meritojnë, por nga individë të çfardoshëm me iniciativë të tepërt që mbushin boshllëqet e atyre që përgatitjen e duhur e kanë, por pjesëmarrjen e refuzojnë sepse janë dembela dhe frikacakë.

Pranvera reumatike po bën sa mundet për ndarjen e kockave nga muskujt në pritje që pas pak të gjitha kockat të thuhen dhe të gjitha muskujt të kalben.

Pranvera farmaceutike s'po lë gur pa lëvizur t'i bindi shqiptarët se si sëmundjet dhe ilaçet për kurimin e sëmundjeve janë të gjitha brenda tyre. Është gjë e mirë. Halli është se shqiptarët nuk e besojnë.

Pranvera virtuale po vazhdon të eci e pamposhtur në luftën e largimit të njerëzve nga njëri-tjetri, derisa i vetmi mik prej mishi që digjet të ketë një mikeshë prej tuli që ta puthi, dhe e vetmja mikeshë e qeshur prej indesh qelizore që dëshiron të ketë një mik albuminoidal ta përqafojë, do mbetet celulari.

Pranvera gastronomike me mishra dhe duhma rakie ka mbërritur me një menu aq shtazarake sa para saj kazanat e përvjellur të magjistricave duken gosti mbretërore.

Pranvera nekrofilike, ajo me ego, dashuri, vdekje, pavarësisht nga rezultati që do ketë, do vazhdojë e paepur sensibilizimin ndaj dukurisë së gabuar por gjithsesi me efekte kuruese; "Vdis para se të kuptosh sa budalla ke qënë". Shqiptarët nuk i bind asgjë që ka të bëjë me vdekjen e vet. Ata do vazhdojnë t'i besojnë vdekjes së tjetrit; "Vdis të të dua".

Shpërthyen edhe plot pranvera të tjera. Të gjitha të krisura.

Vetëm pranvera e aromës së Blirit, cicërrimave të zogjve, gurgullimit të krojeve, kaltërsisë së qiejve, ajo nuk po duket gjëkundi, ajo nuk dihet nëse do vijë ndonjëherë apo na ka braktisur përgjithmonë.

"Mapo"

SHKARKO APP