Prapë kriminelët janë heronj

 

Nga Arben Idrizi

Opinioni publik i konsideron këta persona të ngjarjes së Kumanovës luftëtarë shqiptarë, idealistë, mbrojtës të të drejtave të shqiptarëve dhe heronj. Në të njëjtën mënyrë, i ka konsideruar heronj tërë ata persona që deri tani e kanë shkatërruar, terrorizuar, vjedhur dhe plaçkitur vendin tonë; që kanë kërcënuar, shantazhuar e vrarë pa i vuajtur kurrë pasojat ligjore të një krimi të tillë

Prej të gjitha reagimeve publike, nga të gjitha anët, në lidhje me ngjarjet e fundit në Kumanovë, ishin krejt të pakta ato që këmbëngulnin të dënonin pjesëmarrjen e qytetarëve kosovarë në grupin e armatosur, luftimi i të cilëve solli 22 viktima. Viktima, terror, frikë, pasiguri në mesin e qytetarëve.

Natyrisht, ka ende shumë paqartësi dhe konspiracion. Hipotezat që dalin prej tyre edhe mund të kenë diçka të vërtetë. Por, unë nuk do të merrem me to tani.

Përtej kësaj, unë shoh te pjesëmarrja e kosovarëve në atë konflikt dhe qëndrimi i pjesës më të madhe të opinionit publik shqiptar ndaj tij, një krim të tmerrshëm.

Siç po kuptohet tashmë gjerësisht, e siç në të vërtetë dihej prej kohësh, shumica e pjesëmarrësve në grupin e armatosur të kosovarëve në Kumanovë janë persona me një të kaluar kriminale. Dhe kur themi kriminale, kuptohet se po flasim tamam për krim. E madje edhe për krim të organizuar.

Disa prej tyre, s’do mend, janë anëtarë të një partie politike, AAK-së, dhe ish kandidatë për deputetë. Do të dukej konstatim i ngutur, ose edhe dashakeq, e megjithatë, ky është një tregues se gjërat nuk ndodhin rastësisht dhe se krimi i organizuar, siç e kemi thënë me mijëra herë, është aktivitet politik. Do të thotë, politika është krim i organizuar. Te ne. Të paktën te ne. Rastësor, tani dhe këtu, mund të jetë vetëm fakti se grupin kriminal në Kumanovë e përbënin vetëm anëtarë të AAK-së. Nesër do ta përbëjnë të tjerë. Ose, hipoteza tjetër, nesër, nuk do të shkojnë në Kumanovë. Do të veprojnë këtu. Me pretendime të ndryshme. Por, përherë, për të vetmen arsye: krimin.

***

Dua të them, asgjë nuk e arsyeton pjesëmarrjen në një veprim të tillë. Përkundrazi, e përforcon bindjen se natyra e personave të tillë është krimi.

***

Persona të tillë dhe ngjarje të tilla (duan) të bëjnë që të mos mbizotërojë arsyeja kurrë, që paqja të mos jetë e arritshme, që të mos ketë kurrë siguri, që dialogu të mos jetë referenca e duhur dhe e vetme për zgjidhjen e problemeve, që në vend të zhvillimit të vendit dhe demokracisë, të triumfojë krimi, dhuna dhe mjerimi.

***

Persona të tillë e kanë terrorizuar Kosovën, në forma të ndryshme, qe 16 vite. Në cilësinë e politikanit, deputetit, aktivistit, apo thjesht banditit në terren që me kobure në dorë vjel haraçin, kërcënon dhe vret.

***

E megjithatë, opinioni publik i konsideron këta persona të ngjarjes së Kumanovës luftëtarë shqiptarë, idealistë, mbrojtës të të drejtave të shqiptarëve dhe heronj.

Në të njëjtën mënyrë, i ka konsideruar heronj tërë ata persona që deri tani e kanë shkatërruar, terrorizuar, vjedhur dhe plaçkitur vendin tonë; që kanë kërcënuar, shantazhuar e vrarë pa i vuajtur kurrë pasojat ligjore të një krimi të tillë.

***

Shteti i Kosovës, në këtë rast, ka përgjegjësi ndaj të cilave nuk mund të ikën. Pjesëmarrja e qytetarëve të saj në konflikte të tilla, apo drejtpërdrejt shkaktimi i konflikteve të tilla nga qytetarët e saj, është një shkelje që s’mund të tolerohet. Mendoj se në të vërtetë ndaj këtyre personave duhet të mbajë pothuajse qëndrimin e njëjtë që mban ndaj personave që marrin pjesë, në çfarëdo mënyre, në konfliktin në Siri dhe Irak, përkatësisht ndaj personave që në mënyra të ndryshme përkrahin, mbështesin dhe ndihmojnë luftën e ISIS-it. Ngase, them, në fund të fundit, nuk kanë dallim.

Gazeta Ekspres

SHKARKO APP