Prapë Pal Vata!

Frrok Çupi

Mbiemri “Vata” i ministres së mbrojtjes,  në këtë rast është krejt rastësi. Megjithëse intriga e shkrimit vërtitet rreth ministres Mimi (Vata), Kodheli. Mbiemri Vata i heroit leifenist të viteve kulmore të diktaturës komuniste, sot ka një lidhje në substancë me mbiemrin e anëtares së qeverisë.

Substranca është se përmes simboleve pa rëndësi, siç është mbiemri, revokohen shëmtitë e një periudhe të kaluar politike.

1.

Cila është jehona e Palit, në këtë rast?

Jo veç mbiemri, që me sa dihet i bën kushërinj të afërt heroin e djeshëm- guackë, me ministren e sotme- jo guancë. Pali ishte një hero guackë sepse e përdori Partia Komuniste për të krijuar mite, mite verbërie dhe varfërie. Ndërsa ministrja (Kodheli) Vata, (me sa dihet kushërirë e Palit), është vërtet një heroinë, por jo heroinë guackë. Këtë të sotmen nuk e përdor Partia, por kjo përdor Partinë Socialiste dhe e vjel përditë. Është një nga gratë e pasuruara gjatë tre vjetëve në qeveri dhe shumë vjet në Bashki, aq sa (përsëri, siç thonë) sa herë përmendet Panamaja, kësaj i dridhen gjunjët.

Ajo çfarë e bashkon me Palin është veç një gjë: Të dy kishin shtëpi diku në fshatrat e Alpeve, me sa thonë në Vermosh. Por Palit tani i është rrënuar shtëpia, Mimi po ndërton shtëpi të re- sipas medias dhe Parlamentit.

Këtu është edhe lidhja? Mediat dhe opozita po thonë se dy pilotët që dhanë jetën pardje në helikopterin e rrëzuar në liqenin e Shkodrës, po fluturonin për të dërguar materiale ndërtimi për shtëpinë e zonjës Vata në Vermosh.

Ja, këtu vjen jehona e Pal Vatës (ose mbiemrit Vata)  në këtë rast

2.

Cila ishte jehona e Palit në kohën e tij?

Koha e tij nuk ka qenë kurrë, aq sa nuk kishte kurrë kohë heroi kinez Lei Fen, i cili nuk ekzistonte në fakt, por gjithë rinia e Kinës duhej ta kishte model. Lei Fen, edhe kur ecte rrugës, mblidhte gozhdë e bullona për fabrikat e popullit. Ja modeli… Ndërsa Pal Vata, ky malësor i mëvetshëm, pat një shans tjetër. Dikur, aty nga viti 1967, koha kur diktatori komunist po zëvendësonte Zotin, bash në këtë kohë, Shkurte pal Vata, 15 vjeç,  bie në krye të detyrës “në shërbim të popullit”, në hekurudhë. Vogëlushja humbi jetën për  arsyet e shtetit makabër, i cili e shtynte të bëhej heroinë nën stome dheu të pasigurtë. Brenda natës e shpallën Heroinë. Që në atë moment Pali (babai) u thërrit nga tribuna në tribunë, si Hero. Por si një hero- guackë. Hero- guackë do të thotë jo veç pse vetë nuk kishte asnjë kontribut e vepër “për popullin”, por edhe pse ishte aq i varfër sa guacka.

Pal Vata ishte një malësor i mirë, por meqë hyri në sqetullat e diktaturës, u kthye në një simbol humori.

Pali nuk ishte ministër, që të mund të urdhëronte helikopterët e Ushtrisë për të ndërtuar vilën e tij në mal. Ja, kaq e thjeshtë është pse Pali hyri në histori si njeri qesharak, ndërsa Mimi si një njeri i hekurt. Edhe kjo, ndonjë herë, është  një heroinë- guackë, sepse bën heronj djem nga “gjiri i ushtarak”, por nuk ka asnjë kontribut. I vetmi kontribut është se në çdo rrethanë është përgjegjëse direkte pse dy djem të rinj pilotë humbën jetën “në shërbim të popullit”.

3.

Cila është jehona e të dy njerëzve me mbiemrin “Vata”, në epokën tonë? E thënë më qartë, cila është jehona në epokën tonë “Panama”?

Këtu është edhe vetë thelbi. Në këtë rast, edhe vetë Pal Vata që vdiq i varfër dhe i paditur mbi gjeografinë e botës, ka një lidhje po kaq të ngushtë, sa Mimi, me “Panamanë”. Panamaja këto ditë është shfaqur si çështja themelore e botës. Aty qeveritarë, kriminelë, mafiozë dhe njerëz të famshëm, paskan fshehur pasurinë e grabitur nga shtetet dhe popujt.

Çfarë fshehu Pali i shkretë? Asgjë.

Po çfarë fshehu Mimi? Këtë le ta shikojmë. Por një gjë është e qartë:  Kolegët e Mimit, qeveritarë e mafiozë,  janë ata që kanë rrënuar botën dhe kanë fshehur pasurinë në Panama.

Atëherë, cila është e përbashkëta mes kushërinjve të kundërt me mbiemrin “Vata”?

E përbashkëta është kjo që po thuhet në të gjitha analizat serioze dhe në filozofinë politike, këto ditë, rreth botës. Vallë çfarë do të ndodhë me botën pas fenomenti “Panama”?

Një nga rreziqet është që bota të kalojë në ekstremin djathtas. Ndërsa rreziku tjetër është që të fitojnë të majtët ekstremë. Ta majtët kanë manifestuar modelin se “sjellin varfëri, jetojnë të varfër, por nuk vjedhin!”. A nuk ishte i tillë Pal Vata?!… Po, sigurisht.

Dje në analizat më të fundit, mediat botërore sillnin shembullin e Britanisë së Madhe dhe të Amerikës, përkatësisht me majtistin Corby në Angli dhe majtistin Sander në Amerikë. Dje u tha se “Panamaja” mund t’u japë shanse të dyve; njëri kandidat për kryeministër në Angli dhe tjetri kandidat për president në Amerikë. Këta të dy janë të majtë të skajshëm, prandaj edhe mund të fitojnë për shkak se bota i shikon si “të ndershëm, që nuk vjedhin”. Domethënë, një shëmbëlltyrë e Pal Vatës në Shqipëri.

Po kjo ministre me mbiemër vajzërie “Vata”, vallë është e majtë e ndershme? Këtu është përbashkësia dhe njëkohësisht ndarja me Palin e viteve të hershme. Kjo ministre është shumë e pasuruar, siç thonë. Kjo, u tha, se po ndërton një vilë në mal dhe po i mbart gurët me helikopter nga Tirana.

Jeta heroike e ministres iu përkushtua pasurimit përsonal.

Pak para se të bëhej ministre dhe t’i kishte në dorë të gjitha mjetet ushtarake dhe monetare të popullit, Mimi u bë mike e afërt me një bisnesmen italian që tani qeveria e saj e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar për “pastrim parash”. Domethënë në kërkim për një “Panama” të vogël. Italiani Francesco Becchetti, i shpallur në kërkim për krimin e pastrimit të parave, e kishte shpresuar gjithë suportin e tij politik mbi të ardhmen në Shqipëri, te Mimi Kodheli (Vata). Mimi ndodhej në tapetin e kuq për inaugurimin e një televizioni të mikut, Mimi në emisione speciale të televizionit të tij, Mimi në familjen e mikut “mafioz”, Mimi në avionë privatë drejt Romës (siç edhe më tregonte vete Becchetti), etj.

Atëherë, shiko sa ndryshojnë dy simbolet që do ta kthejnë botën majtas për shkak të “Panamasë”. Njëri ishte i varfër, siç po predikojnë sot majtistët e botës. Tjetra është një pasanike dhe e ngatërruar vetë me “Panamanë”.

Vata ishte, por nuk është mbiemër i varfër. Heroi bëhet hero sepse është viktimë e Vatës. Të tjerët janë asgjë kur një gjë është Vata…

… Prapë do të rrotullohet bota mbi këto principe guackë?!

SHKARKO APP