Premtimi banal për ujë 24 orë

Placeholder Image

Nga Ilir Levonja –
Nuk u besova syve kur në një ekran televizioni pashë Edi Ramën tek u premtonte shqiptarëve ujë të rrjedhshëm në 24 orë. Do doja vërtetë t’i kushtoja pak vëmendje pasi 99% e fushatave elektorale në Shqipëri janë fyerje, sherre, grushte, vrasje, një mani palësh për të mundur njëri-tjetrin jo vetëm me votë, por edhe me degjenerim. Premtimet me plane reale a të mundshme, mbi nevojat publike janë thuajse zero. Më shumë kapemi pas shërreve, se sa problemeve dhe nevojave jetike. Shërre që shkojnë deri aty sa të vjen ndohtë kur vëren këtë etje ogurzezë për ta shtrirë e shkelur njëri-tjetrin sikur të kemi përpara murtajën. Janë thjeshtë votime, jo fundi i botës. I jepni prioritet qetësisë, ndryshimit, hapjes së krahut, rrjedhës së domosdoshme të demokracisë. Premtim për ujë 24 orë…? I ngula sytë ekranit se thashë mos është ndonjë montazh nga zgjedhjet e kaluara. Por jo. Edi qe me flokë e mjekërr të bardhë. Atëhere i kishte skiçe të zeza dhe po ashtu të zezë edhe parrojtjen, hobin e tij. Aty për aty mu kujtua viti 2013, kur Edi Rama sulmonte babagjyshin me antiplumb Sali Berishën, i cili në 8 vjet qeverisje nuk kishte bërë asgjë që më në fund Shqipëria, qytetarët e saj, të kishin ujë 24 orë pa ndërprerje. Madje ujë edhe drita… Dhe kishte të drejtë. Çështja e ujit, e rrugëve, dritave përdorej kaq dhunshëm politikisht, duke u bërë strategjia bazë për të mbushur kutitë me vota. Ishte koha kur soletat e shtëpive, pallateve, kaluan kufijtë e imagjinatës për numrin dhe ngjyrat e bolierëve. Nga ana tjetër, në oborre, kopshtije, apo hyrje pallatesh gumëzhinin pompat e ujit. Çfarë nuk bënte i shkreti njeri për të siguruar ujin 24 orë. Ashtu si qytetarët në vendet fqinje. Asgjë më shumë. Sali Berisha dhe qeveria e tij, pas plot 8 vitesh nuk ua kishin garantuar ujin shqiptarëve. Mund të kishin arritur shumë gjëra, liberalizim vizash, anëtarësimin në NATO etj., por qytetarëve u mungonte uji. Madje qe krijuar një lloj klime sa ishe me fat të arrije një marrëveshje doras me faturisten. Kuptohet për tarifën, se që do paguaje nuk e luante as topi. Kësisoj Edi Rama kishte të drejtë t’u thoshte shqiptarëve se për 8 vjet Sali Berisha nuk ua solli ujin. Duhet ta pranoj dështimin, të kërkoj falje dhe t’u thotë, më falni, kaq bëra, kaq munda. Janë fjalët e Edi Ramës në 2013-ën, fushatën elektorale të asaj kohe. Dhe po e përsëris, kishte të drejtë.
Ai premtonte se brenda mandatit të parë qytetarët do ta kishin ujin. Sot pas plot 8 vite në qeverisje, ai nuk e ka kurajon t’u thotë shqiptarëve më falni, kaq dija, kaq bëra. Madje ka shpalosur një projekt plan ku 320 ujësjellsa të rinj si një projekt pilot do zhdukin këtë gangrenë të ujit të pijshëm. Nuk e di se si u duket ju, por unë ndjej neveri. Dhe më vjen keq që tema e ujit 24 orë është akoma temë fushate. Shqipëria është një vend me burime ujore me shumicë mbi normalen. Por pikën e ujit se e ka në oborre. Pikën e ujit se e ka në lavamane. Eshtë viti 2021 dhe plot 61 Bashki të Republikës së Shqipërisë, akoma nuk u sigurojnë qytetarëve të tyre ujë në 24 orë, e ti kërkon një mandat të tretë? Kjo ndodh veç tek ne. Çohuni e votoni e i thoni Edi Ramës, i shkofsh pranë Sali Berishës. Se aty i keni lekët, aty krahun e punës. Se siç e shikoni vet Edi Rama nuk kërkon falje. Nuk e kërkon tek vetja atë që ia kërkonte babagjyshit Sali Berisha në 2013-ën. E ka harruar faljen. Dhe a e dini përse? Sepse ju jeni të etur për ujë, ai për pushtet.

SHKARKO APP