Presidenti i FIFA-s Blatter jep dorëheqjen

 

Joseph Blatter tha dorëheqjen si President i Shoqatës Botërore të Futbollit, FIFA. Skandali i korrupsionit i kushton postin zviceranit. Hapi i 79 vjeçarit përshëndetet në të gjithë botën.

Joseph Blatter dha më në fund dorëheqjen! Vetëm katër ditë pas rizgjedhjes për një mandat të pestë, zvicerani që ka ngjallur debate njoftoi në mënyrë sensacionale tërheqjen nga posti i tij si President. Pas 17 vjetësh në krye të organizatës, Blatteri formuloi fjalë që nuk priteshin: "Unë u mendova seriozisht për presidencën time dhe për 40 vjetët, në të cilët jeta ime ka qenë e lidhur në mënyrë të pandashme me FIFA-n dhe me këtë sport madhështor", tha Blatteri. Me zgjedhjen të premten e kaluar ai e mori edhe njëherë mandatin nga anëtarët e FIFA-s, por ai ka ndiesinë se nuk e ka mandatin e të gjithë botës futbollistike. "Prandaj unë vendosa që ta dorëzoj mandatin tim në një kongres të jashtëzakonshëm."

Pasardhësi i Blatterit si President i FIFA-s do të zgjidhet në një kongres të posaçëm të Shoqatës Botërore midis dhjetorit 2015 dhe marsit 2016. Këtë hapësirë kohore e përmendi Domenica Scala, nga FIFA pas deklaratës së Blatterit për dorëheqje. Në bazë të statuteve të FIFA-s duhen të paktën katër muaj për të përgatitur kongresin e zgjedhjeve. Kongresi i ardhshëm i rregullt i FIFA-s është parashikuar të mbahet vetëm në 12 dhe 13 maj 2016 në Mexiko-City. "Kjo do të sillte një vonesë të panevojshme", tha Blatteri.

Si një njeri i rrëzuar

Deri në mbledhjen e jashtëzakonshme të FIFA-s, Blatteri do të vazhdojë ta ushtrojë postin e tij. Scala, kryetari i Komisionit Compliance të FIFA-s do ta ndihmojë atë për vënien në jetë të reformave të nevojshme urgjentisht. "Unë ju luta Domenico Scalas që të mbikqyrë fillimin dhe zbatimin e kësaj dhe të masave të tjera", deklaroi Blatter. 79 vjeçari dukej relativisht i qetë kur e bëri deklaratën në gjuhën frënge. Por shpirti luftarak dhe gjendja shpirtërore si para një epoke të re që kishte të premten kur u rizgjodh nuk ndihej më asgjë. Me optimizëm donte të vazhdonte ai pavarësisht nga arrestimet dhe aktakuzat kundër funksionarëve të lartë të premten dhe u shpreh një ditë pas zgjedhjes madje edhe kundër Presidentit të UEFA-s, Michel Platini. Në këtë 2 qershor 2015 për t'u mbajtur mend, Blatteri dukej pak edhe si një njeri i rrëzuar.

Ky skandal, për të cilin zhvillon hetime para së gjithash drejtësia e SHBA e mbushi kupën. "Është shqetësimi im i madh për FIFA-n dhe interesat e saj, që më shtyjnë të marr këtë hap", tha Blatteri në fund të fjalimit të tij me siguri më të vështirë. "Unë e dua FIFA-n më shumë se çdo gjë tjetër dhe dua të bëj vetëm atë, që përshtatet më së miri me FIFA-n dhe me futbollin. Unë dua të falenderoj ata, që më kanë mbështetur gjithmonë në mënyrë konstruktive dhe besnike si President i FIFA-s", theksoi Blatteri. Në vitin 1998 e mori ai postin. Vendimi i tij ishte krejtësisht i papritur, megjithë acarimin e ri të ngjarjeve.

Jehonë pozitive

Platini e përshëndeti hapin e Blatterit. "Ishte një vendim i vështirë, një vendim i guximshëm dhe vendimi i duhur", deklaroi Platini në një deklaratë me shkrim. Në zgjedhjet e reja, francezi, që u konfirmua jo më larg se marsi në postin e tij si Presidenti i UEFA-s një kandidat i mundshëm për pasardhës.

"Ishte një vendim i arsyeshëm i Sepp Blatterit. Presioni u bë shumë i madh. Ai nuk do të kishte pasur kurrë qetësi, pavarësisht nëse ka apo jo faj për skandalet. Problemi i FIFA-s qëndron në sistemin e saj, " tha Franz Beckenbaueri. Edhe Princi Ali bin al-Hussein, konkurent i Blatterit të premten, e quajti vendimin e Blatterit "hapin e duhur". Tani fushata elektorale nis nga e para.

SHKARKO APP