Presidenti Ilir Meta për Dhimitër Nasin: Përmeti përcjell kryetarin e devotshëm …
Nga Qirjako Kasapi
Data 24 Gusht është dita kur qyteti i Përmetit u zgjua me lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të ish-Kryebashkiakut të Përmetit në vitet 1992-96, Dhimitër Nasi. Këtë fakt e bën të ditur faqja e internetit të Bashkisë Përmet midis shume vlerësimeve pozitive për këtë qytetar model që pati kënaqësinë të ishte mes tyre në punët e përbashkëta për transformimin e qytetit gjatë kohës që ushtroi funksionin e Kryetarit të kësaj Bashkie…
Po kështu , ishte pikërisht ky rasti kur ATSH dhe disa media televizive do të jepnin në datën 24 gusht 2020 mesazhin e Presidentit Republikes, Ilir Meta I cili do të shprehej se: “Dita sot nisi e trishtuar me lajmin e ndarjes nga jeta të Dhimitër Nasit, kryetarit të parë të Bashkisë së Përmetit, pas triumfit të demokracisë në Shqipëri. Familja Nasi humbi njeriun e shtrenjtë, Përmeti përcjell kryetarin e devotshëm, shoqëria u nda nga një qytetar me cilësi të rralla dhe Shqipëria ka nga sot një intelektual të përkushtuar më pak në kohën kur ka më shumë nevojë për shembuj si i Dhimitrit. U prehtë në paqen e përjetshme shpirti i tij fisnik! “..
Ky mesazh domethënës është gjithashtu jo vetëm një vlerësim dinjitoz për të ndjerin Dhimitër Nasi dhe familjen e tij por njëkohësisht edhe për Përmetin dhe qytetarët e tij të përgjegjshëm që zgjodhën në krye të tyre një intelektual me cilësi të rralla dhe të përkushtuar ashtu sikurse meritonin ata.
Është kjo arsyeja pse kjo ditë do mbahet mend gjatë si një ditë hidhërimi jo vetëm për familjen Nasi, por dhe miqtë e tij të shumtë përmetarë, zagoritë e më gjerë. Dhe jo vetëm për moshën e tij të re ( vetëm 67 vjeç) por dhe për cilësitë e tij të spikatura njerëzore që ai manifestoi kudo në familje, punë dhe shoqëri.
U largua kështu nga jeta një intelektual,i aftë dhe fisnik, i dashur dhe shumë i thjeshtë, fjalë pak e gojë ëmbël me të gjithë, i përkushtuar në punë, me energji shumë pozitive për të nisur dhe mbaruar punën e përditshme apo premtimet e marra. Një njeri që me të drejtë mund të cilësohet i lidhur ngushtë me suksesin e merituar.
Ai mbeti kështu simbol i mirësisë njerëzore dhe cilësive të larta që buronin edhe nga origjina e vet zagorite, duke lënë kujtim një emër të mirë në respekt të familjes dhe të prindërve të tij të nderuar Thoma e Urani Nasi (Çarka). Dhimitri njihet në Përmet si një njeri i qetë që kurrë nuk dinte të mërzitej por vetëm rrezatonte mirësi e kurajo gjatë komunikimit të përditshëm më të gjithë pavarësisht pozitës shoqërore.
Ai ishte dhe do mbetet përjetësisht i pazëvendësueshëm për nënë Uraninë, motrën Liljana, bashkëshorten Odeta, fëmijtë e tij të mrekullushëm si dhe për të gjithë shoqërinë e gjerë që e admironte për vlerat dhe cilësitë njerëzore qe ai transmetonte në çdo ambient shoqëror.
Beteja e vështirë dhe plotë të papritura me virusin në këtë kohë pandemie nuk e lejoi të përshëndetej me miqtë e shumte dhe farefisin e gjerë brënda e jashtë vendit, por nuk e pengoi të lëre për ta kujtime të bukura dhe të pa harruara përtej kësaj jete. Të gjithë përmetarët, zagoritët, miqtë e të dashurit e tij, po ashtu si edhe Presidenti i Republikës u urojnë nga zemra: U prefsh në paqen e përjetshme o njeri i fjalës së ëmbël dhe modelit të korrektësisë e sinqeritetit, Miti jonë i dashur.! Emri i Dhimitër Nasit do kujtohet përherë medashurinë dhe krenarinë ,mirësinë dhe bujarinë që karakteri i tij la në memorien përmetare dhe më gjerë për sot dhe brezat e ardhshëm.