Presidenti Trump mund të heqë sanksionet ndaj Rusisë

Presidenti i zgjedhur Donald Trump thotë se do t’i vazhdojë sanksionet kundër Rusisë të vendosura nga administrata Obama, por kjo mund të mos zgjasë shumë.

Në një intervistë për gazetën Wall Street Journal, Donald Trump tha se do t’i mbajë sanksionet “të paktën për një periudhë”, por mund t’i heqë nëse Rusia ndihmon në luftën kundër terroristëve dhe bëhet e dobishme për arritjen e qëllimeve të tjera të rëndësishme të SHBA.

“Nëse marrëdhëniet janë të mira dhe nëse Rusia me të vërtetë na ndihmon, pse duhet t’i mbajmë sanksionet?” tha ai.

Zoti Trump tha se, pasi të bëjë betimin si president, do të jetë i gatshëm të takohet me presidentin rus Vladimir Putin. “Unë e kuptoj se ata do të donin të takoheshim, dhe për mua s’është problem” i tha ai gazetës.

Ndërkaq, sipas gazetës Washington Post, Rusia ka ftuar administratën Trump të marrë pjesë në një raund bisedimesh për paqen në Siri, që do të mbahen në Astana të Kazakistanit, vetëm disa ditë pas inaugurimit të presidentit të zgjedhur.

Gazeta thotë se ambasadori i Rusisë në Uashington, Sergej Kislyak e bëri ftesën muajin e kaluar në një bisedë telefonike me këshilltarin e zotit Trump për sigurinë kombëtare, Michael Flynn. Administrata Obama nuk është ftuar në bisedimet për paqe në Siri.

TRUMP DHE KOMUNIKIMET ME RUSINË

Michael Flynn, këshilltar i Presidentit të zgjedhur Donald Trump për sigurinë kombëtare, thuhet se ka pasur disa biseda telefonike me ambasadorin e Rusisë në SHBA më 29 dhjetor, të njëjtën ditë që Presidenti Barack Obama dëboi 35 diplomatë rusë dhe vendosi sanksione të tjera si kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve, që mesa duket ndërmori Rusia për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Një zyrtar i lartë i SHBA tha të premten se administrata Obama është në dijeni të thirrjeve telefonike dhe komunikimeve të tjera të shpeshta ndërmjet zotit Flynn dhe ambasadorit të Rusisë, sipas agjencisë së lajmeve Associated Press.

Zëdhënësi i zotit Trump, Sean Spicer, u tha gazetarëve të premten se zoti Flynn dhe ambasadori komunikuan më 28 dhjetor dhe diskutuan rreth një telefonate të mundshme mes presidentit të zgjedhur dhe presidentit rus Vladimir Putin pas inaugurimit të zotit Trump më 20 janar. Zëdhënësi tha gjithashtu se ata shkëmbyen me tekst urime për Krishtlindjet.

Diskutimet ndërmjet administratave që përgatiten të vijnë në fuqi dhe qeverive të huaja nuk janë të pazakonta, por diskutimet e shpeshta pikërisht në ditën e masave amerikane të kundërpërgjigjes do të ngrinin pikëpyetje nëse zoti Flynn dhe ambasadori kanë diskutuar rreth një reagimi të mundshëm të Rusisë.

Një ditë pas sanksioneve dhe dëbimit të dhjetëra zyrtarëve rusë nga SHBA, zoti Putin tha se ai nuk kishte në plan të hakmerrej. Presidenti i zgjedhur Trump, i cili e ka lavdëruar në mënyrë të përsëritur zotin Putin, e përshëndeti vendimin e presidentit rus.

Për bisedat telefonike me ambasadorin e Rusisë u njoftua për herë të parë të enjten nga David Ignatius i gazetës Washington Post, i cili shkruante se bisedat mund të bien në kundërshtim me ligjin Logan. Ky është një ligj mëse 200-vjeçar që i ndalon shtetasit amerikanë të përpiqen për të ndikuar te qeveritë e huaja të cilat janë kanë konflikte me SHBA.

SHKARKO APP