Pri kuponin dhe bërtit
Nga Artan Gaçi
(Fjala e deputetit të PS mbajtur sot në Kuvend)
OSBE më kishte listuar ndër biznesmenët në politikë. Nuk e kuptoj a e kishte për mirë a për keq. Se nuk arrij të kuptoj çtë keqe ka të kesh jetuar e punuar ndershëm, të kesh krijuar e prodhuar vlera për vete, të tjeret e vendin. Mua me politikën nuk më lidh biznesi por një vokacion i hershëm qysh në vitin 1990 kur organizoja disidencën në Akademinë e Arteve ku isha student, në kohën kur shumë nga ata që mbushën Partinë Demokratike ishin akoma komuniste.
Kryeministrin e sotëm e kam njohur pikërisht në atë kohë, si pedagogun e parë pjesë të lëvizjes studentore në Akademine e Arteve. U përndoqa, u mora në mbrojtje me azil politik në Itali e u riktheva ne 93-shin me shpresën se me pluralizmin do pasonte edhe demokracia. Shumeënaivë isha, e si shumë të zhgënjyer të tjerë nga produkti i pluralizmit, u mora me biznes për 15 vitet që pasuan.
Sot dua të flas për biznesin, për sipërmarrësit, sepse unë mendoj se ata janë kontributorë shumë të rëndësishëm për zhvillimin e kujtdo vendi, aq më tepër të këtij tonit ku nuk e kanë pasur aspak të lehtë veprimtarinë e tyre. E di mirë se ne ato 15 vjet veprimtari kam parë e duruar, lloj lloj situatash e padrejtësish, dhe sot flas duke u futur në lëkurën e sipërmarrësve të vegjël e të mesëm të këtij vendi.
Di shumë mirë se ç'ndodh me inspektorët e tatimeve, se ç'vuan biznesi nga çdo lloj policimi a kontrolli, tatimor a tjetër. Di shumë mirë çdo të thotë të të bien në qafë, të të gjobisin padrejtësisht, të të bëjnë presion, të të hyjnë në pjesë të ashtuquajturit “të fortë” e ata me pushtet e mos kesh shtetin në krah.
E di shumë mirë çdo të thotë të punosh pa orar, pa ditë pushimi, duke krijuar e prodhuar të mira, jo vetëm për vete, me 100 sakrifica jo vetëm nga konkurrenca apo kushtet e vështira në këtë vend dhe të jesh krejt vetëm përballë një lukunie me uniforme shtetërore që kanë për qëllim vetem të marrin diçka nga ty. Prandaj kam bindjen se reforma kundër informalitetit, pavarësisht vështirësive e pasojave të saj, është një nga reformat më të domosdoshme e më patriotike po të doni, të ndermarra nga kjo qeveri. Kjo reformë i duhet vendit, por kjo reformë i duhet më shumë biznesit.
Duket gjë shumë e vogël ai kuponi, e duket sikur po i bihet në qafë atij sipërmarrësit të vogël, por, ai kupon është çelësi i çmontimit të një sistemi të korruptuar të kthyer në normë, i cili në një mënyrë a një tjetër na ka marre peng të gjithëve. Prandaj, sot marr fjalën për të mbështetur këtë reformë se besoj me gjithë forcën e arsyes se prerja e kuponit për çdo artikull është një e mirë e madhe për ju, sipërmarrës të ndershëm të këtij vendi, e për gjithë ne të tjeret bashkë.
I nderuar sipërmarrës! Prite atë kuponin e vogël tatimor në kasën fiskale, edhe pse ato janë të përfolura për monopol. Prite kuponin që të kërkosh shërbim dhe ndershmëri nga shteti.
Prit kuponin që mos paguajnë me mijëra euro tatimorët e doganierët për të filluar punë. Priteni kuponin që të mos ju sulmojnë se ke votuar një parti dhe po të njëjtët, herën tjetër, të të ndëshkojnë pse ke votuar për partinë tjetër.
Prite kuponin dhe mbro bindjet e tua pa frikë. Prit kuponin e fito zërin, që të mos fshihesh nga kamerat e të flasin në emër tënd 4 opinionistët e katër mediave vetëm kur kanë ndonjë hall tenderi.
Prit kuponin e kërkoju faturën me vlerën e vërtetë importuesve e grosistëve, se aty është gropa e madhe, jo tek ju. Prite kuponin, që të mos u fshihesh njerëzve që vijnë të kontrollojnë në emër të shtetit edhe pse shumica janë shumë herë më të pandershëm se ty. Prite kuponin që të mos u servilosesh inspektorëve, ne shumicë bashkëfshatarë të drejtorëve apo ministrave të rradhës.
Prite kuponin që të mos të të thone ty hajdut, por që të mund t’i tregosh me gisht e me zë të lartë se kush janë hajdutët e vërtetë. Prite kuponin, që të mos kesh ortak taksidarët, në çdo qepen të ulur sot nëpër Tiranë ka qenë ortak minimalisht je taksidar dhe drejtori i taksidarit. Prit kuponin, që ta pish kafen rehat e mos vraposh i lemerisur nga telefonata se të kanë ardhur kontroll tatimet. I nderuar sipërmarrës, prit kuponin e jepi zë shtresës me punëtore e krijuese të këtij vendi. Prite kuponin që të mos ndërrosh rrugë kur ka protesta, por të solidarizohesh kur beson. Prit kuponin që të dalësh në protestë, që të ketë më pak interesaxhinj e të papunë e më shumë qytetarë e kontribues që ngrenë zërin.
Prite kuponin, që ato 100 lekshat e vegjël nëpër kafe, mos t’ua vjedhin me një dore tek tenderi i rradhës.
Prite kuponin që të paguash më shumë taksa, e të të dhëmbë akoma më shumë kur te ti vjedhin me tendera drejtora a ministra. Prite kuponin i nderuar sipërmarrës, që të fitosh zërin, të fitosh kurajën, të fitosh dinjitetin e te bësh me turp gjithë ata që abuzojnë në kurriz të djersës tënde. Prandaj unë mendoj me gjithë forcën e arsyes se kjo reformë, se kuponi tatimor është çelësi për të fituar lirinë, për të ndryshuar njëherë e mirë marrëdhënien e deformuar sipërmarrës – shtet, në favor të sipërmarrësve, për ta bërë zërin e sipërmarrjes, si në të gjithë botën, zë të parë, jo të fundit.
Kjo reformë nuk është pa pasoja, por nuk mund të fitosh forcë e dinjitet pa sakrifica.