Prifti shqiptar që bëri Papa Franceskun të ngrihet në këmbë
Prifti shqiptar nga Fieri, Bledar Xhuli u përqafua nga Papa Françesku, pasi tregoi historinë prekëse të emigrimit në Itali.Don Xhuli i lindur në Fier në një familje ateiste foli nga katedralja “Santa Maria del Fiore”, dhe në fund mori një përqafim nga Papa Françesku, që u ngrit posaçërisht për ta përshëndetur.
“Pas rënies së komunizmit, prindërit e mi që punonin për shtetin e humbën atë dhe pastaj nuk kishte më asnjë prespektivë për të ardhmen. Në 1993, në moshën 16-vjeçare vendosa që të emigroj për të punuar në itali, për të realizuar ëndrrën e pastaj të kthehesha në Shqipëri”, tha prifti shqiptar.
Don Xhuli kishte kaluar Adriatikun me një pasaportë false duke menduar se do të gjente një punë dhe shtëpi, por nuk ishte kështu.“Duke u sjellë nëpër disa qytete të Italisë flija jashtë, në stacione hekurudhore. Ndalova në Firence, kur një shqiptar tjetër më tregoi se mund të haja falas. Aty ne flinim poshtë një ure dhë hanim falas në mensë”, tregoi prifti.
Më pas shqiptari tregoi vuajtjet e tij, duke thënë se shpesh nuk arrinte të flinte, për shkak të ftohtit dhe lagështisë.
“Fshehtas të tjerëve, natën qaja dhe ulërisja dëshpërimin tim, por Zoti dëgjoi zërin e një të dëshpëruari”, tha don Xhuli.
Shqiptari tregoi se ishte bërë prift në vitin 2010, pasi u ndihmua nga kisha, të kalojë këtë pjesë të vështirë të jetës.