Primi elektoral dhe primi oligarkik
Nga Andi Bejtja
Ish-Kryeministri Sali Berisha, në një intervistë për Ora News, tha diçka që akoma nuk është përgënjeshtruar, qoftë edhe nga Facebook-u i Kryeministrit Edi Rama: se ky i fundit i ka çuar fjalë dhe ndërmjetës që të aplikojnë në të ardhmen sistemin elektoral Prim.
Shenjat e luftës ndaj tre-apo shumëpolaritetit janë dhënë me kohë dhe unë e kam quajtur prej kohësh këtë një luftë të oligarkisë kundra trepolaritetit, por sot, teksa publikisht kjo luftë nuk pohohet nga aktorët e teksa gjithçka zhvillohet kulisash, nuk e lexojmë dot plotësisht: a është oligarkia që e shtyn këtë sistem para, apo janë këta aktorë kryesorë politikë që e shtynë. Në fakt, dhe po qe rasti i dytë, kjo vlen vetëm teorikisht, se praktikisht këta aktorë janë pjesëtarë të kësaj oligarkie, të ngjizur e të pandarë me të, madje dhe aksionarë në biznese të përbashkëta.
Po për çfarë i duhet Primi Edi Ramës? Çfarë rezultatesh do t’i sjellë atij dhe fundja-fundjes çfarë të mire do t’u sjellë Primi shqiptarëve, kur partia e parë fituese automatikisht formon qeverinë, pa pasur nevojë për të tjerët, duke shtuar një sasi votash fiktive paraprakisht? Unë mendoj se sistemi Prim më shumë sesa për të ravijëzuar të ardhmen, i duhet Kryeministrit aktual për të mbuluar dështimet e së tashmes. Kjo është qeveria që po përjeton konsumimin më të madh që ka përjetuar ndonjë qeveri shqiptare që nga viti 1992 e deri tani.
Fjalët korridoreve të kulisave, se Kryeministrin nuk po e linte të qeveriste partneri në koalicion, kanë rënë me kohë. Dhe, në fakt, kjo qeveri është si të ishte qeveri e dalë nga Primi, pasi LSI-ja, edhe pse ka treguar se mendon ndryshe për shumë të ashtuquajtura reforma të ndërmarra nga qeveria Rama, madje ka dhënë dhe shenja publikisht nëpër intervista të ndryshme të eksponentëve të saj, nuk ka bërë asgjë për të frenuar këto idiotësira dhe paaftësi, për hir të të quajturit stabilitet i koalicionit. Madje, nesër asaj do t’i duhet të mbajë dhe një faturë përpara shqiptarëve, për shkak se nuk ia ka shtypur fort pedalin e frenave këtij Kryeministri që Primin nuk e do për të qeverisur më mirë Shqipërinë, por për të mbuluar dështimet e qeverisë së tij. Që qeveria Rama është një qeveri Primi, tingëllon e vërtetë jo vetëm thjesht se Edi Rama ka aplikuar çdo gjë që ka pasur në kokë, jo thjesht se në krahasim me kohën e qeverisjes Berisha u ka lënë ministrive të LSI-së thërrime, por dhe për faktet konkrete, se edhe ministrat e LSI-së u japin punë, me aq sa kanë në dorë, klientëve të partisë socialiste dhe jo klientëve të tyre.
Mjafton këtu të përmendim dy tendera të përfolur kohët e fundit, atë të lagunës së Patokut dhe koncesionin hekurudhor, me të cilët, pikërisht dy ministra të LSI-së, njëri i Bujqësisë dhe tjetri i Transporteve, u bëjnë ndere, po të shpreheshim figurativisht, njerëzve të partisë Socialiste dhe aspak njerëzve të vet. A ka më Prim se ky që po përjeton Edi Rama? Çdo të bëjë më shumë se kaq, ç’cilësi më të madhe do t’u sjellë shqiptarëve në qeverisje? Për këdo është e qartë: Ramës për këtë qeverisje nuk ia kanë fajin ministritë që i ka lënë LSI-së. Ministrat e Partisë Socialiste po bien të gjithë në sytë e publikut si gjethe fiku nga aferat korruptive, një nga një, përditë. Dhe, për më tepër, po përjetojmë një fenomen që nuk e kishim parë këta 20 vjet të tranzicionit, që nuk e kishte bërë as Nano si Kryeministër, as Berisha si Kryeministër, as Meta si Kryeministër dhe asnjë Kryeministër tjetër në Shqipëri dhe sigurisht në të gjithë botën.
Po shikojmë një gjë të pazakontë, të paparë e të padëgjuar: Kryeministrin që i mbron ministrat e përfolur për korrupsion dhe për afera të ndryshme, më shumë se ata vetë veten e tyre. Kryeministri ka dalë e ka mbrojtur publikisht me emër e mbiemër çdo ministër të tijin, madje, edhe çdo klient që ka përfituar nga këta tendera ministrash. Dhe, si për të mos mjaftuar kjo, u ka bërë dhe një website qeveritar, “transparenca.al”, për të bërë atë mbrojtje që bën dhe ai vetë. Në këto kushte, pas dy vjetësh qeverisjeje, me këto skandale të njëpasnjëshme që po u ndodhin ministrave të Partisë Socialiste dhe vetë Ramës, LSI-ja duket si një vajzë gjimnazi që kthehet nga shkolla në shtëpi, kurse PS-ja si një “zonjë e thekur”, që pret në rrugë derisa të vijë dhe klienti i fundit.
Rama tashmë ka hyrë në një ngërç politik dhe qeverisës që zor se mund të dalë. Do Primin për arsyet që thamë, nuk po arrin dot të njollosë më shumë imazhin e LSI-së, duke përdorur segmente mediatike brenda dhe jashtë vendit, sa ç’po e njollosin imazhin e PS-së të vetët dhe ai vetë, nuk bën dot zgjedhje të parakohshme, siç mund t’i bënte ndoshta tre katër muaj më parë, pasi është e qartë që është në pikiatë elektorale. Edhe lideri i opozitës, Lulzim Basha, që dikur mund t’i ketë dhënë shenja flirtimi, për shumë arsye të kuptueshme dhe të pakuptueshme në këto kushte nuk ka pse ta bëjë këtë dhe as lojën e Primit, pasi me Prim mund të dalin dhe koalicionet dhe Edi Rama në moment të fundit, në qoftë se e sheh veten keq, mund t’i bjerë prapë derës së Leonard Kokës, që t’i mbushë mendjen LSI-së të dalin së bashku me Prim.
Atëherë çfarë rrugëdaljeje i ka mbetur Edi Ramës? A e keni vënë re se sa i gëzuar është që mund të vinë më shumë se mbi 100 mijë sirianë në Shqipëri? Në këtë situatë që ndodhet, ndoshta dhe oligarkisë nuk i duhet më një portanome i tillë.