“Primi i Ramës”, “Senati i Bashës”, Meta, Berisha…
Nga Eduard Zaloshnja
Edhe pse Edi Rama e mohoi publikisht tri ditë më parë synimin për ta ndryshuar sistemin zgjedhor nga ai rajonal proporcional (që është në fuqi aktualisht), në një sistem me prim, një nga zëdhënësit e tij, ministri Bledi Çuçi, ka deklaruar të kundërtën për gazetën “Shqip”.
“Vendi ynë, si model, mund t’i referohet modelit grek apo atij spanjoll. Por duke bërë një përllogaritje të thjeshtë me numrin minimal të deputetëve që fiton automatikisht partia që fiton më shumë vota në zgjedhje, Çuçi sqaroi se mund të jetë jo më shumë se 20 deputetë, ndërsa pjesa tjetër ndahen sipas votave që ka fituar secila parti. Ndërsa sistemi spanjoll, është rajonal, çka nënkupton një rritje të pragut për sistemin elektoral për zona të ndryshme. Kjo mund të sillte eliminim të partive të vogla”, raportonte dje gazeta Shqip.
Në një sistem me prim, partia që fiton edhe një votë më shumë se e dyta ka gjasa të mëdha të krijojë qeverinë, pa patur nevojë të bëjë koalicion me të tretën. Në rastin e Shqipërisë, gara për pushtet do të ishte mes PS-së dhe PD-së, ndërsa parti si LSI-ja PDIU-ja etj, do të dilnin jashtë loje, ose do të merrnin një rol periferik.
Kur u pyet në emisionin “Opinion” rreth sistemit zgjedhor me prim, Basha bëri me Fevziun një cic-mic të tipit “Rama ka pranuar më parë primin vetëm për koalicionet (jo për partitë) dhe anasjelltas”, duke iu shmangur pyetjes së drejtpërdrejtë. Sidoqoftë, ai për herë të parë, dha një skicë-ide të sistemit elektoral që synon ai.
Zgjedhjet duhen bërë për dy dhoma të parlamentit – dhomën e deputetëve me 100 anëtarë dhe senatin me 12, la të kuptohet Basha. Ndërkohë që ai nuk u shpreh për mënyrën e zgjedhjes së deputetëve – me prim apo pa prim – për senatin, ishte shumë i qartë. Sipas tij, çdo qark duhet të ketë senatorin e vet, të zgjedhur drejtpërdrejtë nga banorët e secilit qark, me votë mazhoritare. Dhe senati që propozoi Basha, duhet të luajë rolin e vulosësit të çdo ligji që do të kalojë në dhomën e deputetëve.
Këto dy sinjale publike të partive të mëdha, lënë të kuptohet se, tej syrit të publikut, po diskutohet në distancë mes tyre për një sistem të ri zgjedhor. Dhe ky sistem zgjedhor, nëse materializohet, duket se do të jetë një shartim mes atij grek dhe italian.
Kështu, 80 deputetë do të zgjidhen në mënyrë proporcionale sipas listave emërore që do të paraqesin subjektet elektorale, 20 deputetë do t’i ketë automatikisht subjekti që del i pari në proporcional, ndërsa 12 senatorët do të zgjidhen në gara individuale mazhoritare në secilin qark. Dhe për të krijuar qeverinë, do të duhen të paktën 57 vota nga 112 parlamentarët (1 më shumë se gjysma).
Por a do ta pranojë Meta këtë sistem që duket se po gatuajnë Rama e Basha në distancë? Kuptohet që jo. Kjo, sepse në betejën mazhoritare për senatin, kandidatët e LSI-së nuk kanë gjasa të dalin të parët në garat me ata të PS-së dhe PD-së (përjashtim mund të bëjë qarku i Beratit, ku kandidati i LSI-së mund ta lërë prapa atë të Ps-së dhe të PD-së). Ndërsa në garën proporcionale për deputetë, LSI-ja, si një subjekt më vete, mund të marrë rreth 10% të 80 deputetëve. Një numër i vogël ky për të kushtëzuar krijimin e qeverisë së ardhshme, po të kihet parasysh se subjekti i parë do të marrë 20 mandate plus si prim…
Dhe si mund ta ndalojë Meta një skenar të tillë? Duke luajtur kartën ekstreme – rrëzimin me vota në Kuvend të kryeministrit Rama, në bashkëpunim me opozitën. Pikërisht një sinjal të tillë mund të ketë marrë Berisha, kur deklaroi para disa ditësh se, parimisht, dakord është me sistemin me prim, por jo kur përdoret si mjet për të dëmtuar një parti të veçantë (nënkupto LSI-në).
Thënë të gjitha këto, pyetja është nëse do të kemi vërtet një ndryshim të sistemit zgjedhor? Përgjigjen e kësaj pyetje duket se do ta japë zgjidhja e ekuacionit politik Rama-Basha-Meta-Berisha…