Pritet vrasje tjetër në lagunë

Nga Frrok Çupi

Vrasja mund të ndodhë sot, ose mund të mos ndodhë as nesër e pasnesër. Por krimi tjetër do të ndodhë patjetër në lagunë.

Në cilën nga lagunat?

Disa thonë se Patoku e kaloi radhën e vet, aty ndodhi para dhjetë ditësh ku një deputet i Kuvendit qëlloi mbi familjen e një peshkatari. Patoku është një nga lagunat me famë, ndodhet diku në derdhjen e Matit. Emri Patok i kësaj lagune na ka vënë shpesh në mendime pse vallë një oaz peshku dhe ngjalash thërritet me emrin e patës, ose të patokut…

Lagunat tona janë mbuluar gjithnjë me mister, njësoj siç janë të rrethuar nga ujëra të kripur e të ëmbël dhe fshehur nën pemë lloje- llojesh, as shkurre as pisha, as kallamishte as barishte; dhe, njëkohësisht të gjitha së bashku. Edhe periudha e diktaturës komuniste, më e zeza në jetën e njeriut, në Patok kultivonte fazanë për t'i gjuajtur nomenklatura e lartë komuniste. Por megjithatë, udhëheqja komuniste vazhdoi ta quante Patok. Kudo tjetër diktatura i ndryshoi emrat e vendeve sipas dëshirës së vet. Madje fazanët i kishte vendosur në rezervate ku nuk kuptohej nëse ndodhej ndonjë gjallesë aty.

Misteri i lagunave kurrë nuk mori fund, edhe pse thanë se diktatura komuniste kishte marrë fund. Në lagunë, në epokën e demokracisë, u shtua misteri. Aty erdhën shpesh herë ministra, madje edhe ministra të brendshëm, kinse për të drekuar me homologë të huaj. Gazetarët naivë e të përdorur iu bënë jehonë këtyre vizitave sikur drekat të ishin aq te pafajshme sa vetë patat e patokut. Por pas drekave kishte mister, padyshim.

Ministrat vinin haptazi në sy të gazetarëve me qëllim që të mbulonin dhjetra vizita të fshehta. Ministrat dhe zyrtarët e lartë të shtetit iu janë qepur lagunave për t'i shtënë në dorë.

Dhe në fakt lagunat janë në duar të mafias të përfaqësuar prej urdisë së pushtetarëve të lartë. Nuk e dëgjuat si kërciti arma në lagunë dhe shtiu vetë ligjvënësi, përfaqësuesi më i lartë i shtetit!? Ishte vetë pronar.

Kaq fort janë të mbuluara lagunat me mistër, të gjitha lagunat e vendit tonë. Diku, atje në Divjakë rriteshin kuaj të egër, diku zbarkonin vrasësit e udhëheqësit komunist Hoxha, diku vritej fshatari i vobektë Miti dhe regjizorët e kohës së  komunizmit ndërtonin filma naivë sikur artistja Margarita Xhepa e kishte gjetur shkaktarin e vrasjes në lagunë.

Laguna që ka mbetur akoma pa lajm, është Vaini. Vaini shtrihet atje ku sapo kalon plazhin e Tales e deri në Shëngjin të Lezhës. Aty nuk pipëtin gjë. Duket se një dorë e kujdesshme po e mban larg zhurmave dhe lajmeve të gazetarëve. Veç një restaurant i famshëm me emrin e një gruaje, Diella, ndodhet në hije pishash, por kurrë nuk është thënë se Diella ndodhet në lagunë. Mister. Edhe Diella nesër mund të mos jetë më aty.

Po pse është nderë gjithë kjo heshtje në lagunën e Vainit, që në fakt përkon me fjalën "vaj" ose të qara?!

 Edhe kjo ka arsye. Të gjithë e dinë se Vaini është blerë nga kryetari i Kuvendit të  Shqipërisë, siç edhe është blerë laguna e Patokut nga deputeti që qëlloi me armë kundër peshkatarit të lagaunës në Patok.

A do të qëllojë në Vain vetë kryetari i Kuvenit, i cili në raportin konfidencial  të OSBE është përmendur si "porositës i dy vrajeve"!? Sigurisht që jo.

Por a mund të jetë Vaini laguna ku mund të ndodhë vrasja tjetër?…. Vaini ose Karavastaja, ose Bregu i Matës, ose Tale? pavarësisht cila, lagunat tani janë vendi ku do të ndodhë krimi.

Sepse lagunat janë të mbuluara me mister, sepse lagunat janë të mbuluara me bimësi të çuditshme, sespe lagunat mbartin një heshtje mortotre natë e ditë, sepse lagunat janë pasuri e pastër dmth., pasuri pa derdhur pikën e djersës.

Arsyeja mbi të gjitha arsyet është se lagunat janë okupuar o nga kriminelë që vuajnë në burgje si Aldo Bare në Karavasta, ose pasuri e udhëheqësve të lartë. Ja si vjen puna, edhe vetë Aldo Bare që thonë se luante futboll me koka njerëzish, u burgos veç kur u shpall pronar në lagunë. Disa të tjerë, më të fortë në krim, i vunë prangat atij që iu zuri lagunën.

Krimi tani e tutje do të mund të quhet Lagunë.

…Por laguna është edhe alegori e krimit në Shqipëri. Jo veç lagunat, por gjithë pauri e vendit po okupohet pak nga pak prej udhehqësve të shtetit. Jugu i vendit me bregdetin e kaltër nuk është më pronë e banorëve të lirë të vendit. Tashmë dihet se kryeministri dhe një deputet i afërt i tij thuajse kanë shpallur pronësi të paluajtshme. Dihet se është bllokuar gjithçk në bregun e jugut, madje edhe pushimet e Presidentit të Republikës, veçse për pronarët që janë në kupolë të qeverisë. Pas dy ose tre vjetësh do të paguajmë para për të kaluar rrugës së Jugut. Siç paguajnë njerëzit të Fresku për të kaluar në lagjen e ish presidentit të Republikës. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë lëshoi një rapaort se kryeministri aktual ka një pasuri prej afër një miliardë euro (750 milionë). Edhe shokët e tij, sipas OSBE, kanë ngritur ekonomi kriminale. Po kalove nga ekonomia e tyre, do të ketë vrasje…

Ja laguna tjetër në veri të vendit:

Vriten në Bulq,izë, vriten në Kukës, vriten në Lezhë. Kromi i Bulqiës dhe i Kukësit janë okupuar nga zyrtarët e lartë të shtetit, banorët e zonave mezi mbahen për bukën e gojës.

Gjithë vendi është kthyer në lagunë. Aty do të ndodhë krimi tjetër shtetëror i radhës. As Margarita Xhepa nuk do të jetë aty rrotull që të thërrasë e vajtojë: "Të vranë o Miti, të vranë!"

Lagunat që janë fatakeqet e vetvetes, e mbajnë përbrenda misterin.

SHKARKO APP