Privatizimi i mediave në Serbi: Nuk duhet humbur kontrolli
Komunat në Serbi duhet të privatizojnë mediat nën pronësi. Kjo ka sjellë debat të madh në Serbi: Ku ka më shumë censurë në median private apo shtetërore?
Në sfond Beogradjanka -qendër zyrash. Studio B transmenton nga katet e sipërme
Shteti duhet të heqë dorë nga mediat – kjo është një nga detyrat e shtëpisë që BE vendos për vendet që duan të integrohen në BE, thonë politikanët në Serbi prej vitesh. Një debat i vjetër rindizet: Duhet të privatizojë shteti, qytetet dhe komunat mediat e krijuara prej tyre – gjithsej 74? Para një viti u miratua ligji përkatës, e tani kanë dalë në shitje- radio, gazeta dhe portale informative. Një ofertë e larmishme: nga transmentuesit e provincave, që mund të blihen për disa mijëra euro, deri tek agjencia shtetërore e lajmeve, Tanjug, apo programi i Beogradit „Studio B“, i njohur për luftën kundër regjimit autoritar në vitet 90-të.
Më shumë apo më pak liri?
Dhe pikërisht „Studio B“ është kthyer në një provë kyçe për përkrahësit e privatizimit se shteti duhet t‘i mbajë larg duart nga mediat. „Ky transmentues është nën presion të madh dhe ndikim absolut të partisë qeverisëse“, thotë Rade Veljanovski nga Fakulteti i Beogradit për Shkencat Politike. Fjala është për partinë e Progresit, e cila që nga marrja e pushtetit e mban nën kontroll këtë transmentues shtetëror. Me shpejtësi u vendos si kryeredaktore një person pro qeverisë, e në vend të emisioneve analitike, „Studio B“ transmenton tani programe ku festohen projektet e kontestuara të qeverisë, si psh „Beogradi në ujë“. Për Veljanovskin që ka punuar për ligjet e reja të mediave është e qartë: Varësia nga politika është ogur i keq për gazetarinë.
Këtë e ka demonstruar pa hezitim klasa politike e drejtuar nga kreu i qeverisë, Aleksandar Vučić. Gazetarët kritikë mënjanohen. Në konferenca shtypi të transmentuara live, Vučić i shan kritikët si kundërshtarë të agjendës proeuropiane të reformave. Prandaj qeveria ka marrë disa herë kritika edhe nga OSBE. Por pushtetarët mohojnë çdo lloj tentative për ndikim ndaj mediave. Megjithatë me privatizimin duam të zvogëlojmë hapësirën për presion politik ndaj raportimit mediatik, kështu i përgjigjet Ministria e Kulturës dhe Mediave një kërkese të DW-s. „Ideja e tërheqjes së shtetit nga struktura e pronarit siguron një pozicion startimi të njëjtë për të gjitha mediat“, thuhet aty.
Gjermania si model?
Një qeveri që heq dorë vullnetarisht nga kontrolli i mediave të financuara drejtpërdrejt prej saj? Zoran Nikolić është skeptik. Drejtori i portalit mediatik "Cenzolovka" mendon se pas kësaj ka një strategji të caktuar, të kesh ndikim me më pak shpenzime buxhetore. „Influencimi politik sot bëhet në radhë të parë përmes të ardhurave nga reklamat“, thotë ai. Disa agjenci publicitare të mëdha veprojnë si tregtarë të mëdhenj për hapësirat e publicitetit, sekondat në radio e televizion dhe komandojnë kështu rrjedhjen e parave. „Këto agjenci i përkasin ose funksionarëve të mëdhenj të partive qeverisëse ose janë shumë të afërt me ta“, thotë eksperti i mediave. „Me këtë kontrolli bëhet i tërësishëm.“
Zyrtarisht Serbia ka 1.447 media, ndër to 110 televizione dhe 325 radio. Shumë për një vend të dobët ekonomikisht me rreth 7 milionë banorë. Zoran Nikolić mendon po ashtu se numri është i madh, por ai shton se vetëm një rrjet i transmentuesve publikë mund të sigurojë gazetarinë cilësore. „Në strategjinë mediatike të mëparshme bëhej fjalë për 6 transmentues rajonalë. Tani raportimi me interes publik i është lënë mëshirës tregut të lirë. „Kjo do të kërkojë një komercializim të ri – reality show, telenovelat turke dhe amerikanoleatine, shtypi bulevardesk janë që tani një tendencë e qartë në Serbi.
Vetëm dy transmentues publikë do të mbeten. Radio Televizioni i Serbisë, dhe një transmentues për provincën multietnike të Vojvodinës, RTV. Për metropolin e Beogradit, apo për shqiptarët në jug do të mbeten vetëm transmentues privatë. Prandaj disa vëzhgues bëjnë fjalë për vdekjen e gazetarisë lokale.
Gazetarët para zgjedhjes
Kjo e zemëron profesor Veljanovskin. Gjithnjë „të uniformuarit“ si i cilëson ai, flasin për një ndjekje të modelit gjerman. Por një rrjet i financuar nga tarifat për radio-televizionin është ide absurde për Serbinë. Gjermania dhe Serbia janë dy botë të ndryshme ekonomikisht. “Në Serbi bëhet fjalë për një shumë magjike prej 100 milionë eurosh për RTS dhe RTV. Kjo nuk qëndron në proporcion me 10 miliardë eurot që mbledh Gjermania vit për vit për mediat publike. Privatizimi është për Serbinë një gjë e detyruar, thotë Veljanovski. Por komunat nuk mund të shpresojnë për shumë të ardhura, sepse shumë nga transmentuesit lokalë janë të zhytur në borxhe dhe nuk gjejnë blerës.
Qindra gazetarë dhe të punësuar do të ndodhen para zgjedhjes: ose të blejnë vetë aksione të transmentuesit të tyre të rrënuar – që e duan shumë pak vetë, ose të marrin 200 euro nga shteti për vit pune dhe të mbeten pa punë në një vend ku kërkimi i një vendi pune mund të krahasohet me detyrën e Herkulit. Sidomos për gazetarët që duan të jenë të pavarur.