Problemi është që për ÇEZ ka vetëm hetim ndërkombëtar!

Nga Mero Baze

Në një përpjekje për t’i ikur hetimit të tij në aferën e ÇEZ, ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar sot një shashk në parlament duke kërkuar hetim ndërkombëtar për aferën e ÇEZ dhe duke bërë sikur i qan hallin socialistëve, se ata nuk janë të përzierë në atë histori.

Qëndrimi i tij është sa spekulativ aq dhe ilustrues për panikun që ka, se mos nisë një hetim në Tiranë ndaj kësaj afere. Është spekulativ, pasi nëse flasim deri më sot për hetim të skandalit të ÇEZ, flasim vetëm se ndaj tij ka një hetim ndërkombëtar. Në Pragë ka nisur çështja penale ndaj ish-drejtorit të ÇEZ dhe po shqyrtohet po ashtu padia e një prej kompanive seksere të Kastriot Ismailaj ndaj ÇEZ lidhur me kontratën e mbledhjes së borxheve. Nga ky hetim kanë dalë gjithë ato që kemi parë e lexuar dhe gjithë ato që nuk duam të hetohen në Tiranë.

Pra nëse ka një problem në këtë histori është se për të ka vetëm një hetim ndërkombëtar dhe jo hetim vendor në Tiranë.

Hetimi ndërkombëtar deri tani ka provuar se një prej shtatë kompanive ka qenë e ndikuar politikisht nga Meta dhe Berisha përmes ambasadorit tonë në Pragë, por deri këtu është klientelizëm. Gjëja më e rëndë në atë hetim është se, është provuar që kompanitë seksere në të cilat së paku dy janë familjarë të rrethit të afërt të Berishës, kanë ndikuar tek ERE që ajo të ulë çmimin e energjisë elektrike që do blente nga KESH. Më tej akoma, Kastriot Ismailaj ka marrë një kontratë konsulence 1.5 milionë dollarë për studim tregu dhe atë e ka bërë me Petrit Ahmetaj, kreun aktual të ERE-së sot, i cili ka devijuar rreth 170 milionë lekë në llogarinë e një kompanie të vëllait të tij, ish- kryeministrit Vilson Ahmetaj. Pra shihet qartë se ÇEZ ka kapur shtetin e Sali Berishës, ka detyruar Boden dhe Berishën për shkak të kompanive seksere “alla” Ismailaj që kishin në mbledhjen e borxheve të ulin çmimin dhe të fitojnë rreth 30 milionë dollarë. Ky është krim i provuar dhe i firmosur nga Sali Berisha dhe Ridvan Bode. Krimi që Meta ka pasur mik Ismailaj, krimi që Berisha ka nipa e mbesa Breçanët, krimi që Bode ka pasur kompaninë e tij dhe krimi që edhe çekët kishin dy prej këtyre kompanive merret me mend, por influenca për të dëmtuar shtetin është bërë tek Ridvan Bode dhe Sali Berisha. Ndaj Prokuroria shqiptare duhet të nisë hetimin këtu.

E dyta, u takon socialistëve shqiptarë. Ata nuk janë përgjegjës për atë që ka ndodhur, por emërimi dhe qëndrimi ende në krye të ERE-së i Petrit Ahmetaj, i kompromenton ata. Nuk e njoh aftësinë e tij profesionale dhe as karrierën e tij, por mjafton fakti që ai është personi kyç në qendër të një historie klienteliste për të bërë pis pushtetin e ri me pisllëqet e pushtetit të vjetër. Edi Rama duhet t’i kërkojë atij dorëheqjen në shenjë distance nga ky skandal dhe Prokuroria shqiptare duhet të nisë hetimin për kapjen e shtetit dhe dëmin prej 30 milionë dollarësh, që me firmë të Ridvan Bodes dhe Sali Berishës, nën ndikimin e klientëve të tyre, i kanë ikur taksapaguesve shqiptarë.

Është pikërisht kjo histori që e tremb Sali Berishën dhe bën sikur sfidon, duke thënë duam hetim ndërkombëtar për këtë aferë.

Hetimi për ÇEZ është ndërkombëtar dhe po zhvillohet në një vend anëtar të Bashkimit Evropian ku nuk është gjyqtar Gjin Gjoni dhe Petrit Çomo, që i thonë të bardhës të zezë, por gjykatës perëndimor. Por ai është hetim për llogari të çekëve dhe shtetit çek. Ata duan të shikojnë ku janë dëmtuar dhe a është kapur shteti i tyre nga pazaret e ÇEZ në Shqipëri. Pala shqiptare duhet të nisë hetimet e saj për kapjen e shtetit shqiptar në këtë histori. Këtu nuk është çështja që duhet hetim ndërkombëtar. Problemi është se për këtë çështje ka vetëm hetim ndërkombëtar, nga ato hetime që nuk e prekin Sali Berishën.

TEMA

SHKARKO APP