Produkti i parë “Made in Basha”
Nga Mero Baze
Njazi Kosovrasti më është dhimbsur sot. Jo se bëri ndonjë gabim apo mbajti ndonjë qëndrim të gabuar, por për shkak të atyre që e rrethonin në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Ish-ministri i parë i pushtetit lokal në Shqipëri prej vitit 1992, ishte i rrethuar ose nga një tufë këshilltarësh kokëbosh, ose nga disa ish-socialist që mu desh kohë të kthjellohesha se ishin të PD-së. Mu dhimbs Kosovrasti, pasi përveçse është një ndër ekspertët më të mirë të Shqipërisë sa i përket njohjes së territorit dhe ndarjeve administrative, është dhe një këshilltar nderi i Tiranës, pasi ka së paku 6 mandate që rri ulur në ate sallë, herë si drejtues e herë si anëtar. Ai ka qenë polemizuesi më i ashpër me Edi Ramën, toleranti më i madh për çështje jetike të kryeqytetit dhe zgjedhësi më praktik i shumë prej ngërçeve që krijohen në qeverisjen e Tiranës.
Për shkak se s’e kam marrë shumë seriozisht Lulzim Bashën si kryetar të PD-së, mendoja se dhe listën e këshilltarëve ia ka caktuar Berisha. Por në fakt isha gabuar. Lista e këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës është produkti i parë politik i Lulzim Bashës si kryetar. Duke qenë se këto ishin zgjedhjet e tij të para si kryetar formal i PD-së dhe se Bashkia e Tiranës ishte pronë e tij, lista e këshilltarëve është një dëshmi se çfarë i ofron nga pikëpamja e burimeve njerëzore ky njeri, Partisë Demokratike.
Njëri që fliste në krah të Kosovrastit, zoti Olli, më është fiskuar gjithmonë si zëdhënës i ministrave socialistë ose KQZ-së kur drejtohej nga socialistë dhe mezi u kthjellova që ai tani është demokrat. Një tjetër me emrin Akil, më dukej se thembrën e kishte në tru dhe nuk kishte asnjë lidhje, as me politikën e PD-së dhe as me të sjellurit si përfaqësues i një force të madhe politike në një debat serioz. Pjesa tjetër e këshilltarëve ishin pa emër, pa fytyrë, por thjesht numra që mbushnin një sallë. Nuk është se nga shumica kishte yje, por së paku janë rreth dhjetë figura që mbajnë peshën dhe artikulojnë politikisht qëndrimet e partive të tyre.
Ata që përfaqësonin aty PD-në, e them me qetësi të plotë që nuk kanë asnjë lidhje me PD-në, por natyrisht janë shumë të lidhur personalisht me Lulzim bashën.
Problemi në këtë rast, nuk është pse Basha ka zgjedhur njerëzit e vet. Mirë ka bërë, se të vetët duhet të zgjedhë, po përse nuk ka bërë kujdes të gjejë ndonjë njeri politik që të bjerë era PD kur flasin apo debatojnë. Njazi Kosovrasti më është dukur sot si senator edhe pa folur fare, kur shikoje se në ç’nivel e degradonin bisedën këshilltarët e Bashës dhe çfarë përfaqësimi politik i bënin PD-së.
Aq banal, sa dhe një batutë e Erion Veliajt për taksën e qenëve luksoz, duke e ilustruar me qenin e ish-çiftit Berisha, u kthye në problem, pasi u dukej se po cënohej dinjiteti i Zenit.
Në një debat, ku problem kryesor është ndarja e mbi 200 banesave sociale që PD-ja nuk i ka ndarë për katër vitet që shkuan, për shkak se donte t’i jepte shtëpi çdo milioneri që ishte rrotull Bashës, e vetmja gjë që duhej bërë ishte të kërkonin ndjesë, të ngrinin dorën dhe të vazhdonin më tej.
Problemi nuk është vetëm tek cilësia politike e Këshillit Bashkiak, por tek modeli që Basha ka inaguruar për të bërë politik në PD. Ajo tufë këshilltarësh nuk vlen as si besnike, pasi nuk ka asnjë grintë politike dhe asnjë shans që të formësojë politikanë të rinj në një parlament, i cili ka shumë rëndësi për të promovuar figura të reja.
Modeli i këshilltarëve të Bashës, është i dëmshëm kryesisht për Bashën. Besnik i zgjidhte dhe Sali Berisha, por përfytyro që mes atyre besnikëve, Kosovrasti dukej i zakonshëm. Sot e kuptova pse shumë figura të PD-së refuzuan të kishin emrin në listën e këshilltarëve para zgjedhjeve. Sot Kosovrasti më dukej si i vetmi senator i Tiranës, që bënte aq kontrast me prurjet e reja, sa ai duket e vetmja gjë e re në atë sallë mbushur me çiliminj.
TEMA