Profesioni i ri në Shqipëri, vrasës me pagesë
Policia e Vlorës njoftoi sot se është arrestuar një person që do të kryente vrasje me pagesë.
Luka (Rustem) Sherifaj, 42 vjeç kishte marrë 15 mijë euro për të kryer vrasjen. Detajet e policisë zbardhin gjithë skemën për të kryer eliminimin e shtetasi me iniciale L.J., 53 vjeç, banues në Lepenicë. Ky person në vitin 2003 ka vrarë me armë zjarri shtetasin Bujar Alliaj (vëllai i porositësit), krim për të cilin është dënuar me 10 vjet burg, dënim të cilin e ka vuajtur.
Gjithë detajet tregojnë se 42-vjeçari Sherifaj kishte ngritur një skemë për ekzekutimin të ngjashme me ato të filmave. Madje, vrasësi i pretenduar kishte skicuar dhe gjithë zonën ku do kryehej krimi. Banesën ku ndodhej viktima, rrugën ku do të lëvizte dhe rrugën nga ku do të largohej pas kryerjes së krimit. Të gjitha këto flasin se Sherifaj nuk e ka pasur herën e parë që kryente diçka të tillë.
Deklarata e policisë
Policia e Vlorës arreston një vrasës me pagesë, duke zbuluar e goditur të gjithë zinxhirin kriminal, që nga porositësi i vrasjes e deri te ekzekutori i saj dhe një bashkëpunëtor i tij. Policia arrestoi në flagrancë, pak çaste përpara se të kryenin vrasjen, në afërsi të fshatit Lepenicë shtetasit: Luka (Rustem) Sherifaj, 42 vjeç, lindur në Varibop të Fierit, dhe banues në Vlorë dhe Ledjon Muho, 24 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë.
Arrestimi u krye pas informacioneve të grumbulluara nga Policia në rrugë operative, në momentet kur Luka Sherifaj po kryente veprime konkrete për të ekzekutuar planin e tij për kryerjen vrasjes në fshatin Lepenicë. Në të njëjtin automjet me të, teksa po përpiqej t’i shpëtonte policisë u kap edhe shtetasi Ledjon Muho, që dyshohet të jetë bashkëpunëtor në këtë ngjarje.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
1. Automjeti “Land Rover” me targa “AA334DV”;
2. Një armë zjarri automatik model 56 (Kallashnikov);
3. Doreza dhe maska për të mbuluar fytyrën;
4. Tuta kamuflazh;
5. Ushqime
Nga hetimet e kryera dyshohet se personi, i cili kishte porositur vrasjen është shtetasi Mesin Alliaj, 55 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gjorm, i cili u arrestua në flagrancë. Objekt i sulmit kriminal ishte shtetasi L.J., 53 vjeç, banues në Lepenicë. Ky person në vitin 2003 ka vrarë me armë zjarri shtetasin Bujar Alliaj (vëllai i porositësit), krim për të cilin është dënuar me 10 vjet burg, dënim të cilin e ka vuajtur. Shuma që porositësi u kishte premtuar ekzekutorëve dyshohet të jetë 1,5 milion lekë në fillim dhe pas kryerjes së krimit do tu jepte edhe një shumë tjetër, ende të pasaktësuar. Gjithashtu nga hetimet ka rezultuar se Luka Sherifaj prej disa kohësh vëzhgonte personin që do të vriste dhe se pas kryerjes së krimit ai do të largohej nëpërmjet zonave malore në afërsi të fshatit, sipas një skice të detajuar që ishte përgatitur më parë nga porositësi. Vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj çështjeje, ndërkohë që materialet procedurale do ti referohen organit të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë për veprat penale "Vrasja për gjakmarrje" në bashkepunim e mbetur në tentative dhe "Armëmbajtje pa leje", parashikuar nga nenet 78/a, 25, 22, 278/4 të Kodit Penal.