Profesori Gjovalin Shkurtaj: Çfarë duhet të bëjë qeveria sot për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit

Nga Gjovalin Shkurtaj –
Sot Italia, fqinji ynë por edhe vendi ku jetojnë e punojnë pothuajse 1 milion shqiptarë është kthyer në vatrën më të madhe të koronavirusit pas Kinës. Numri i vdekjeve po shtohet dita- ditës ashtu siç është duke u shtuar dhe numri i të prekurve nga kjo sëmundje.

Të gjithë po mundohen të përfitojnë politikisht dhe ekonomikisht nga kjo situatë. Ajo që duhet të bëjë qeveria shqiptare është të mos ndjekë shembullin e keq të Italisë, por,duke vënë në lëvizje të gjitha forcat e ligjit dhe të normave qytetare e morale, të jetësojë masa të tilla si më poshtë:

1. Të shpalle gjendjen e jashtëzakonshme dhe të kërkojë që të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë të ngujohen në shtëpitë e veta për të paktën 2 javë nga dita e sotme. Vetëm policia, ushtria, mjeket dhe ata që vërtet kanë hall të lejohen të dalin;
2. Të sigurojë sa më parë testet e virusit dhe t’i shpërndajë ato në poliklinikat e lagjeve apo qyteteve;
3. Të sigurojë rendin dhe shërbimet publike (ujë dhe drita) përgjatë këtyre 15 ditëve;
4. Të mbyllë menjëherë të gjithë transportin ajror dhe ujor me Italinë dhe vendet e Evropës dhe Azisë.
5. Të gjithë shtetasit që hyjnë në territorin shqiptar, qoftë nga ajri, qoftë nga deti apo toka të futen në karantinë dhe ngujohen për 15 ditë.

Po nuk bëmë dot sa më sipër, ne do të gjendemi në një situate më të keqe se fqinji ynë Italia.

Kurrë më shumë se sot nuk ka pasur vlerë fjala e urtë që thotë: secili të kujdeset për veten dhe Zoti për të gjithë.
Qofshi mirë!

SHKARKO APP