PROFILI/ Koço Kokëdhima, otomani i socialistëve dhe “vëllai” i Ramës
Kur e shpalli Koço Kokëdhimën, fitues të disa tendera për privatizimin e pasurive publike, Anastas Angjelit nuk kishte si t’i shkonte në mendje se do të vinte dita që ai do t’i kthehej në shefin e tij më të rreptë brenda Partisë Socialiste. Por ja që ndodhi. Sot, Koço Kokëdhima është komisari i Jugut ose siç e quajnë ndryshe kryeministri i Jugut të Shqipërisë, prej nga vjen si deputet edhe Anastas Angjeli. Për t’i shpëtuar Koços, Anastas Angjeli është transferuar së fundmi në Shqipërinë e mesme si deputet kujdestar për të ndjekur riorganizimin e PS-së në Peqin.
Por cila është rruga që ka ndjekur Koço Kokëdhima për të ardhur deri këtu..?
Para se të zgjidhej si deputet në PS, Koço Kokëdhima njihet si sipërmarrës. Falë ndihmës që i kishte dhënë “Caci” dhe shokët e tij ministra socialistë, por kryësisht Edi Rama, kryëbashkiak i Tiranës, Koço Kokëdhima nisi shumë shpejt të japë leksione “si të bëhesh milioner”. Leksionet e tij të “vyera” vinin për publikun përmes radios së tij “Plus 2”, gjithashtu investim i Koços për shkak të aftësive të tij si biznesmen.
Por karriera e tij si sipërmarrës dhe politikan nuk është e ndarë. Origjina e angazhimit të tij në politikë është më e hershme se sa në biznes. Koço Kokëdhima ka qënë Sekretar i Parë i Rinisë Komuniste (BRPSH) qysh në vitin 1980 dhe për këtë ai nuk ndjen aspak siklet. “Është një kohë tjetër që i takon historisë dhe nuk mund të diskutohet, se nuk bën as sens, as interes”, përgjigjet Koço kur e pyesin për lidhjet e tij më Partinë e Punës së Shqipërisë. Kjo është përgjigja që të jep çdo komunist i kthyer në socialist apo edhe në demokrat, ”Se e tillë në fakt është historia e Shqipërisë”, thotë Koço e të tjerë që janë produkt i saj, produkt i padrejtësive të fillimit. Atë që profesori i socialistëve, Servet Pëllumbi, e ka quajtur Katovicë. Shumica ia njohin kuptimin dhe për ata që nuk e dinë, është fjala për marrëveshjen e fshehtë, për mbajtjen e pushtetit në dorë të komunistëve pas rrëzimit të sistemit komunist. Nuk ishte vetëm Koço Kokëdhima, por ka shumë të tjerë që e kanë origjinën në kohën e PPSH-së politikanë e biznesmenë, janë shumica, e cila e mund një pakicë të papërfillshme që nuk ka asgjë në dorë e që i bën fresk skalionit të parë të politikës. Koço Kokëdhima dhe shokët e tij sipërmarrës e politikanë tani kanë të drejtë, tek thonë le të merren historianët me të shkuarën. Këtë ka nisur ta artikulojë edhe Rama, për të cilin Koço Kokëdhima thotë se e ka si vëlla.
Kokëdhima përmendet nga opozita se kishte përfituar nga tenderat e Ministrisë së Kulturës, kur Edi Rama ishte ministër dhe të Bashkisë së Tiranës, kur ishte kryetar i saj. Dhe, në fakt është e vërtetë. Koço Kokëdhima i është gjendur Ramës në çdo moment, kur sulmohej qoftë nga brenda patisë edhe nga jashtë saj, pra nga armiku i brendshëm dhe i jashtëm siç do quhej me gjuhën e Koços. Në këtë vëllazëri të ngushtë, Edi Rama vendosi ta bëjë Koço Kokëdhimën deputet të PS-së në zgjedhjet e vitit 2013. Dukej kaq e pabesueshme për socialistët e hershëm, ata që quhen “senator” të kësaj partie. Pak vite më herët nuk do ta kishin besuar, por ja që ndodhi. Koço Kokëdhima u betua si deputet i PS-së bashkë me 63 të tjerë, në Kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. E kishte merituar këtë mandat, sepse ishte edhe kumbar i “martesës” së shumëpritur Rama-Meta në 1 prill të atij viti.
Pasi u betua si deputet i PS-së për Vlorën, Koço Kokëdhima tha se do të ishte një deputet i thjeshtë i grupit të socialistëve dhe nuk do të synonte nivelin e lartë të politikës. Por jo, nuk paska qënë e thënë, sepse Koços iu desh për dy vite të bredhë sa nga Saranda në Vlorë, sa në Gjirokastër për të parë se si ecin punët e partisë dhe ato paskëshin shkuar për dreq. Kështu, Koços iu desh të linte pas modestinë e të hynte në aksion për ta shpëtuar partinë dhe bashkitë e këtyre anëve. Kokëdhima mori nën kujdestari dy zona: Sarandën dhe Vlorën. Për dy vjet u “ngul” në zyrën e kreut të Bashkisë, Stefan Çippa duke iu bërë “ferrë”, tek i tregonte se kë duhet të emëronte dhe kë jo. Gjithmonë për të mirën e partisë. Vetëm pas një viti në pushtet një kamera e fshehtë tregoi njeriun kryesor të Kokëdhimës në Sarandë duke ngacmuar seksualisht një grua që i kërkonte të sillte vajzën e vogël në këmbim të një vendi pune.
Por, nuk mbaron me kaq. Menjëherë pas operacionit të Policisë në Lazarat, ku u korr droga e mbjellë, Kokëdhima doli në publik duke bërë thirrje për legalizimin e kanabisit. Tezë, e cila solli në shumë zona të jugut një shtim të sipërfaqës së kultivuar me bimë narkotike. Megjithëse shumë nuk e morën seriozisht, për ndërkombëtarët kjo u pa si deklaratë serioze dhe reaguan duke tërhequr vëmëndjen qeverisë. Kjo ide e Koços për momentin është lënë jashtë vëmëndjes, por nuk është asgjesuar si rrënjët e bimës në parcalet e Lazaratit. Para zgjedhjeve vendore, Kokëdhima arriti të nxjerrë kandidatë njerëzit e dalë nga “sqetulla” e tij duke rrezikuar humbjen në Sarandë, ndërsa në Vlorë shkaktoi abstenim të një pjese të madhe të elektoratit të majtë. “Por nuk keni parë gjë akoma!” thotë Edi Rama, i cili e emëroi pas zgjedhjeve të 21 qershorit, komisar të Jugut që do të thotë menaxhim i PS-së për të gjithë këtë zonë të vendit. Kjo shkaktoi përplasje të madhe në gjithë listën e deputetëve dhe thuajse të tërë ngritën krye ndaj atij që vetë deputetët socialistë e quajtën me “beu i Jugut” apo akoma më keq “pasha”.
Dy nga parlamentarët kryesorë, Valentina Leskaj dhe Fatmir Toçi janë shpallur armiqtë e Koços, pasi kanë shfaqur kritika për të në disa mbledhje të grupit parlamentar. Gjithsesi Kokëdhima nuk e ka zakon të tutet në kësi rastesh. Ka shkuar më tej duke bërë armik dhe njeriun e fortë të PS-së, Gramoz Ruçin, i cili i përpiqet t’i bëjë ballë Koços me aq sa ka në dorë, i mbledh mungesat në çdo mbledhje grupi parlamentar. Kurse Rama rri e vështron, se si rritet dita ditës njeriu, të cilit i ka besuar shumë asete të këtij pushteti. Albpetroli kryesori, që drejtohet nga njerëzit e Kokëdhimës të “rritur” në kantierët e lagështa të “2K Group”.
Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Pandeli Majko, Bashkim Fino, Fatmir Xhafa, Valentina Leskaj dhe padyshim Anastas Angjeli, qëmtojnë se si pushteti i tyre në PS-së po u rrëshket nën këmbë. Në fund të fundit për këtë u investuan të gjithë, kur heshtën ballë çdo eksperimenti që Rama kreu në krye të PS-së në këto dhjetë vite.(Marre nga Tema)
Shënim:
Kokëdhima është sot njeriu numër dy në PS dhe duket se pas kongresit të 19 marsit do të zëvëndësoj Gramoz Ruçin.