Projektligji Basha-Berisha për të mos hetuar ÇEZ

Nga Mero Baze

Projektligji i paraqitur sot nga Partia Demokratike rreth çështjes së ÇEZ, është një përpjekje e qartë për të bllokuar hetimin e aferës korruptive të mënyrës sesi është privatizuar kompania ÇEZ, si është rrjepur ajo nga firmat seksere të pushtetit dhe si ka përfunduar në një piramidë borxhesh që po i merr frymën ekonomisë shqiptare. Projektligji Basha-Berisha i paraqitur sot, anashkalon çdo çështje thelbësore korruptive që kanë lidhje me kompaninë ÇEZ dhe përqëndrohet vetëm tek hetimi mbi ligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të funksionarëve publik apo personave privatë, gjatë marrëdhënies midis shoqërisë “Debt International Advisory, DIA” dhe shoqërisë “ÇEZ SHPËRNDARJE”, si dhe akuzave të bëra publike për veprime korruptive.

Dhe si pikë të dytë për hetimin kërkojnë sa për sy e faqe mënyrën sesi qeveria shqiptare mbylli kontratën me ÇEZ duke shmangur gjyqin dhe veton çeke kundër marrjes së statusit si kandidat për anëtarë në Bashkimin Evropian.

Duke mos marrë parasysh faktin që hetimi ndërkombëtar po refuzohet nga ata ku po trokasim, i cili është një anë e problemit dhe sikur ta injorojmë këtë, përmbajtja e projektligjit jo vetëm që shmangë hetimin e ÇEZ, por është një përpjekje për t’i vënë kapak korrupsionit dhe rrjepjes, që qeveria Berisha i bëri ekonomisë sonë, fillmisht me privatizimin korruptiv dhe pastaj me kompanitë seksere dhe zbimin si banditë nga Shqipëria.

Që të rikuptojme dhe njëherë çështjen e korrupsionit galopant në Shqipëri ai nuk qëndron as tek ajo çfarë vjedhin mjekët, mësuesit apo policët në rrugë dhe as tek ajo çfarë vjedh ndonjë zyrtar në ndonjë tender, por tek fakti që Sali Berisha privatizoi sektorët kyç të ekonomisë shqiptare dhe i falimentoi ata, duke i dorëzuar si piramida ditën që iku nga pushteti. Ai privatizoi kompaninë e vetme të naftës shqiptare Armo, përmes një procedurë tërësisht korruptive, ku për pak mori më qafë dhe një bankë shqiptare të nivelit të dytë dhe ditën që iku nga pushteti, i biri i tij negocionte bashkë me Koçon si të mbyllnin letrat që mund të fundosnin bankën dhe si t’ua linin dopio gjashtën në dorë azerëve, të cilët tani kanë më shumë fatura borxhesh në duar sesa kishin para kur ua morën nga banka.

E gjitha ndodhi nga viti 2008 deri më 2013, kur ishte në pushtet Sali Berisha.

E njëjta gjë ndodhi dhe me ÇEZ. U privatizua më 2009-ën dhe falimentoi më 2013-ën duke hapur një gropë shumë më të madhe sesa kishte vlerën e vet për ekonominë shqiptare. Çekët e blenë 150, morën prej nesh 200 dhe na lanë falë Berishës një gërmadhë borxhesh dhe një procedurë gjyqësore vdekjeprurëse për fatin e kompanisë dhe ndikimit jetik të saj në shoqërinë shqiptare, plus problemet politike me Çekinë që na kushtëzonin me veto kundër statusit. Sali Berisha, që bëri gjithë këtë gjëmë, njeriu që për të vrapuar me një dosje nën sqetull tek kryeministri çek në Prill të vitit 2009 bëri atë kontratë vdekjeprurëse, sot tenton t’i shpëtojë hetimit dhe gjykimit për këtë megaaferë korruptive, duke kërkuar një ligj nga parlamenti shqiptar, që të hetojnë vetëm një vendim të kësaj shoqërie, atëherë kur ajo ka lidhur një kontratë me një kompani, për të cilën Berisha mendon se mund të bëjë pis Ilir Metën dhe të përçajë shumicën.

Ky projektligj është dëshmia se Sali Berisha është i zhytur kokë e këmbë në korrupsion brenda ÇEZ dhe ka përgjegjësira personale në procesin e privatizimit dhe në mënyrën sesi e kanë rrjepur kompaninë.

Si mund të kërkosh hetim për një kompani si DIA duke shmangur shtatë të tjerat indentike si ajo, vetëm pse ato të tjerat i kanë dy botues të afërt të tij, njerëz të afërt të fisit të tij dhe deri këshilltarë të tij.

Si mund tu thuash shqiptarëve që dua hetues ndërkombëtar për një hajdut, që nuk ishte imi, por me kusht që të mos i hetoni shtatë hajdutët e tjerë që ishin të mitë.

Si mund të kërkosh hetim për ÇEZ dhe të mos hetosh kontratën e privatizimit dhe kushtet skllavëruse të saj, të firmosura nga Sali Berisha.

Si mund të kërkosh hetim ndërkombëtar për ÇEZ dhe të shmangësh përdorimin politik të privatizimit, ngutjen për ta përdorur atë si një pazar politik, për të dorëzuar kërkesën për statusin e vendit kandidat për anëtarë në BE-së në Prag, meqë nuk e pranonte njeri në Bruksel.

Si mund të kërkosh hetim ndërkombëtar për ÇEZ pa kërkuar të analizohet çdo letër, çdo shkresë, çdo procedurë funksionimi, dhe sidomos procedura e përzënies së dhunshme nga Shqipëria që na penalizonte dhe me 200 milionë euro të tjera. Si mund të kërkosh hetimin e ÇEZ dhe të përjashtosh nga hetimi Falmur Nokën, një karafil budalla që doli me zë dhe figurë në TV dhe sillej si pronar i ÇEZ duke kërcënuar të ikin nga zyrat se ndryshe kanë punë me policinë. Ku ka gjykatë në botë që të jepë të drejtë t’i zaptosh pronën me policë dhe t’i kërcënosh si injorant.

Si mund të kërkosh hetimin ndërkombëtar duke shmangur periudhën kur aty u komandua një drejtor i paligjshëm, në mënyrë të njëanshme duke përdorur asetet e kompanisë jashtë rregullave të përcaktuara.

Pra e gjitha ajo çfarë ka bërë sot Basha dhe Berisha është një dëshmi e re se ÇEZ duhet hetuar fortë, në çdo skut të tij, që nga dita që Sali Berisha ka hedhur firmën e parë e deri tek shkopi i fundit i policëve të tij në kurriz të drejtuesve të kompanisë. Duhet hetuar ku të dojë Sali Berisha, këtu apo në Hagë, por duhet hetuar gjithçka.

Kjo që ka kërkuar Berisha dhe Basha nuk është hetim, por hezitim për hetuar, një frikë që u buron nga fakti se e dinë se çfarë kanë bërë në ÇEZ. Kjo është një arsye më shumë që hetimi duhet të nisë urgjent këtu, por po të duan dhe hetim ndërkombëtar apo asistencë ndërkombëtare le ta thërrasin. Asgjë më të shëmtuar nuk ka, se të bësh një projektligj për të mos hetuar çfarë ke bërë ti dhe si ke vjedhur, por se çfarë mund të ketë bërë vetëm një kompani private .

Me këtë projektligj Berisha e Basha provojnë se nuk duan të hapet kutia e Pandorës së ÇEZ-it, por duan të marrin andej një garuzhde me ujë të nxehtë me shpresë se do djegin dikë nga qeveria për të bërë politikë. Kjo është një fyerje për inteligjencën e çdo shqiptari dhe natyrisht një kambanë alarmi, që hetimi duhet të fillojë sa më shpejt, tek gjithçka që nuk do Berisha e Basha të hetohet. Aty janë gjurmët e rrjepjes së ÇEZ dhe të çdo pasurie shqiptare që ka privatizuar dhe falimentuar Sali Berisha.

TEMA

SHKARKO APP