Prokuroria, në ditën e saj më të zezë në historinë e saj post komuniste
Nga Ylli Manjani –
Askush nga mediat tona nuk pati as qejf e as bythë të botonte ato që botoi Zëri i Amerikës dhe BILD. Megjithëse ato përgjime zyrtare janë në shqip, në dialekt madje, Media jonë u mjaftua me disa pasazhe pa vlerë në fillim.
Aq pa vlerë dukeshin saqë të gjithë thamë se janë kot. Unë vetë e kam thënë publikisht, sepse aq dolën në media këtu ishin asgjë. Thanë që se janë shumë CD dhe se duhet kohë për ti zbardhur.
Mirëpo BILD që nuk di shqip i gjeti në kohë rekord CD e duhura me mesazhet e duhura. Bild nxori kristal të qartë krimin zgjedhor në Durrës e Dibër.
E nxori në shqipen e pastër fare. Që do të thotë nuk ka përtuar, i ka përkthyer të gjitha CD, i ka kuptuar dhe na i vë ne në dispozicion që të kuptojmë jo vetëm ç’qeveri kemi, por edhe ç’farë mediash na informojnë…
Ndaj, përveç pamundësisë shëndetësore, nuk kam dashur të jem pjesë e debateve mediatike. Për çfarë të debatosh më?! Për të vërtetat që fshihen qëllimisht?! Apo për kopaçet që këpusin tifozët politikë, ku njëra palë thotë bravo Edi Rama e tjetra palë thotë “Rama ik”.
Apo të debatosh për Prokurorinë që është në ditën e saj më të zezë në historinë e saj post komuniste?! Për çfarë për pabarazinë revoltuese para ligjit, ku dënohen e arrestohen vetëm denoncues të së keqes dhe jo autorët e saj. Këto të fundit thonë troç “po jemi ne”, ndërsa debatuesit mediatikë thonë nuk është ashtu si duket.
Çfarë debati të bësh për Kushtetutën apo për ligjet që s’pjerdh më askush për to?! Jo sot por prej vitesh kështu. Çfarë të debatosh më, të them që “a ju thashë, e ju s’më besuat”?! Ç’kuptim ka tashmë kjo gjë?! Fundja pse duhet të bësh debat mbi fakteqë as vetë Edi Rama nuk e mohon, por premton se do ta bëjë prapë?! Mungesa e lirisë për t’u shprehur dhe e lirisë së shtypit vjen në fakt nga dëshira për t’u shitur.
Marrëdhënia me të vërtetën është më e dëmtuara midis nesh. Shihni me vëmendje argumentin më të shpifur të mundshëm, që po na prishet imazhi!!!!
O zot ku je!
Nxjerrja e të vërtetave na prishka imazhin. Fshehja e tyre na bëka të ndershëm!