Propozimi i Ramës për “listat e hapura” si ai i Nanos në ‘98-ën që Agolli e quajti “shkërdhatokraci”
Nga Gëzim Saliu – Në mbledhjen e fundit të Këshillit Politik, PS hodhi në tryezë propozimin, që sipas socialistëve, hap 100% listat e kandidatëve për deputetë. Por nëse e sheh imtësisht propozimin e socialistëve kupton se përmes tij maxhoranca duket se ka gjetur mekanizmin për t’i mbyllur listat e deputetëve.
Në pikën e fundit të draftit saktësohet se si do të kryhet renditja e kandidatëve fitues në zgjedhjet parlamentare, ku duket se rol primar do të ketë renditja e tyre nga Partia që do të dorëzohet në KQZ. Sipas këtij propozimi, emrat e renditur nga kryetari i partisë në fillim të listës janë të mbrojtur dhe me shanse të larta për të fituar.
Renditja e kandidatëve fitues mund të prishet vetëm nëse poshtë vijës së kuqe ka kandidatë që janë votuar më shumë se sa ata që janë sipër vijës. Në këtë rast, kandidati kalon në listën fituese duke spostuar emrin e fundit të renditur nga partia në pjesën fituese. Praktikisht me këtë propozim, shanset për të dalë kandidatë fitues në zgjedhje i kanë ato emra që kryetari i partisë i vendos në krye të listës.
Nëse kjo për socialistët mund të cilësohet “demokraci”, për shqiptarët nuk mund të konsiderohet kurrsesi e tillë. Në fakt, një emër për këtë manovër e ka dhënë më së miri patriarku i PS-së Dritëro Agolli. “Shkërdhatokraci”, është termi i famshëm i Agollit në vitin 1998 në kohën e qeverisjes së socialistëve me në krye Fatos Nanon. Dritëro Agolli e cilësonte ide mashtruese idenë e meritokracisë së lançuar nga Nano, duke e barazuar atë me të ashtuquajturën prej tij “shkërdhatokraci”.
“Nanoja dhe shokët e tij për t’i treguar botës se kanë hequr dorë nga e kaluara komuniste, duan të rritin një parti artificiale në laboratorin e meritokracisë, gjoja moderne me udhëheqës që hyjnë dhe dalin në Rogner në Shqipërinë me gjysmë milionë të papunë dhe gjysmë milionë pensionistë që marrin pensione 25 dollarë sa për 20 kg presh. Një nga ndihmësit meritokratë të kryeministrit kërcënon kryeredaktorin e “Zërit të Popullit” me fjalët ‘do ta shkarkoj atë shkërdhatë’. Atëherë kjo ‘meritokraci’ kthehet në ‘shkërdhatokraci’. Ja kjo është gjuha e meritokracisë”.- theksonte Agolli.
Sot ndodhemi pak a shumë në të njejtën metodologji. Rama kërkon të propagandojë në publik se propozimi i tij për hapjen e listave sjell demokratizimin e mëtejshëm të vendit dhe rritjen e fuqisë së votës së qytetarëve. Por realisht, propozimi i PS-së për listat , sic pohonte në atë kohë Agolli për idenë e Nanos, nuk mund të quhet asgjë më shumë se, “shkëdhatokraci”.
Standard.al