Protesta e Shkupit dhe shqiptarët
Nga Skënder Minxhozi/ Nuk ka dyshim se ngjarjet e Kumanovës, por edhe publikimi i përgjimeve disamujore të Zajevit, e kanë vënë në krizë të thellë politike të gjithë klasën drejtuese në Maqedoni. Ajo që maqedonët kanë dëgjuar e parë në këto muaj, ka qenë një sistem i kalbur e i korruptuar partish, një qeverisje autoritare dhe gjithashtu e krimbur në korrupsion, por edhe në delire nacionaliste dhe antishqiptare.
Mes shqiptarëve të Maqedonisë, komuniteti i dytë etnik i vendit, këto zbulime kanë shkaktuar një tronditje të thellë besimi edhe tek liderët e tyre politikë, në pozitë dhe opozitë. Pa folur më pas për acarimin e marrëdhënieve etnike që po provokojnë deklarata të zyrtarëve të lartë të qeverisë së Gruevskit, mes të cilave shquajnë ato të ish-ministres Jankullovska.
Ngjarjet e Kumanovës derdhën ndërkaq edhe gjak, në mesin e kësaj krize politike të paprecedent. Megjithëse mbetet e hapur nëse Kumanova qe një inskenim i Gruevskit, apo një incident i “importuar”, është e qartë se pas kësaj përplasjeje në lagjen e Trimave në Kumanovë, shqiptarët panë sërish dobësinë, mungesën e vizionit dhe kaosin ku ndodhen liderët e tyre politikë. Imazhet me kreun opozitar maqedonas Zajev që vizitonte vendin ku u konsumuan luftimet në Kumanovë, ndërkohë që partitë shqiptare hezitonin të dilnin qoftë ëedhe me deklarata formale, janë prova e prekshme për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, se ky komunitet ndodhet tashmë në krizë të thellë përfaqësimi. Thirrja e deputetes së BDI Mehmeti për dorëheqjen e Gruevksit, është simptoma e kësaj krize.
Protesta e sotme e opozitës në Shkup përmbante një simbolikë të lexueshme bashkimi mes maqedonasve dhe shqiptarëve, teksa flamuj kombëtarë të dy vendeve shiheshin të lidhur mes tyre nga protestuesit. Mesazhi i kësaj proteste është se vendin e ka kapur një e keqe që i tejkalon etnitë dhe flamujt dhe që i rrezikon të gjithë njëlloj. Dhe partitë politike shqiptare, ajo në qeveri, por edhe tjetra në opozitë, duket se nuk janë më bartëse të këtij mesashi dhe as të misionit për ndryshim në Maqedoni.
Javanews.al