Prova dibrane e dyshes PS-PDIU për zgjedhjet e 2017-ës

Nga Eduard Zaloshnja

Në fushatën aktuale për zgjedhjen e kryebashkiaktut të Dibrës, LSI-ja e ka përkrahur zyrtarisht kandidatin e mazhorancës, por përkrahja duket se ka qenë më shumë formale se sa reale. Në takimet e ndryshme elektorale ka rënë në sy se mbizotërojnë vetëm flamujt e PS-së dhe aleates së saj të re, PDIU-së. Ndërsa raportimet e mediave nga Dibra flasin për një angazhim maksimal të drejtuesve dhe aktivistëve të PS-së e PDIU-së, por për një angazhim të vakët të atyre të LSI-së.

Në rast se kandidati i mazhorancës e fiton garën të dielën në Dibër dhe nëse vëzhguesit diplomatikë deklarojnë se zgjedhjet ishin “të pranueshme”, mund të thuhet se dyshja PS-PDIU e ka kaluar me sukses provën dibrane për zgjedhjet e 2017-ës. Një sukses i tillë mund ta bëjë Ramën të mendohet dy herë para se të vendosë për t’u futur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në koalicion me LSI-në.

Por rezultatet e 2013-ës dhe të 2015-ës na tregojnë se fitorja e kandidatit të mazhorancës nuk do jetë e lehtë të arrihet, pa angazhimin maksimal të LSI-së.

Kështu, në bashkinë aktuale të Dibrës, partitë që janë sot në mazhorancë (përfshi LSI-në dhe PDIU-në) morën më 2013 rreth 50% të votave, ndërkohë që vetëm LSI-ja mori plot 11% të votave. Më 2015, kryebashkiaku i mazhorancës fitoi me 48% të votave, ndërkohë që LSI-ja mori 9% të votave.

Siç flasin vetë këto rezultate, një rënie e angazhimit të LSI-së në bashkinë Dibër bëri që pesha e saj elektrorale të ulej me 2 pikë, në krahasim me 2013-ën (në rang vendi, votat e LSI-së u rritën ndjeshëm). Dhe teksa LSI-ja ra me 2 pikë në Dibër, edhe kryebashkiaku i mazhorancës atje mori 2 pikë më pak se sa kishin marrë para dy vjetëve partitë që e përkrahnin zyrtarisht atë.

Le të shohim nëse PDIU-ja do të jetë në gjendje ta mbushë për PS-në boshllëkun elektoral që mund t’i krijojë LSI-ja…

SHKARKO APP