Provokacioni i panevojshëm i atij që shan varret

Nga Skënder Minxhozi/A shkon dot njeri sot tek mauzoleu i Ataturkut në Ankara, për t’i numëruar njëqind e një të zeza, para varrit të tij dhe në prani të simboleve kombëtare e rojeve të sigurisë?! Po tek varri i Napoleon Bonapartit në “Les Invalides” në Paris, a mendoni se mund të shkojë dikush, për t’ja numëruar ish­perandorit miliona të vrarët, Vaterlonë dhe gjithçka tjetër që armiqtë e tij të djeshëm e të sotëm, ja llogarisin si anë negative? Po tek varri i ish­presidentit Kenedi në varrezat e Arlingtonit, a mund të shkojë dikush e të fillojë nga sharjet me zë të lartë në adresë të të vdekurit?

Natyrisht që kjo do të ishte një ide e çmendur dhe e panevojshme në të gjitha rastet. Turqit, francezët dhe amerikanët, por dhe popujt e tjerë në të katër anët e globit, kanë të drejtë t’i nderojnë themeluesit e shteteve të tyre apo liderët e rëndësishëm politikë. Është një shenjë mëse normale respekti e përluljeje ndaj emrit që ata kanë lënë në histori. Popujt e civilizuar të botës, kanë të gjithë të drejtën e botës që të identifikohen me datat dhe figurat e mëdha të historisë së tyre kombëtare.

Një historian turk që mesa duket e paska shumë të zhvilluar sensin e provokacionit, por që mesa duket qenka edhe një njeri i kompleksuar nga një pjesë e historisë së kombit të tij, nuk ka përtuar të fyejë rëndë emrin, figurën, por edhe eshtrat e Skënderbeut në Lezhë, teksa ka mbajtur një fjalim të ulët sharjesh e fyerjesh në adresë të tij. Ky person ka derdhur mbi muret, simbolet dhe mbi pllakën e varrit të heroit tonë kombëtar, një mllef të vjetër perandorak, i cili sot, kur historia është shkruar e rrëfyer me kohë nga të gjitha palët, ngjan më shumë se kurrë i kompleksuar, jashtë kohe dhe i panevojshëm. Krahasimi injorant dhe totalisht jashtë kontekstit, që ai i bën Skënderbeut, me partinë e kurdëve dhe aktet e tyre terroriste ndaj shtetit turk, bën jo vetëm të shqyhen gazit edhe gurët e rrugicave, por janë edhe prova më flagrante e përçartjeve lunatike që ky pseudo­historian derdhi në Lezhë, para eshtrave të Gjergj Kastriotit.

Shumëkush ka pikëpamjet e veta për Skënderbeun dhe epokën e tij. Komuniteti akademik, historianët dhe të apasionuarit e kësaj figure historike, kanë shkruar e folur jo pak për trashëgiminë dhe rolin e tij në epokën kur shqiptarët tentuan të dalin nga hija e rëndë e perandorisë otomane. Në dy dekadat e fundit është debatuar jo pak për Skënderbeun, edhe nga autorë që kanë vënë pikëpyetje therëse mbi veprën dhe thelbin e figurës së heroit tonë kombëtar.

Por provokimi i panevojshëm para varrit të Gjergj Kastriotit, është një gjest jo vetëm i shëmtuar, por edhe i rrezikshëm. Nëse ky zotëri ka kërkuar të na tregojë se shpërfill durimin dhe vetëpërmbajtjen e një populli dhe të shtetit të tij, abuzimi me mikpritjen nuk ka pse të marrë thjeshtë heshtje dhe pasivitet nga qeveria shqiptare. Ky person meriton të mos lejohet më të vizitojë një vend, ku siç e thotë edhe vetë, nderohet e kujtohet një “vrasës njerëzish të pafajshëm”. Le t’ja heqim këtë “zamet” Talha Ugurluelit, për të përdorur një fjalë të gjuhës së tij, duke e shpallur non grata, për shpifjet dhe deformimet trashanike që nxori nga goja para varrit të Skënderbeut në Lezhë. Provokimi me sharjen e varreve, është një gjest i zymtë psiqik, që pasqyron mungesë ekuilibri dhe që i bën një sfidë të kotë e të panevojshme kujtesës tonë kombëtare. Kjo është një fyerje e skajshme për të gjithë ata qindra mijë shqiptarë, të cilët shohin pikërisht tek ato mure dhe tek ai varr në Lezhë, fillesën e idesë dhe të shtetit shqiptar. JAVA

SHKARKO APP