Pse Basha dhe Rama nuk sulmojnë njëri tjetrin, si para pazarit?!
Bluja tradicionale e Partisë Demokratike dhe trëndafili në grushtin e Partisë Socialiste kanë humbur nga fushata. Edi Rama dhe Lulzim Basha po përdorin shqiponjën e flamurit kombëtar, si simbolikën e 25 Qershorit.
Basha e ka marrë flamurin për ta vendosur pas krahëve të tij, në skenografinë kuqezi të mitingjeve, me mbishkrimin “Republika e Re”.
Të njëjtin flamur, që Edi Rama thotë se do shkojë ta ngulë në oborrin e Bashkimit Europian, e mban veshur në bluza, ndërsa ngacmon ndjenjat e socialistëve me emrat e Ismail Qemalit dhe të Skënderbeut.
Njësoj edhe pankartat. Në slloganet “Ekonomi e fortë, e nesërme e sigurtë” të Bashës, dhe në “Shqipërinë që duam” të Ramës, nuk ka as PS e as PD.
Për t’u dalluar nga Basha, Edi Rama i ndryshon ndonjëherë ngjyrat, duke vendosur shqiponjën ngjyrë rozë në një sfond të purpurt, pastaj të zezë në një sfond të bardhë.
Thirrja për të mbledhur vota bëhet përmes simboleve kombëtare, që si Lulzim Basha ashtu edhe Edi Rama, po i përdorin për t’i dhënë kuptim bashkimit të madh, që eleminon dallimet mes partive, e për pasojë, eleminon zgjedhjen.
Edhe fjalimet e të dyve në fushatë janë në sintoni me simbolikat.
Lulzim Basha harroi çfarë ndodhi me hashashin vitet e shkuara. Nuk flet më as për krimin në qeveri dhe as për korrupsionin e oligarkëve.
Në pamundësi për të përmbysur qeverinë nga çadra, Basha përmbysi mesazhet politike.
Më parë e akuzonte Edi Ramën për lidhje direkte me kriminelët që i futi në parlament, për vendimin për ta mbushur vendin me hashash, për skemat korruptive me konçensionet. Sot duket se e shfajëson kur thotë se Rama jeton mes fluturave të zyrës dhe shpurës së servilëve, ndaj nuk e dallon dot çfarë ndodh në realitet.
Sfida që i lëshon sot Edi Ramës është për një përballje televizive. Natyrshmë një debat në televizione, do t’i mbivendosej pamjeve të mesnatës së 17 dhe 18 Majit, kur të dy bashkë bënë marrëveshjen e famshme për të qeverisur bashkë.
“Ka 5 ditë që e ftoj në debat dhe nuk ndihet fare. Asnjë përgjigje nuk kthen. Nga nuk e fut kokën dhe muhabetin por përgjigje për debatin nuk më kthen. Po kthe një përgjigje mor burrë i dheut” iu drejtua në konfidencë Edi Ramës një ditë më parë.
Kur mungojnë përplasjet e ashpra dhe pikat e forta të një programi që godet, arma që mbetet janë batutat dhe barcaletat.
Në këtë pikë, Edi Rama vështirë se e konkuron njeri. Sot në Pukë, ngriti dy gishtat lart dhe bënte ironi me Bashën.
“Nuk është çun i keq dreqi se… tani edhe e njoh” tha duke shkaktuar të qeshura te socialistët. Duke qeshur, e çoi më tej mesazhin, se me PD nuk jemi armiq.
“Jemi të gjithë bashkë, socialistë dhe demokratë. Të votojnë numrin 2. Dhe kanë edhe një arsye tjetër që të votojmë numrin 2. Se e panë. E kanë kuptu. Daçin ta kuptojnë. Ato që e kanë kuptu, e kanë kuptu. Ne nuk jemi armiqtë e tyre”
Që nuk janë armiq e thanë edhe pas marrëveshjes që nxorri opozitën nga çadra. Por në takim qëndruan më shumë se 5 pesë orë dhe fushata e 25 Qershorit, ishte vetëm njëra pjesë e paktit.
Gjasat janë se Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë plane të mëdha për njëri tjetrin. Mesnatën e 17 dhe 18 Majit u ngjiz një marrëdhënie e fortë dhe e qëndrueshme, që i bashkon në qeveri dhe i ndan në fushatë. Grindjet sa për sy e faqe dhe batutat false nëpër mitingje nuk gënjejnë më askënd.(lapsi)