Pse Berisha ka të drejtë të shqetësohet me sjelljen ndaj prokurorit?

Nga Mero Baze

Partia Demokratike po shkon drejtë një qëndrimi qesharak ndaj procesit, duke mbështetur nga një anë Prokurorinë dhe duke dënuar nga ana tjetër përfundimet e hetimeve të saj, të cilat i quan të marra nën presion. Sali Berisha, personi i cili po dikton qëndrimet qesharake të PD-së, në të vërtet është në një krizë reale të logjikës së tij politike, kur mendon se ç’mund t’i kishte bërë ai Prokurorisë në këtë rast po të ishte kryeministër.
Më poshtë po përpiqem të kthejë në guidë politike mënyrën se si ai vepronte në raste të tilla.
Sipas modelit të tij, ngjarjet duhet të zhvilloheshin kështu:

Edi Rama duhet të mblidhte sot në mbrëmje Kryesinë e PS-së dhe të vendoste ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar ndaj punës së Prokurorisë në rastin Doshi. Komisioni duhet të merrte në hetim deputetët që kishin fakte, grup fakte, prova grup-provash dhe që kishin të zbardhur skenarin e puçit, që dy deputetët kanë dashur t’i bëjnë Edi Ramës, duke akuzar atë dhe Ilir Metën për vrasës.
Në krye të Komisionit duhet të ishte Taulant Balla dhe të merrte në pyetje Edi Ramën, Ilir Metën, Artan Didin dhe Saimir Tahirin. Edi Rama do fliste gjatë dëshmisë së tij në Komision se ka informacione mbi fakte shumë të rëndësishme, që bëjnë fjalë se dy puçistët donin të vrisnin njëri-tjetrin me çadër pistoletë ose thikë të helmuar dhe pastaj, ai që do shpëtonte do ta linte çadrën tek dera e Kuvendit që të akuzohej Ilir Meta. Një anëtar i Komisionit do ekzaltohej nga ky fakt dhe do t’i lutej kryeministrit Edi Rama t’i dorëzonte këto fakte në Komision, se me kaq ata bëjnë namin. Rama do t’i thoshte “nuk i kam faktet, por kam informacion mbi faktet. Faktet do t’i gjeni ju në saj të punës këmbëngulëse”. Pastaj Taulanti do t’i hiqte vërejtje deputetit, të mos ndërpriste më dëshminë me fakte të kryetarit. Pastaj do vazhdonte me radhë dëshmia e Metës, Tahirit dhe Didit dhe të gjithë do provonin se dy deputetë e kishin planin e detajuar dhe duhet të dënoheshin.
Pastaj Komisioni do vazhdonte të rrinte i ngritur dhe do deklaronte se do të shkrihej pas përfundimit të hetimeve nga Prokuroria.
Rama do të dilte në emision tek Fevziu dhe do deklaronte se Adriatik Llalla është një lavire bulevardi, ndërsa Bujar Nishani është një horr bulevardi. Por për shkak të natyrës së ndryshme që kanë, ka shumë shanse që lavire t’i thoshte Bujarit dhe horr Adriatikut. Pastaj do të urdhëronte Didin, që të mos lejonte të shkonte në Prokurori asnjë prej policëve që kanë marrë në pyetje Tonin e Kombinatit, apo që kanë hetuar atentatin ndaj tij. Po ashtu duhet të gradoheshin policët që nuk kanë kontrolluar makinën e Mark Frrokut.
Kur e gjithë kjo të kishte mbaruar, Rama do të dilte në një konferencë shtypi pas një takimi me Policinë e Shtetit dhe do të deklaronte se ka zbuluar planin B të puçistëve. Ata donin të vrisnin njëri-tjetrin që vendi të destabilizohej dhe dyshja Rama-Meta të binin nga pushteti, për të ardhur në pushtet Sali Berisha. Pas kësaj do të ndërpritej komunikimi me prokurorët dhe Presidentin dhe do të shpalleshin puçistë. Në listën e puçistëve do të futej Artan Hoxha, Anila Basha, Armand Shkullaku dhe Henri Çili, për mbështetje të puçit. Këta të katërt veç e veç, por dhe të koordinuar kanë ndihmuar puçistët të bëjnë të besueshëm versionin e tyre për atentatin e dështuar. Atyre do tu kërkoheshin tabulatet dhe i vetmi që do të trembej ishte Çili, pasi në tabulate del në kohë të barabartë që ka folur me Ramën dhe Bashën dhe kjo do ta bënte atë agjent të dyfishtë.
Plani do vazhdonte më tej me presion mbi Prokurorinë, që hetimet të shtyheshin pa fund….
Kjo është një analogji për mënyrën sesi do ta trajtonte Berisha këtë histori, nën dritën e përvojës sesi e ka trajtuar raportin e tij si kryeministër i akuzuar për vrasje të vërteta më 21 janar. Më 21 janar ai vrau katër qytetarë, pranoi vrasjet dhe jo vetëm që nuk dha dorëheqje, por ngriti akuzë ndaj Prokurorisë, Presidentit dhe gazetarëve si puçistë. Tani Tomën e kemi gjallë, Markun e kemi gjallë, të gjithë po bashkëpunojnë me Prokurorinë.
Kjo me sa duket e shqetëson Sali Berishën. Ai dyshon, se përderisa kundërshtarët e vet nuk po sillen si ai, diçka luhet. Ai me katër të vrarë dhe përmbysi dynjanë të mos hetohej. Këta me një të vetëcaktuar si të vrarë, po i prishin skemën e sjelljes ndaj shtetit ligjor. Dhe nuk duron dot më. E do patjetër një kryeministër apo Kryetar parlamenti të jetë dhe ai vrasës si Berisha. Paçka se s’ka vdekur apo nuk është vrarë askush. Ai nuk e duron dot të jetë i vetmi që ka vrarë për pushtet në këtë vend këto 24 vjet. Dhe jo vetëm njëherë, por rregullisht sa herë i është dashur.

Gazeta "Tema"

SHKARKO APP