Pse dëbohet nga Italia shqiptari Sajmir Hidri pa vendim gjykate?

Dëbimi i një sipërmarrësi shqiptar nga Italia, se bënte propagandë pro ISIS-it ka ngjallur reagime edhe në Shqipëri. Sajmir Hidri, 34 vjeç u dëbua nga Italia me urdhër të ministrit të Brendshëm, Angelino Alfano.

Mediat italiane shkruajnë se ai jetonte në komunën e  Vigarano Mainarda prej 14 vitesh. Mediat raportojnë për një jetë të dyfishtë mes biznesit të ndërtimit të vilave dhe afrimit me ISIS.

Ai kishte shoqëri ndërtimi  “Alba Costruzioni” e njohur në këtë provincë sidomos për ndërtimin e vilave me dekore fasade prej guri.

Policia ka pyetur banorë të zonës dhe të njohur të tij, që tregojnë se së fundi ai kishte rritur mjekrën dhe kishte ndryshuar sjellje duke u izoluar.Sipas tyre, Hidri frekuentonte komunitetin mysliman në provincën e Ferrarës e sipas dëshmive kishte marrë pjesë dhe në iniciativën e fundit të pak javëve më parë, të ndërmarrë nga komuniteti mysliman me një lutje të përbashkët në kishë në shenjë mesazhi paqe e tolerance mes feve.

Mirëpo, Hidri është dëbuar pa një vendim gjykate të formës së prerë. Kjo ka qenë arsyeja që ka ngjallur reagime, raportojnë mediat italiane.

Deputeti i PS-së, Parid Cara, që jeton në Ferrara të Italisë dhe që është fqinj me Hidrin, është shprehur mjaft i habitur nga ky vendim. “Jam i habitur”, shprehet ai. “Të gjithë ata që e njohin Hidrin thonë se ai ishte një njeri serioz dhe punëtor.

Më dhemb kur dëgjoj se një bashkëkombas i imi përshkruhet si terrorist. Unë besoj se për sa kohë ai nuk është dënuar, është i pafajshëm. Për më tepër, Sajmiri nuk ka patur asnjë rol të drejtpërdrejtë në komunitetin islamik.

Ai më ka thënë se katër muaj më parë Policia ka bërë një kontroll në banesën e tij dhe ka kontrolluar materialet që ka patur në kompjuter”, thotë Cara për mediat italiane.

Nga ana tjetër, Hidri ka 30 ditë kohë që ta apelojë vendimin e ministrit. Avokati i tij thotë se do të bëhet edhe një rekurs në Gjykatën e Të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Edhe kryetarja e bashkisë së vendit ku jeton Hidri thotë për mediat italiane se ai kurrë nuk ka patur sjellje të dyshimta, që mund ta implikojnë me Shtetin Islamik.

“Nuk ka patur asgjë të pazakontë te Hidri”, thotë Barbara Paron.

 

SHKARKO APP